Ligji mbi Arsimin e Larte

LIGJ

Nr.9741, datë 21.5.2007

 

PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi i ligjit

 

Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë misionin, objektivat kryesorë të arsimit të lartë dhe të rregullojë aspekte të krijimit, organizimit, drejtimit, administrimit, financimit, sigurimit të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë, në përputhje me standardet europiane, si dhe rolin e shtetit e të shoqërisë në arsimin e lartë.

 

Neni 2

Misioni i arsimit të lartë

 

Misioni i arsimit të lartë është:

a) të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve; të zhvillojë dhe të çojë përpara artet, edukimin fizik dhe sportet; të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj;

b) të ofrojë mundësi për të përfituar nga arsimi i lartë gjatë të gjithë jetës;

c) të ndihmojë zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal;

ç) të kontribuojë në rritjen e standardeve të demokracisë e të qytetërimit të shoqërisë dhe në përgatitjen e të rinjve për një shoqëri të tillë.

Neni 3

Parime bazë

 

1. Institucionet e arsimit të lartë kanë autonomi dhe liri akademike.

2. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë shprehet në:

a) vetëqeverisjen e tyre, për të organizuar strukturat e tyre të brendshme dhe veprimtaritë e tyre, nëpërmjet statuteve dhe rregulloreve, të hartuara në përputhje me këtë ligj dhe me aktet e tjera ligjore në fuqi;

b) të drejtën për hartimin dhe zhvillimin e pavarur të programeve të studimit dhe të projekteve të kërkimit;

c) të drejtën për të caktuar kritere të pranimit të studentëve në programet e studimeve;

ç) të drejtën për të mbledhur fonde dhe për të përfituar mjete materiale, sipas rregullave në fuqi, si dhe të drejtën për të realizuar marrëveshje të pavarura me Qeverinë ose organizma të tjerë për trajnime, kualifikime ose për projekte kërkimore; të drejtën për të realizuar marrëveshje me institucione, shoqëri biznesi ose organizata të tjera, vendase ose të huaja, publike ose private; të drejtën për të administruar fondet publike e të ardhura të tjera, që disponojnë sipas mënyrës së përshkruar në ligj.

3. Liria akademike e institucioneve të arsimit të lartë shprehet në lirinë e mësimdhënies, lirinë e kërkimit shkencor, lirinë e krijimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

4. Arsimi i lartë në Republikën e Shqipërisë zhvillohet në përputhje me rregullat dhe parimet e hapësirës europiane të arsimit të lartë.

5. Arsimi i lartë është publik dhe privat. Arsimi i lartë publik është laik.

6. Shteti garanton paprekshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të territorit të tyre.

Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën ose lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë. Vetëm në rastet e kryerjes së një krimi flagrant dhe në rastet e një fatkeqësie natyrore, organet e rendit publik ndërhyjnë edhe pa lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë.

Cenimi i paprekshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë ndëshkohet sipas dispozitave ligjore.

 

 

KREU II

ORGANIZIMI I INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

 

Neni 4

Institucionet e arsimit të lartë

 

1. Arsimi i lartë ofrohet nga institucionet e arsimit të lartë, që krijohen, funksionojnë dhe akreditohen në përputhje me këtë ligj.

2. Institucionet e arsimit të lartë janë persona juridikë, publikë ose privatë, të drejtat dhe detyrimet e të cilëve përcaktohen në aktin e krijimit të tyre.

3. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të akredituara të studimeve. Struktura organizative e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohet në varësi të llojeve e të programeve të studimeve që ato ofrojnë.

4. Institucione të arsimit të lartë janë: universitetet, akademitë, kolegjet profesionale, shkollat e larta dhe qendrat ndëruniversitare.

 

Neni 5

Universitetet

 

1. Universiteti përfaqëson një strukturë, të përbërë dhe të integruar, që realizon arsimim të lartë, zhvillim të dijeve, shkencës, profesioneve dhe transmeton njohuri në fusha dhe disiplina shkencore dhe profesionale.

2. Universiteti siguron arsimim të bazuar në kërkim dhe njohuri shkencore e teknologjike bashkëkohore; siguron arsimim të vazhduar, kualifikime, specializime; përgatit specialistë dhe shkencëtarë të rinj.

3. Universiteti realizon kërkim shkencor e të aplikuar dhe veprimtari krijuese, ofron shërbime, në përputhje me misionin e tij, mbështet dhe realizon aftësimin e personelit akademik.

Në varësi të misionit kryesor që ka, të përcaktuar në statutin e tij, universiteti siguron raportin e përshtatshëm ndërmjet mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve që ofron.

4. Universiteti ofron programe të studimeve për të tre ciklet, të përcaktuara në nenin 26 dhe ka në përbërje, së paku, dy fakultete.

5. Për kryerje të veprimtarive të arsimimit dhe kërkimit me interes të përbashkët, universiteti ka të drejtë të bashkëpunojë me institucione të tjera: universitete, institucione kërkimore-shkencore, kulturore dhe ekonomike, publike dhe private. Për një bashkëpunim të tillë mund të krijohen qendra ndëruniversitare.

 

Neni 6

Akademitë, shkollat e larta dhe qendrat ndëruniversitare

 

1. Akademitë ofrojnë arsimim të lartë profesional dhe veprimtari krijuese në fusha specifike të artit, sportit, rendit publik e fusha të tjera profesionale. Ato mund të ofrojnë programe të studimeve për të tre ciklet dhe kanë në përbërje, së paku, dy fakultete. Akademitë ofrojnë edhe kërkim shkencor në fushat përkatëse, në varësi të ciklit të studimit, në përputhje me statutet e tyre.

2. Shkolla e lartë ofron arsimim të lartë në ciklin e parë ose edhe të dytë të studimeve. Shkolla e lartë mund të ofrojë kërkim shkencor të aplikuar dhe shërbime në fushat përkatëse, në përputhje me statutin e saj. Ajo ngrihet dhe funksionon edhe me, së paku, dy fakultete.

3. Qendra ndëruniversitare zhvillon dhe promovon programe dhe projekte të kërkimit shkencor dhe ndihmon në arsimim të avancuar pas ciklit të parë të studimeve universitare. Kjo qendër ka strukturë të ngjashme me atë të një fakulteti. Qendra ndëruniversitare krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Objekti i veprimtarisë, si dhe detyrat përcaktohen në aktin e krijimit. Ato organizohen dhe funksionojnë sipas këtij ligji dhe në përputhje me statutin e tyre.

 

Neni 7

Kolegjet profesionale

 

1. Kolegji profesional ofron veprimtari mësimore dhe trajnuese në fusha të ndryshme të arsimit profesional jouniversitar, për përgatitjen e specialistëve me orientim praktik.

2. Kolegji profesional realizon veprimtari kërkimore t¨ aplikuara, artistike, sportive etj., nëse është parashikuar në statutin dhe rregulloret e tij, si dhe ofron shërbime.

3. Kolegji profesional ofron programe të studimeve të ciklit të parë në disa fusha, në përputhje me procedurat e përcaktuara me akte nënligjore.

4. Kolegji profesional ka të drejtë të ngrihet edhe pranë universiteteve, akademive apo shkollave të tjera të larta. Në këto raste ai ka strukturë të ngjashme me fakultetin.

 

Neni 8

Njësitë përbërëse të institucioneve të arsimit të lartë

 

1. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ndahen në njësi përbërëse organizative: kryesore, bazë dhe ndihmëse.

2. Fakultetet, institutet e kërkimit dhe zhvillimit, kolegjet profesionale, si pjesë e institucioneve dhe filialet e përcaktuara në shkronjën “a” të pikës 2 të nenit 11 konsiderohen njësi kryesore.

3. Departamentet dhe qendrat e kërkimit dhe të zhvillimit konsiderohen njësi bazë.

4. Laboratorët, stacionet eksperimentale, njësitë didaktike, bibliotekat dhe njësi të tjera, që realizojnë studime, projektime dhe shërbime konsiderohen njësi ndihmëse.

5. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë vetë organizimin e brendshëm në statutet dhe rregulloret e tyre, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me aktet nënligjore që dalin në zbatim të tij.

 

Neni 9

Fakultetet

 

1. Fakulteti është njësi kryesore, që bashkërendon mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe zhvillimin kulturor në fusha mësimore-kërkimore, të përafërta ose të ndërthurura. Fakulteti ofron programe të studimeve të llojeve dhe niveleve të ndryshme, në përfundim të të cilave përfitohet diplomë.

2. Fakulteti organizohet në njësi bazë. çdo fakultet ka, së paku, tre të tilla, nga të cilat dy departamente.

3. Fakulteti mund të jetë edhe i tipit të asociiuar. Në fakultetet e asociiuara bashkohen disiplina, të cilat nuk përbëjnë një specialitet të institucionit. Fakultetet e asociiuara nuk lëshojnë diplomë.

4. Struktura e fakultetit, përbërja, funksionimi, si dhe drejtimi i tij përcaktohen në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë.

 

Neni 10

Qendrat dhe institutet e kërkimit dhe të zhvillimit

 

1. Qendrat dhe institutet e kërkimit dhe të zhvillimit të institucioneve të arsimit të lartë kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore dhe zhvillimi, si dhe marrin pjesë në realizimin e programeve të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë.

2. Struktura e qendrave dhe instituteve të kërkimit dhe të zhvillimit, përbërja, funksionimi, si dhe drejtimi i tyre përcaktohen në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me aktet nënligjore që dalin në zbatim të tij.

 

Neni 11

Filialet e institucioneve të arsimit të lartë

 

1. Një institucion i arsimit të lartë ka të drejtë të hapë filialet e tij në rajone të tjera, jashtë selisë qendrore, për të ofruar programe të studimeve, kërkim shkencor e shërbime të ndryshme.

2. Filiali është:

a) një njësi e veçantë në strukturën e institucionit të arsimit të lartë (njësi kryesore, njësi bazë ose njësi ndihmëse);

b) pjesë përbërëse e njësive të selisë qendrore të institucionit.

3. Kriteret dhe procedurat për hapjen e filialeve përcaktohen në statut, në përputhje me këtë ligj.

 

Neni 12

Departamentet

 

1. Departamenti është njësi bazë mësimore-k¨rkimore, që përfshin fusha kërkimi homogjene dhe grupon disiplinat mësimore respektive.

2. Strukturë të ngjashme me departamentin kanë edhe qendrat e kërkimit dhe zhvillimit, fushat e kërkimit të të cilave harmonizohen me interesa të departamenteve të fakultetit.

3. Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mësimdhënies, veprimtaritë kërkimore ose artistike, duke respektuar liritë akademike të personelit akademik dhe të drejtën e tij për të shfrytëzuar burimet materiale dhe financiare në dispozicion të departamentit.

Departamenti duhet të ketë në përbërje të tij të paktën 7 anëtarë efektivë si personel akademik, ndër të cilët të paktën 3 duhet të jenë me grada dhe tituj. Institucioneve të arsimit të lartë, të cilat funksionojnë, por nuk e plotësojnë këtë kriter, u lihet një afat 5-vjeçar.

4. Departamenti ka të drejtë të organizohet në grupe mësimore e kërkimore. Këto organizime kanë të drejtë të kenë edhe karakter të përkohshëm. Titullarët e grupeve përzgjidhen me konkurrim dhe emërohen nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore për një periudhë 4-vjeçare ose për periudhën që përputhet me kohëzgjatjen e funksionimit të grupit.

5. Departamentet e fakulteteve të mjekësisë, të institucioneve publike të arsimit të lartë, që janë pjesë e spitaleve universitare, përveç grupeve mësimore-kërkimore, përbëhen nga shërbimet.

Shërbimi është njësi diagnostike dhe trajtuese themelore e spitaleve universitare, që formohet në bazë të specialitetit. Në shërbim kryhet procesi mësimor dhe kërkimi shkencor.

6. Në departamentet e fakulteteve të mjekësisë, përgjegjësi i departamentit përzgjedh për përgjegjës shërbimi, nga stafi pedagogjik i departamentit, ndër kandidatët me kualifikimin shkencor më të lartë. Ai i propozon drejtorit të spitalit universitar 2 kandidatura për çdo shërbim. Drejtori i spitalit universitar emëron përgjegjësit e shërbimeve në departamentet spitalore të fakultetit të mjekësisë, pasi të ketë marrë miratimin me shkrim të dekanit të fakultetit.

Mosmarrëveshjet për emërimin, të parashikuara në paragrafin e mësipërm, zgjidhen nga Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës.

 

 

KREU III

DREJTIMI DHE ADMINISTRIMI I INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

 

Neni 13

Organet drejtuese dhe administruese në institucionet publike të arsimit të lartë

 

1. Organe drejtuese dhe administruese në institucionet publike të arsimit të lartë janë: senati akademik, rektorati, këshilli i administrimit, këshilli i etikës dhe këshilli i fakultetit.

2. Institucionet publike të arsimit të lartë kanë të drejtë të formojnë dhe organe të tjera, në përputhje me misionin dhe veprimtaritë e tyre.

 

Neni 14

Senati akademik

 

1. Senati akademik është organ kolegjial vendimmarrës i institucioneve të arsimit të lartë, që përcakton politikat e zhvillimit të institucionit, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati akademik kryesohet nga rektori dhe mblidhet periodikisht.

2. Funksionet kryesore të senatit akademik janë:

a) garanton respektimin e parimeve të autonomisë dhe mundësive të barabarta të lirisë akademike e të kërkimit, si dhe të drejtat e studentëve;

b) miraton planin disavjeçar të zhvillimit të institucionit dhe programin vjetor të veprimtarive të tij;

c) vendos me shumicën e votave të anëtarëve të tij projektbuxhetin e institucionit, pasi merr miratimin nga këshilli i administrimit;

ç) miraton ndarjen e burimeve financiare;

d) miraton projektstatutin e institucionit me dy të tretat e votave të anëtarëve të tij;

dh) miraton rregulloret e institucionit, që janë kompetencë e tij;

e) vlerëson dhe miraton programet e reja të studimit, të kërkimit e zhvillimit dhe hapjen, ndryshimin ose mbylljen e njësive mësimore ose kërkimore;

ë) vlerëson, garanton dhe mban përgjegjësi për sigurimin e brendshëm të cilësisë në institucion, në përputhje me standardet shtetërore;

f) vlerëson veprimtarinë mësimore-kërkimore të personelit akademik;

g) siguron që kryerja dhe vlerësimi i të gjitha provimeve të bëhet në përputhje me standardet e institucionit, që garantojnë cilësinë dhe transparencën e duhur etj.

3. Senati akademik kërkon mendimin e këshillit të administrimit për probleme që janë kompetencë e këtij të fundit.

4. Funksionimi i senatit akademik, përbërja, si dhe të drejta dhe detyra të tjera të tij përcaktohen në statutin e institucionit të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj.

 

Neni 15

Rektorati

 

1. Rektorati është organ kolegjial ekzekutiv, që përbëhet nga:

a) rektori;

b) zëvendësrektori/ët;

c) dekani/drejtori i çdo fakulteti dhe njësie tjetër kryesore;

ç) kancelari i institucionit.

Rektorati kryesohet nga rektori.

2. Funksionet kryesore të rektoratit janë:

a) harton planin disavjeçar të zhvillimit të institucionit;

b) harton programin vjetor të veprimtarive, si dhe ndjek zbatimin e tij pas miratimit në senatin akademik;

c) formulon kriteret për shpërndarjen e burimeve financiare, materiale dhe njerëzore;

ç) parashtron përparësitë mes kërkesave konkurruese për financime mes njësive kryesore të institucionit;

d) harton dhe propozon projektbuxhetin për miratim në senatin akademik;

dh) harton planin për investime, kontratat dhe marrëveshjet, që janë kompetencë e tij;

e) paraqet rekomandime për projektet për programet e studimeve, të kërkimit shkencor dhe ndryshimet e nevojshme strukturore për realizimin e tyre;

ë) zbaton të gjitha vendimet e miratuara nga senati akademik dhe këshilli i administrimit;

f) monitoron dhe publikon rezultatet e vlerësimit të veprimtarive të institucionit;

g) përgatit marrëveshjen ndërmjet institucionit të arsimit të lartë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për rregullat e financimit;

gj) propozon strukturën e përgjithshme dhe numrin e personelit të institucionit për të gjitha nivelet;

h) përgatit rregulloren e tij të punës, që miratohet nga senati akademik.

3. Rektorati kërkon mendimin e senatit akademik dhe të këshillit të administrimit për aspekte të kompetencës së këtyre të fundit.

4. Rektorati raporton një herë në semestër në senatin akademik dhe në këshillin e administrimit.

5. Rektorati harton raportin vjetor të veprimtarisë mësimore-kërkimore dhe financiare dhe ia paraqet atë për miratim senatit akademik dhe këshillit të administrimit brenda datës 20 dhjetor të çdo viti.

6. Rektorati ka të drejtë t’ia delegojë kompetencat personelit apo organit tjetër të institucionit, në përputhje me rregulloren e tij.

7. Në statutin e institucionit publik të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera, si dhe funksionimi i rektoratit.

 

Neni 16

Këshilli i administrimit

 

1. Në institucionet e arsimit të lartë ngrihen dhe funksionojnë këshillat e administrimit. Këshilli i administrimit është organ kolegjial vendimmarrës, që mbikëqyr e kontrollon veprimtaritë e institucionit të arsimit të lartë, që lidhen me menaxhimin administrativ, financiar, ekonomik dhe të pronave të tij.

2. Funksionet kryesore të këshillit të administrimit janë:

a) miraton kriteret për ndarjen e burimeve financiare;

b) miraton, me kërkesën e senatit akademik, projektbuxhetin e institucionit me dy të tretat e votave;

c) vlerëson efikasitetin e përdorimit të fondeve nga Buxheti i Shtetit ose burime të tjera të ligjshme dhe publikon rezultatet e vlerësimit;

ç) miraton strukturën dhe numrin e personelit të institucionit për të gjitha nivelet;

d) miraton raportin vjetor financiar të paraqitur nga rektorati;

dh) vlerëson planin e zhvillimit të institucionit e programin vjetor të veprimtarive të tij;

e) miraton rregulloren e brendshme për administrimin, financat dhe kontabilitetin;

ë) miraton rregulloren e funksionimit të tij.

3. Rektori dhe kancelari i institucionit kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të administrimit, pa të drejtë vote, kur e vlerësojnë ata vetë, si dhe kur thirren nga ky këshill.

4. Këshilli i administrimit përbëhet nga:

a) anëtarë të personelit akademik, së paku me gradë shkencore, të zgjedhur drejtpërdrejt nga personeli akademik i çdo njësie kryesore të institucionit;

b) anëtarë të caktuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues nga fushat e shkencës, ekonomisë, kulturës, autoritete të pushtetit qendror dhe vendor;

c) një anëtar, përfaqësues i zgjedhur nga këshilli i studentëve të institucionit.

5. Anëtarët, sipas shkronjës “b” të pikës 4 të këtij neni, caktohen dhe shkarkohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Numri i anëtarëve të caktuar është një më pak se gjysma e numrit të anëtarëve të këshillit të administrimit. Këshilli i administrimit zgjedh kryetarin, prej anëtarëve të brendshëm të tij, me dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve.

6. Anëtarësia në këshillin e administrimit është e papajtueshme me detyrën e anëtarit të senatit akademik, të zëvendësrektorëve, të dekanëve/drejtorëve dhe të zëvendësdekanëve/zëvendësdrejtorëve.

7. Në statutin e institucionit publik të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera të këshillit të administrimit, numri, përbërja, mandati, mënyra e zgjedhjes së anëtarëve, sipas shkronjës “a” të pikës 4 të këtij neni, si dhe funksionimi i këshillit.

 

Neni 17

Këshilli i etikës

 

1. Këshilli i etikës ngrihet pranë institucioneve të arsimit të lartë dhe diskuton probleme të etikës së jetës universitare. Ai i bën propozime rektorit për këto çështje.

2. Anëtarët e këshillit të etikës përzgjidhen nga senati akademik. Këshilla të etikës mund të ngrihen edhe pranë fakulteteve.

3. Përbërja, të drejtat, detyrat, organizimi e funksionimi i këshillit të etikës përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, si dhe në rregulloret e tyre të brendshme.

 

Neni 18

Këshilli i fakultetit dhe njësive të tjera kryesore

 

1. Këshilli i fakultetit është organ kolegjial vendimmarrës, që programon e përcakton, në bazë të propozimeve të departamenteve, përdorimin e burimeve njerëzore dhe materiale në dispozicion të fakultetit. Ai propozon për programe të reja studimi ose të kërkimit shkencor; për hapje, ndryshim ose mbyllje departamentesh ose njësish të tjera; merr vendime për problemet financiare të fakultetit, në përputhje me autoritetin që i është deleguar atij; shqyrton dhe miraton raportin vjetor të dekanit për veprimtarinë mësimore dhe kërkimin shkencor. Këshilli i fakultetit i propozon senatit akademik planin strategjik të zhvillimit të fakultetit dhe mbikëqyr realizimin e tij.

Këshilli i fakultetit kryesohet nga dekani.

2. Në statutin e institucionit të arsimit të lartë përcaktohen, në përputhje me këtë ligj, të drejta dhe detyra të tjera, si dhe funksionimi i këshillit të fakultetit.

3. Këshillat e njësive të tjera kryesore të institucioneve të arsimit të lartë janë organe kolegjiale, me funksione të ngjashme me ato të këshillit të fakultetit. Detyra specifike të tyre, funksionimi dhe përbërja përcaktohen në statutin e institucionit dhe në rregulloret e tij.

 

Neni 19

Këshilli i profesorëve

 

1. Për organizimin dhe drejtimin e studimeve të doktoratës dhe të kualifikimit shkencor e pedagogjik pas doktoratës, në fakultetet e institucioneve të arsimit të lartë, të cilat ofrojnë programe studimi të ciklit të tretë, ngrihet këshilli i profesorëve.

2. Përbërja, detyrat dhe funksionimi i këshillit të profesorëve përcaktohen në statutin e institucionit dhe në akte të tjera nënligjore.

 

Neni 20

Autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë

 

1. Autoritete drejtuese në një institucion publik të arsimit të lartë janë:

a) rektori;

b) dekani/dr­ejtori;

c) përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit.

Rektori është autoriteti drejtues i institucionit të arsimit të lartë, i cili e përfaqëson atë dhe vepron në emër dhe për llogari të tij. Dekani është autoriteti drejtues i fakultetit dhe përfaqësuesi ligjor i tij.

Drejtori është autoriteti drejtues i një instituti të kërkimit dhe zhvillimit ose i një filiali (në rast se ai nuk ka statusin e fakultetit ose të departamentit) dhe e përfaqëson atë.

2. Autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë: rektori dhe dekani/dr­ejtori duhet të kenë, të paktën, titullin “Profesor i asociiuar”. Përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit duhet të ketë, të paktën, gradën shkencore “Doktor”.

3. Për institucionet e arsimit të lartë, në varësi të Ministrisë së Brendshme, autoriteti drejtues, i barasvlefshëm me rektorin ose dekanin, ka të drejtë të jetë komandanti ose drejtori.

4. Për postin e autoriteteve, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, mund të konkurrojnë individë të personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose individë jashtë tij. Këta të fundit, në rastin kur rezultojnë fitues, bëhen anëtarë të personelit akademik të insitucionit.

5. Kritere të tjera, që duhet të plotësojnë autoritetet drejtuese ose anëtarët e organeve drejtuese, detyrat dhe të drejtat e këtyre autoriteteve, që burojnë nga ky ligj, përcaktohen në statutet dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë.

 

Neni 21

Zgjedhja e organeve dhe e autoriteteve drejtuese

në institucionet publike të arsimit të lartë

 

1. Në institucionet publike të arsimit të lartë organet dhe autoritetet e tyre drejtuese zgjidhen.

2. Organet drejtuese të një institucioni publik të arsimit të lartë përcaktohen si më poshtë:

a) senati akademik përbëhet nga anëtarë, personel akademik, personel joakademik dhe studentë, të cilët zgjidhen drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institucionit;

b) këshilli i fakultetit përbëhet nga anëtarë të personelit akademik, të personelit joakademik dhe studentë, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të fakultetit;

c) këshilli i instituteve të kërkimit dhe zhvillimit përbëhet nga anëtarë të personelit të tyre akademik dhe përfaqësues të personelit joakademik, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institutit;

ç) këshilli i kolegjit profesional përbëhet, në shumicën e tij, nga anëtarë të personelit akademik, të personelit joakademik dhe studentë, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të kolegjit. Në përbërje të këtij këshilli bëjnë pjesë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, sipas llojit të programeve të studimit që kolegji profesional ofron;

d) senatet akademike dhe këshillat e fakulteteve, të instituteve dhe të qendrave përbëhen 15 për qind nga studentë, 5 për qind nga personel joakademik dhe pjesa tjetër nga personel akademik.

3. Autoritetet drejtuese në një institucion publik të arsimit të lartë zgjidhen sipas modaliteteve të mëposhtme:

a) rektori i institucioneve publike të arsimit të lartë zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, personeli joakademik dhe studentët e institucionit;

b) dekani/drejtori zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, personeli joakademik dhe studentët e fakultetit/institutit të kërkimit dhe zhvillimit/kolegjit profesional;

c) përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik respektiv.

4. Në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese, votat e studentëve dhe votat e personelit joakademik përllogariten me përqindje, ato vlejnë 20 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për studentët dhe 5 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për personelin joakademik.

5. Rektori apo autoriteti i barasvlefshëm me të, në institucionet e arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, propozohet nga ministri përkatës dhe emërohet nga Presidenti i Republikës.

6. Dekani apo autoriteti i barasvlefshëm me të, në institucionet e arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, emërohet nga ministri përkatës.

7. Përgjegjësit e departamenteve në institucionet e arsimit të lartë, në varësi të Ministrisë së Brendshme, zgjidhen me të njëjtat procedura, të përcaktuara në shkronjën “c” të pikës 3 të këtij neni.

8. Presidenti i Republikës emëron rektorin e zgjedhur. Rektori emëron dekanin/drejtorin e zgjedhur. Dekani/drejtori emëron përgjegjësin e departamentit/ qendrës së kërkimit dhe zhvillimit.

9. Ministri i Arsimit dhe Shkencës shpall ditën e fillimit të procesit zgjedhor në institucionet publike të arsimit të lartë. Zgjedhjet zhvillohen sipas rregullores së zgjedhjeve, të përgatitur dhe miratuar nga institucionet e arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj. Rregullorja e zgjedhjeve përcakton procedurat dhe kriteret për organizimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet për organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë.

 

Neni 22

Autoritete të tjera të institucioneve publike të arsimit të lartë

 

1. Autoritete të tjera të institucionit publik të arsimit të lartë janë:

a) kancelari i institucionit;

b) zëvendësrektori/ët;

c) zëvendësdekani/ët apo zëvendësdrejtori/ët;

ç) kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore.

2. Kancelari i institucionit është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar të institucionit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë.

3. Kandidatura për kancelar e një institucioni të arsimit të lartë përzgjidhet nga këshilli i administrimit dhe rektori ia paraqet atë Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për miratim. Kancelari i një institucioni të arsimit të lartë duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të institucionit përcaktohet me akt të veçantë.

4. Zëvendësrektorët emërohen dhe shkarkohen nga rektori, pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në senatin akademik.

5. Zëvendësdekanët/zëvendësdrejtorët emërohen dhe shkarkohen nga dekani/drejtori pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në këshillin e fakultetit/institutit të kërkimit dhe zhvillimit.

6. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar të fakultetit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë.

7. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Ai emërohet nga rektori mes tri kandidaturave të propozuara nga këshilli i administrimit i institucionit.

8. Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë në statutet dhe rregulloret e tyre të drejta dhe detyra të tjera të këtyre autoriteteve, si dhe kualifikimet respektive.

 

Neni 23

Kohëzgjatja e mandatit për organet dhe autoritetet drejtuese

 

1. Organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë zgjidhen për një mandat 4-vjeçar. Autoritetet drejtuese zgjidhen deri në dy herë radhazi në të njëjtin funksion. Autoriteti drejtues i një institucioni publik të arsimit të lartë, që konkurron në mandatin e dytë për të njëjtin funksion, duhet të sigurojë 60 për qind të numrit të vlefshëm votave për t’u shpallur fitues.

2. Rektori i një institucioni të ri publik të arsimit të lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, sipas propozimit të bërë nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, me një mandat njëvjeçar në drejtim. Ky mandat mund të përsëritet, por jo më shumë se dy herë radhazi.

3. Rektori, i emëruar sipas pikës 2 të këtij neni, cakton dekanin/drejtorin. Dekani/drejtori i emëruar cakton përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit.

4. Postet për autoritetet drejtuese, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni, kriteret që këto autoritete duhet të plotësojnë dhe procedurat për përzgjedhjen e tyre bëhen publike.

5. Senati, këshilli i fakultetit, institutit, qendrës së një institucioni të ri publik të arsimit të lartë përbëhen nga i gjithë personeli akademik i institucionit, që gëzon së paku titullin “Doktor shkencash”. Ata qëndrojnë në këtë detyrë deri në zgjedhjen e organeve drejtuese, sipas këtij ligji. Për këtë periudhë funksionet e këshillit të administrimit kryhen nga senati akademik.

6. Mandati për organet dhe autoritetet e tjera drejtuese dhe administruese të një institucioni të ri publik të arsimit të lartë është i njëjtë me atë të rektorit.

 

 

KREU IV

ORGANIZIMI I STUDIMEVE NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË

 

Neni 24

Format e studimeve

 

1. Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë:

a) studime me kohë të plotë;

b) studime me kohë të pjesshme;

c) studime në distancë.

2. Aplikimi dhe zbatimi i çdonjërës nga format e studimit, të parashikuara në këtë nen, bëhet me miratim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

 

Neni 25

Programet e studimeve

 

1. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të akredituara të studimeve, të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite, sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Sasia mesatare e krediteve të grumbulluara gjatë një viti nga një student me kohë të plotë është 60 kredite.

2. Programet e studimeve hartohen nga vetë institucionet dhe miratohen në senatet e tyre akademike.

3. Institucionet e arsimit të lartë shpallin publikisht programet e akredituara të studimeve që ofrojnë, para fillimit të aplikimeve për pranime në to.

 

 

Neni 26

Ciklet dhe titujt e studimeve universitare

 

1. Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme: cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë.

1.1 Studimet e ciklit të parë:

a) programet e studimeve të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një varietet të gjerë profesionesh e specialitetesh;

b) programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është tre vite;

c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë e nivelit të parë (DNP) në fushën e arsimimit të kryer.

1.2. Studimet e ciklit të dytë:

1.2.1. Programet e studimeve të ciklit të dytë:

a) programet e studimeve të ciklit të dytë japin njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim të pavarur në një fushë brenda një specialiteti;

b) programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite;

c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë e nivelit të dytë (DND) në fushën e arsimimit të kryer.

1.2.2. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë:

a) institucionet e arsimit të lartë në fusha të veçanta ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku;

b) programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite;

c) në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë e integruar e nivelit të dytë (DIND) në fushën e arsimimit të kryer;

ç) programet e studimeve, të kategorizuara sipas pikës 1.2.2. shkronja “a”, përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

1.2.3. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë”:

a) programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të parë, arsimim dhe trajnim të mëtejshëm profesional;

b) programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë” realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit;

c) në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Parë” (MNP) në fushën e arsimimit dhe trajnimit të kryer.

1.3. Studimet e ciklit të tretë:

1.3.1. Programet e studimeve të doktoratës:

a) programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura;

b) këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë edhe 60 kredite për studime të organizuara;

c) kandidatët, që kanë diplomë të nivelit të dytë dhe diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, të përcaktuar në pikën 1.3.4 të këtij neni, nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kredite të studimeve të organizuara teorike. Këta paraqesin disertacionin e doktoratës, sapo të kenë plotësuar kushtet e tjera, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave për studimet e doktoratës;

ç) në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).

1.3.2. Programet e studimeve specializuese afatgjata:

a) programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të studimeve të ciklit të tretë, profesionalisht të orientuara, që ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, veterinarisë, drejtësisë etj. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike të kombinuara me aplikime praktike dhe trajnime profesionale. Mund të përfshihen në to dhe veprimtari kërkimore, nëse nevojitet;

b) në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë me titull “Specialist …”, për drejtimet e mjekësisë ose “Magjistër…”, për drejtimet e shkencave politike, juridike dhe sociale, ndjekur nga fusha e specializimit të kryer;

c) për kryerjen e programeve të studimeve specializuese afatgjata, studenti duhet të grumbullojë 120-240 kredite dhe zgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është 2-4 vite.

1.3.3. Programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës, pasi është marrë miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

1.3.4. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” (MND):

a) programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të dytë, arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë shkencor ose profesional;

b) programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është minimumi një vit;

c) në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Dytë” (MND).

2. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë vetëm në ato fusha, ku ato përmbushin kriteret dhe standardet shtetërore, në përputhje me këtë ligj.

3. Programet e studimeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë janë programe të studimeve universitare.

4. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve jouniversitare, të natyrës profesionale, me jo më pak se 120 kredite. Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë.

5. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen hollësi të tjera të programeve të studimeve.

 

Neni 27

Elemente të programeve të studimeve

 

1. Programet e studimeve të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë, si dhe ato specializuese ose të formimit të vazhduar duhet të përmbajnë elementet e mëposhtme:

a) të dhëna të përgjithshme për programin, formën dhe objektivat kryesorë, planin e tij mësimor, shoqëruar me kreditet e detyrueshme të studimeve;

b) klasifikimin e programit të studimit, që bëhet i zbatueshëm me krijimin e kuadrit shtetëror të kualifikimeve;

c) kushtet e pranimeve në programin e studimeve dhe kriteret e përzgjedhjes në rastet e pranimeve me numër të kufizuar;

ç) metodat e vlerësimit të studentëve dhe kushtet për përparim në program;

d) kushtet për transferime ndërmjet programeve dhe kushtet për përfundimin e pjesshëm të programit, nëse ai e parashikon këtë gjë;

dh) titujt profesionalë, që akordohen sipas ligjit etj.

2. Programet e studimeve të doktoratës ndërtohen si programe individuale për aftësim në kërkim shkencor të pavarur. Në to duhet të përcaktohen, veç të tjerave, fusha e studimit, përmbajtja dhe veprimtaria kërkimore.

3. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në statute dhe rregullore elemente më të hollësishme të programeve të ndryshme të studimeve.

 

Neni 28

Programet e studimeve ndërdisiplinore

 

1. Brenda një institucioni të arsimit të lartë, fakultetet mund të organizojnë programe të përbashkëta të studimeve ndërdisiplinore. Programe të tilla mund të organizohen edhe nga fakultete të institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë.

2. Në përfundim të programeve të studimeve ndërdisiplinore lëshohet diplomë e përbashkët nga të dy institucionet e arsimit të lartë.

 

Neni 29

Programet e studimeve të përbashkëta

 

1. Programet e studimeve të përbashkëta realizohen në një institucion të arsimit të lartë ose njësi kryesore të tij, në bashkëpunim me një ose disa institucione të tjera të arsimit të lartë, publike ose private, brenda ose jashtë Republikës së Shqipërisë.

2. Programet e studimeve të përbashkëta organizohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Në përfundim të studimeve lëshohet diplomë e përbashkët ose diplomë e dyfishtë.

 

Neni 30

Programet e studimeve të formimit të vazhduar

 

1. Në vijim të programeve të ndryshme të studimeve, institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar, si formë e të mësuarit gjatë të gjithë jetës. Këto programe shërbejnë për specializime afatshkurtra, plotësime, thellime dhe freskime të njohurive. Ato mund të jenë dhe programe të kërkimit të avancuar. Programet e studimeve të formimit të vazhduar ndihmojnë individët në rritjen e kualifikimit të tyre dhe të aftësive profesionale.

2. Në kuadër të programeve të studimeve të formimit të vazhduar, institucionet e arsimit të lartë organizojnë edhe forma të tjera të ndryshme të mësimit informal si kurse, shkolla verore dhe veprimtari të ngjashme.

3. Struktura e programeve, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, kohëzgjatja dhe kreditet e tyre përcaktohen në mënyrë të pavarur nga secili institucion i arsimit të lartë.

4. Në përfundim të programeve të studimeve të formimit të vazhduar, institucionet e arsimit të lartë lëshojnë certifikatat përkatëse.

 

Neni 31

Lëshimi i diplomave, certifikatave dhe dokumenteve të tjera

 

1. Institucionet e arsimit të lartë pajisin studentët, që kanë përfunduar të gjitha detyrimet e një programi studimi, me diplomën përkatëse, e cila është dokument zyrtar.

2. Diplomat për ciklin e parë dhe për ciklin të dytë, si dhe diplomat “Master i Nivelit të Dytë” shoqërohen me suplementin e diplomës.

3. Suplementi i diplomës hartohet n¨ përputhje me kërkesat e hapësirës europiane t¨ arsimit t¨ lartë. Ai përshkruan, në veçanti, natyrën, nivelin, përmbajtjen, rezultatet e studimeve, që janë kryer dhe përfunduar me sukses nga mbajtësi i diplomës etj.

4. Përmbajtja dhe forma e diplomës dhe e suplementit të diplomës përcaktohen nga senatet akademike, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

5. Individët, që kanë plotësuar detyrimet e një programi të formimit të vazhduar ose pjesë të një programi studimi pajisen me diplomat ose certifikatat përkatëse, që janë dokument zyrtar.

6. çdo formë diplome ose certifikate, përpara se të lëshohet nga institucioni i arsimit t¨ lartë, regjistrohet n¨ regjistrin shtetëror të diplomave dhe certifikatave për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, q¨ mbahet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

 

Neni 32

Viti akademik dhe organizimi i mësimdhënies

 

1. Studimet në institucionet publike të arsimit të lartë zhvillohen me bazë vitin akademik. Ministri i Arsimit dhe Shkencës shpall datën e fillimit të vitit akademik.

2. Viti akademik organizohet në semestra me së paku 20 orë mësimi leksione, seminare e laboratorë në javë.

3. Organizimi i mësimdhënies për programet e studimeve të formimit të vazhduar përcaktohen në statutin e institucionit të arsimit të lartë.

 

Neni 33

Pranimi në ciklin e parë të studimeve

 

1. çdo shtetas shqiptar që ka përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, ka të drejtë të kandidojë për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve në institucionet e arsimit të lartë.

2. Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për ciklin e parë të studimeve, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës formulon propozimin e saj pas konsultimit me institucionet publike të arsimit të lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

3. Kuotat e pranimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në institucionet publike të arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit përkatës.

4. Kuotat dhe kriteret e pranimit për ciklin e parë të studimeve për studentët e huaj në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë bëhen sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni. Në përcaktimin e kuotave respektohen marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe.

5. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të përcaktojnë kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere bëhen publikisht të njohura nga institucionet e arsimit të lartë të paktën një vit para fillimit të pranimeve t¨ radhës në institucion, së bashku me informacionin e nevojshëm mbi institucionin respektiv dhe programet që ofron. Kriteret e përgjithshme dhe procedurat e pranimit në ciklin e parë të studimeve përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

 

Neni 34

Pranimi në ciklin e dytë e në ciklin e tretë të studimeve

 

1. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ciklin e dytë të studimeve individë që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë, si dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv.

2. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve individë që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të dytë ose program studimi ekuivalent me të dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv.

3. Kriteret e pranimit për standardet akademike të përzgjedhjes së kandidatëve për t’u pranuar në programet e ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë të studimeve përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

4. Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës formulon propozimin e saj pas konsultimit me institucionet publike të arsimit të lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

5. Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet publike të arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrisë përkatëse.

 

Neni 35

Transferimet

 

1. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë mundësi për transferime të studentëve midis programeve të të njëjtit cikël, brenda të njëjtit institucion apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, si dhe për transferime nga programet e mëparshme në programe të studimeve të ciklit të parë.

2. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve, i takon strukturës mësimore që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në statutin dhe rregulloret e saj.

 

Neni 36

Ndjekja e një programi të dytë studimi

 

Individët që kanë përfunduar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer.

Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar në një program të dytë studimi.

 

Neni 37

Njohja e diplomave, certifikatave, gradave dhe titujve të huaj

 

1. Nëpërmjet procedurës së njohjes, një diplomë e huaj njësohet me një diplomë shqiptare nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin dhe e së drejtës për punësim. Kjo vlen dhe për njohjen e certifikatave, gradave ose titujve të huaj.

2. Institucioni përgjegjës për njohjen zyrtare në Republikën e Shqipërisë të diplomave ose certifikatave, t¨ lëshuara nga institucione të huaja të arsimit të lartë, është Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila e kryen këtë proces nëpërmjet njësisë përgjegjëse të njohjes së diplomave, që funksionon edhe si Qendra Kombëtare e Njohjes së Diplomave dhe e Informimit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka të drejtë të autorizojë institucionet e arsimit të lartë për kryerjen e këtij procesi për rastet e njësimit të diplomës nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin. Këto raste përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

3. Institucioni përgjegjës për njohjen zyrtare në Republikën e Shqipërisë të gradave ose titujve shkencorë, t¨ lëshuar nga institucione të huaja të arsimit të lartë, është Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë.

4. Procedurat dhe kriteret për njohjen e diplomave, certifikatave, gradave e titujve, t¨ lëshuar nga institucione të huaja të arsimit të lartë, përcaktohen me akt të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga vendi ynë për këtë qëllim.

 

Neni 38

Njohja dhe ekuivalentimi i diplomave dhe i periudhave të studimeve

 

1. Nëpërmjet ekuivalentimit, pjesë ose programe të plota studimi­ ose diploma të marra në institucione të tjera të vendit ose të huaja njihen dhe ekuivalentohen nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm.

2. Ekuivalentimi bëhet nga institucioni i arsimit të lartë, pranë të cilit është paraqitur kërkesa dhe dokumentacioni i nevojshëm.

3. Procedurat dhe kërkesat për ekuivalentim përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj dhe akte të tjera nënligjore.

 

 

KREU V
HAPJA, NDRYSHIMI OSE MBYLLJA E INSTITUCIONEVE PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË

 

Neni 39

Statuti dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë

 

1. Statuti i një institucioni publik të arsimit të lartë përmban normat që rregullojnë veprimtarinë e institucionit.

2. Statuti hartohet dhe ndryshohet në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij dhe miratohet nga senati akademik i institucionit me dy të tretat e votave të anëtarëve të tij. Statuti i dërgohet Ministrit të Arsimit dhe Shkencës që, brenda dy muajve, kryen kontrollin e ligjshmërisë së tij. Kur konstatohen shkelje të ligjshmërisë, Ministri i Arsimit dhe Shkencës ia kthen statutin për ripunim institucionit përkatës të arsimit të lartë. Kur Ministri i Arsimit dhe Shkencës nuk ka vërejtje për ligjshmërinë e statutit ose nuk shprehet brenda afatit të përcaktuar, rektori e shpall atë duke e konsideruar të miratuar. Ndryshimet në statut miratohen me të njëjtat procedura.

3. Institucionet e arsimit të lartë dhe njësitë e tyre përbërëse rregullojnë veprimtarinë e tyre mbështetur në rregulloret e tyre të brendshme, që hartohen nga vetë institucioni në përputhje me këtë ligj dhe statutin e institucionit. Rregulloret miratohen sipas mënyrës së përcaktuar në statutin e institucionit të arsimit të lartë.

4. Në statut, në përputhje me këtë ligj dhe aktin e hapjes së institucionit të arsimit të lartë, përcaktohen hollësisht organizimi i institucionit, veprimtaritë dhe puna e strukturave përbërëse të tij, e autoriteteve dhe organeve drejtuese, zgjedhja ose përzgjedhja e tyre, nivelet e delegimit të autoritetit nga organet drejtuese e administruese, periudhat e kryerjes së vlerësimit të brendshëm të strukturave ose programeve të studimit, detyrat dhe të drejtat e personelit akademik, joakademik ose të studentëve, si edhe detyra të tjera që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë.

 

Neni 40

Emri dhe stema e institucioneve të arsimit të lartë

 

çdo institucion i arsimit të lartë ka emrin zyrtar dhe stemën e tij, të cilat përcaktohen në aktin e hapjes së tyre. Institucioni i arsimit të lartë ka të drejtë të propozojë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ndryshime të emrit ose stemës së institucionit. Këto propozime bëhen nga titullari i institucionit, mbështetur në vendimin e senatit akademik.

 

Neni 41

Hapja, mbyllja dhe ndryshimi i një institucioni publik të arsimit të lartë

 

1. Hapja e një institucioni publik të arsimit të lartë, mbyllja e tij ose bashkimi me ndonjë institucion tjetër publik të arsimit të lartë, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

2. Hapja e një institucioni të ri publik të arsimit të lartë bëhet me plotësimin e standardeve akademike dhe të kushteve të tjera, të përcaktuara në këtë ligj apo akte të tjera nënligjore, të nevojshme për të siguruar cilësinë e programeve të planifikuara të studimeve, si dhe të veprimtarive të tjera të institucionit.

3. Mbyllja e një institucioni të arsimit të lartë apo bashkimi me ndonjë institucion tjetër të arsimit të lartë kërkon paraprakisht mendimin e senatit akademik ose senateve akademike të institucioneve të arsimit të lartë, të përfshira në veprimet respektive.

4. Standardet, kriteret dhe procedurat për hapjen, ndryshimin dhe mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë miratohen nga Këshilli i Ministrave, sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

 

5. Hapja e njësive kryesore të institucioneve t¨ arsimit të lartë bëhet mbi bazën e propozimit të këtyre institucioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, para se të marrë vendim sipas pikave 2, 3 dhe 5 të këtij neni, kërkon vlerësimin e Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë.

7. Për institucionet publike të arsimit të lartë, që nuk janë në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, këto të drejta i ushtrojnë ministritë përkatëse.

 

Neni 42

Hapja dhe mbyllja e programeve të studimeve të cikleve të arsimit të lartë publik

 

1. Hapja dhe mbyllja e programeve t¨ studimeve t¨ të gjitha cikleve të arsimit të lartë publik bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, mbështetur në kërkesat e institucioneve të arsimit të lartë.

2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, para se të marrë vendim, sipas pikës 1 të këtij neni, kërkon vlerësimin e programeve t¨ studimeve prej Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë.

 

 

KREU VI

ARSIMI I LARTË PRIVAT

 

Neni 43

Institucionet private të arsimit të lartë

 

1. Institucionet private të arsimit të lartë krijohen dhe funksionojnë sipas këtij ligji, përveç kur ligji flet specifikisht për institucionet publike të arsimit të lartë, si dhe akteve nënligjore të nxjerra në mënyrë specifike për to.

2. Një institucion privat i arsimit të lartë ka të drejtë të krijohet me kërkesë të një subjekti juridik, vendas ose të huaj. Subjekti juridik është përgjegjës për të gjithë veprimtarinë, administrimin dhe financimin e institucionit të hapur me kërkesën e tij.

3. Një institucion privat i arsimit të lartë fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Licencimi i tij bëhet kur ai plotëson standardet dhe kriteret shtetërore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

4. Modeli i licencës përcaktohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

 

Neni 44

Licencimi i një institucioni privat të arsimit të lartë

 

1. Subjekti që kërkon të hapë një institucion privat të arsimit të lartë, paraqet projektin e tij në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

2. Hapja dhe mbyllja e programeve të studimeve të të gjitha cikleve të arsimit të lartë privat bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, mbështetur në kërkesat e institucioneve të arsimit të lartë.

3. Ministri i Arsimit dhe Shkencës përcakton dokumentacionin që duhet të përmbajë projekti i paraqitur për dhënien e licencës dhe që ka të bëjë me misionin dhe objektivat afatgjatë të institucionit, programet e studimeve, skemën e financimit, si dhe afatet dhe procedurat për shqyrtimin e projekteve.

4. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shprehet me vendim të argumentuar për projektin e paraqitur. Para se të japë gjykimin e saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i kërkon Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë të paraqesë vlerësimin e saj për programet e studimit të paraqitura në projekt.

5. Një institucion privat, që zotëron një formë akreditimi nga një shtet tjetër, është i detyruar të paraqesë një certifikatë për këtë akreditim në këshillin e akreditimit, i cili bën vlerësimin e tij në përputhje me licencën e kërkuar, sipas dispozitave të këtij ligji.

 

6. Kur projekti për veprimtaritë, programet e studimeve, burimet materiale e financiare për hapjen e institucionit privat dhe statuti i institucionit janë në përputhje me këtë ligj dhe aktet e tjera nënligjore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës përcjell propozimin e saj në Këshillin e Ministrave për dhënien e licencës.

7. Ministria e Arsimit dhe Shkencës refuzon një projekt në këto raste:

a) Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë jep vlerësim negativ për të gjitha programet e studimeve;

b) institucioni i kërkuar i arsimit të lartë nuk provon se është në gjendje të ofrojë garancitë e nevojshme financiare dhe të infrastrukturës për veprimtaritë e kërkuara;

c) statuti i tij është në konflikt me aktet ligjore në fuqi;

ç) raste të tjera të argumentuara.

Në rastin e refuzimit të një projekti të paraqitur, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon aplikantin për vendimin dhe shkaqet e marrjes së tij.Vendimi mund të apelohet në gjykatë.

8. Licenca e dhënë bëhet e pavlefshme në rastet kur institucioni privat nuk fillon veprimtarinë mësimore-shkencore as në vitin akademik pasardhës.

9. Licenca për fillimin e veprimtarisë së një institucioni privat përmban edhe detyrimin, që në rastin kur ai institucion ndërpret veprimtarinë e tij, të ofrojë mjetet e nevojshme financiare dhe mundësitë për përfundimin e studimeve të filluara, për të gjithë studentët që janë të regjistruar në institucion.

10. Një institucion privat ndërpret veprimtarinë vetëm në fund të vitit të akademik.

 

Neni 45

Organizimi i studimeve në institucionet private të arsimit të lartë

 

1. Organizimi i programeve të studimit në institucionet private të arsimit të lartë bëhet sipas:

a) përshkrimeve të bëra në nenet 25, 26, 28, 29 dhe 30 të këtij ligji;

b) një modeli tjetër, kur ai ofrohet nga një institucion që jep diplomë të një institucioni të huaj ose të ngjashëm me të. Në këtë rast, ato duhet të shoqërohen edhe me vlerësimin në kredite, sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS), për të mundësuar njohjen e studimeve dhe transferimet e studentëve.

2. Një institucion privat i licencuar i arsimit të lartë, që ka organizim të programeve të studimit të ndryshëm nga ai i shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni, është i detyruar ta njoftojë këtë publikisht, para se të fillojë regjistrimin e studentëve.

3. Institucionet private të arsimit të lartë duhet të paraqesin çdo fillim viti akademik gjendjen financiare të institucionit, përbërjen e stafit akademik, si dhe tarifat e shkollimit për vitin në vazhdim, për secilin program studimi.

4. Për institucionet private të arsimit të lartë, të cilat nuk respektojnë këtë ligj, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, vendos masa konkrete deri në pezullimin e veprimtarisë së tyre për një periudhë deri në dy vjet (mospranim të studentëve të rinj) apo heqjen e licencës.

 

 

KREU VII

PERSONELI I INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

 

Neni 46

Personeli i institucioneve të arsimit të lartë

 

1. Personeli i institucioneve të arsimit të lartë përbëhet nga personeli akademik, personeli ndihmës mësimor-shkencor dhe personeli administrativ.

2. Detyrat dhe të drejtat e personelit të institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen në statutin e institucioneve përkatëse e në rregulloret e tyre, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

 

Neni 47

Personeli akademik dhe titujt akademikë

 

1. Personeli akademik kryen veprimtari të mësimdhënies, kërkim shkencor ose të aplikuar, shërbime për zhvillim të institucionit, konsultim dhe këshillim për studentët dhe detyra administrative. Raportet ndërmjet veprimtarive të ndryshme përcaktohen në rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë dhe janë pjesë e kontratave të punës mes palëve.

2. Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë, sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen, kategorizohet në: a) profesorë; b) docentë dhe c) lektorë.

a) Në kategorinë “Profesorë” janë anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë së kërkimit shkencor. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie kanë gradën shkencore “Doktor” dhe titujt akademikë: “Profesor i asociiuar”, “Profesor”, “Profesor emeritus” dhe “Akademik”.

b) Në kategorinë “Docentë” janë anëtarët e personelit akademik, që zhvillojnë kryesisht veprimtari mësimore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie kanë titullin akademik “Docent” ose gradën shkencore “Doktor”.

c) Në kategorinë “Lektorë” janë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Lektorët duhet të kenë diplomë “Master i Nivelit të Dytë” dhe të përmbushin kriteret që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

3. Ndarja në nivele, brenda secilës kategori, emërtimi dhe renditja e tyre, si dhe kritere më të hollësishme kualifikimi për secilin rast përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar edhe përshkrimit të vendit të punës.

4. Numri i përgjithshëm i personelit në çdo institucion publik të arsimit të lartë miratohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Struktura dhe organika e personelit të institucionit të arsimit të lartë për të gjitha nivelet miratohet nga titullari institucionit.

5. Niveli i pagave, sipas kategorive dhe vendeve të punës, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Titujt akademikë jepen nga institucione të arsimit të lartë, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë. Titulli “Profesor i asociiuar”, “Profesor emeritus” dhe “Docent” jepen nga institucionet e arsimit të lartë. Titulli “Profesor” jepet nga Këshilli i Vlerësimit të Titujve Akademikë.

Titulli “Akademik” jepet nga Akademia e Shkencave në përputhje me ligjin “Për Akademinë e Shkencave”.

Titulli “Docent” u jepet anëtarëve të personelit akademik që kanë gradën shkencore “Doktor”. Ai u jepet edhe anëtarëve të personelit akademik me diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, ose ekuivalent i saj në vende të tjera, të vlerësuar me rezultatin “shumë mirë” ose “shkëlqyer” dhe që kanë veprimtari mësimore-kërkimore në një institucion të arsimit të lartë prej së paku 5 vitesh, përjashtuar diplomat e ekuivalentuara, sipas paragrafit të tretë të nenit 89 të këtij ligji.

7. Kriteret dhe procedurat e dhënies së titujve akademikë “Docent”, “Profesor i asociiuar”, “Profesor” dhe “Profesor emeritus” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

 

Neni 48

Personeli akademik i ftuar

 

1. Për të plotësuar nevojat e procesit mësimor, këshillat e fakulteteve, me propozim të departamenteve, ftojnë për veprimtari mësimore e kërkimore personel akademik, sipas kërkesave të vendit të punës, për periudha semestrale ose njëvjeçare të përsëritshme.

2. Përzgjedhja e personelit akademik të ftuar duhet të kombinojë nevojën e njësisë për mësimdhënie ose kërkim shkencor me kualifikimet e tyre.

3. Kritere të detajuara për aktivizimin dhe përzgjedhjen e lektorëve të ftuar përcaktohen në rregulloret e njësisë përkatëse kryesore.

 

Neni 49

Personeli akademik me kontratë

 

1. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të punësojnë me kontratë personalitete, vendase ose të huaja, për periudha të shkurtra kohe. Ky personel punësohet me vendim të senatit akademik, sipas propozimeve të njësive kryesore të institucionit.

2. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të punësojnë, mbi bazën e një kontrate të përkohshme, edhe studentë në procesin e kryerjes së studimeve të doktoratës dhe të përgatitjes së disertacionit për gradën shkencore “Doktor”, të cilët mbështesin profesorët udhëheqës të disertacionit në procesin mësimor dhe gjatë kësaj periudhe trajtohen si “Lektor”.

3. Kriteret e punësimit, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, përcaktohen në statutin dhe rregulloret e institucionit, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore rregulluese.

4. Shpenzimet për personelin akademik të përcaktuar në nenet 48 dhe 49 përballohen nga të ardhurat e institucionit.

 

Neni 50

Punësimi në institucionet e arsimit të lartë

 

1. Kriteret për punësim në institucionet e arsimit të lartë, për çdo kategori të personelit akademik dhe administrativ, përcaktohen në statutet e institucioneve. Ky personel punësohet me kohë të plotë ose të pjesshme.

2. Kandidatët konkurrojnë në bazë të konkurseve publike. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen procedura transparente për përzgjedhjen e kandidatit fitues, që plotëson kërkesat e publikuara dhe i përgjigjet më mirë përshkrimit të vendit të punës.

3. Kandidatët fitues lidhin kontratë pune me autoritetin drejtues të institucionit të arsimit të lartë, mbështetur në këtë ligj dhe në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë. Kontrata duhet të përmbajë përshkrimin e vendit të punës dhe detyrimin e personelit akademik, sipas përshkrimeve të pikës 1 të nenit 47 të këtij ligji.

4. Mësimdhënia është detyrim, si rregull, me së paku 6 orë mësim në javë në auditor për të gjithë personelin akademik, të përcaktuar në nenin 47. Ngarkesa e plotë për personelin akademik në institucionet publike të arsimit të lartë përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

5. Personeli akademik me titullin “Profesor” shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur me kërkesën e tij lirohet nga detyra.

6. Personelit akademik i ndërpriten marrëdhëniet e punës kur nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në kontratë, shkel rregullat e etikës së jetës akademike, të statuteve dhe rregulloreve të institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me aktet ligjore në fuqi, si dhe dispozitave të këtij ligji.

 

Neni 51

 

Personeli akademik gëzon status të veçantë. Përveç sa parashikohet në këtë ligj, Këshilli i Ministrave rregullon me vendim të tij aspektet e trajtimit të veçantë dhe përfitimeve të tjera për personelin akademik.

 

Neni 52

Viti akademik sabatik

 

1. Personeli akademik me tituj i institucioneve të arsimit të lartë ka të drejtë që çdo 7 vjet, për periudha kohe deri në një vit, të punojë për përparimin e tij akademik, sipas kritereve të përcaktuara në statutin dhe rregulloret e institucionit.

2. Gjatë kësaj periudhe, personelit akademik nuk i ngarkohet detyrë mësimdhënieje. Personeli akademik mund të ndjekë gjatë këtij viti edhe kurse specializimi deri tremujore jashtë institucionit.

 

 

KREU VIII

STUDENTËT

 

Neni 53

Statusi i studentit

 

Një person fiton statusin e studentit me regjistrimin e tij në një institucion të arsimit të lartë dhe e humbet këtë status me marrjen e diplomës ose certifikatës përkatëse, si dhe në raste të ndryshme të çregjistrimit të tij.Të drejtat dhe detyrimet e studentëve përcaktohen në bazë të këtij ligji, si dhe në statutet e institucioneve të arsimit të lartë.

 

Neni 54

Të drejtat dhe detyrat e studentëve

 

1. Studentët kanë të drejtë:

a) të ndjekin leksione, seminare dhe të gjitha veprimtaritë e tjera mësimore, të organizuara në përputhje me statusin e tyre;

b) të përdorin mjedise në biblioteka, salla kompjuterash dhe shërbime të tjera që ofrohen për studentët nga institucioni;

c) të zgjedhin dhe të zgjidhen në organet e institucionit parashikuar për studentë, në përputhje me këtë ligj dhe statutin e institucionit;

ç) të shprehin opinionin e tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit akademik të institucionit.

2. Studentët kanë detyrë:

a) të zbatojnë rregullat e hartuara nga institucioni;

b) t’u kushtojnë vëmendjen e duhur studimeve dhe të marrin pjesë në veprimtaritë akademike;

c) të paguajnë tarifat e shkollimeve dhe të shërbimeve që u ofrojnë institucionet;

ç) të respektojnë kodin e etikës, të përcaktuar në statutet ose rregulloret e institucioneve respektive të arsimit të lartë;

d) të tregojnë vëmendjen e duhur ndaj të drejtave të personelit dhe të studentëve të tjerë etj.

3. Në statutin e institucionit përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera të studentëve në përputhje me këtë ligj.

 

Neni 55

Këshillat e studentëve

 

1. Këshillat e studentëve janë organizime të pavarura të studentëve nëpër institucionet e arsimit të lartë, të cilat nuk zhvillojnë veprimtari politike dhe ekonomike. Këta këshilla promovojnë pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinojnë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, në strukturat mësimore-kërkimore dhe të shërbimeve.

2. Këshillat e studentëve zgjidhen çdo vit nga votat e studentëve dhe mbështeten në legjislacionin në fuqi.

3. Këshillat e studentëve organizohen në nivel fakulteti (këshilli i studentëve të fakultetit), në nivel institucioni (këshilli i studentëve të institucionit) dhe në nivel kombëtar (Këshilli Kombëtar i Studentëve). Në organizimin e këshillave të studentëve në nivel kombëtar bëjnë pjesë edhe këshillat e studentëve të institucioneve private të arsimit të lartë, në rastet kur ato paraqesin interes për këto organizime.

4. Këshillat e studentëve nuk mund të organizohen me struktura të tjera politike e jopolitike, jashtë institucioneve përkatëse të arsimit të lartë. Modalitetet dhe procedurat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e tyre përcaktohen në statutet dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, mbështetur edhe në propozimet e paraqitura nga studentët.

 

5. Këshillat e studentëve shprehin mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të institucioneve të arsimit të lartë, si për planet dhe programet e studimeve, rregulloret për veprimtaritë mësimore, të drejtën për të studiuar, cilësinë e shërbimeve, përcaktimin e tarifave të shkollimit dhe kontributeve të tjera financiare për studentët, bilancet vjetore paraprake të shpenzimeve ose ndarjen e burimeve financiare, zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, sportive etj.

6. Institucionet e arsimit të lartë mbështesin këshillat e studentëve dhe financojnë veprimtari të tyre.

 

Neni 56

Karta e studentit

 

1. Studentët e institucioneve publike e private të arsimit të lartë pajisen me kartën e studentit, e cila është dokument unik. Me anë të saj studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.

2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit.

3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse që mbulon institucionin e arsimit të lartë.

4. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme.

 

Neni 57

Bursa për studime

 

1. Studentët e institucioneve publike të arsimit të lartë përfitojnë bursa si mbështetje ekonomike për studimet e tyre, si dhe stimuj materialë për rezultate të shkëlqyera.

2. Bursat, sipas pikës 1 të këtij neni, përballohen nga Buxheti i Shtetit dhe donacione të ligjshme. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret shtetërore dhe procedurat për përfitimin e bursave.

3. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në statutet e tyre kritere dhe procedura për shpërblime të studentëve, që përballohen nga vetë institucionet.

4. Me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave konsideron dhe raste të tjera për dhënie bursash, si dhe bursa për studentë të shkëlqyer dhe shkencëtarë.

 

Neni 58

Regjistri i studentëve

 

1. Një institucion i arsimit të lartë duhet të mbajë regjistër bazë të studentëve me të dhëna personale të tyre, vlerësimet e marra gjatë ndjekjes së programit të studimit, të dhëna mbi diplomën ose diplomat e marra bashkë me suplementin e diplomës etj., të formatuara këto sipas standardeve shtetërore.

2. Regjistri i studentëve plotësohet në formë të shkruar dhe elektronike dhe mbahet në ruajtje të përhershme.

3. çdo studenti, në regjistrimin fillestar në një institucion të arsimit të lartë, i jepet një numër unik matrikullimi, që e shoqëron deri në marrjen e diplomës ose certifikatës. Ministri i Arsimit dhe Shkencës përcakton rregullat për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit.

 

 

KREU IX

SIGURIMI I CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË, AKREDITIMI

 

Neni 59

Sigurimi i brendshëm i cilësisë

 

1. Institucionet e arsimit të lartë janë përgjegjëse për sigurimin e brendshëm të cilësisë dhe ngrenë njësinë përkatëse të sigurimit të brendshëm të cilësisë. Në to merr pjesë gjithmonë edhe një përfaqësues nga organizimet studentore të institucionit, si dhe një përfaqësues ekspert i jashtëm. Njësia vlerëson periodikisht efikasitetin e veprimtarive mësimore, kërkimore apo artistike, si dhe të veprimtarive administrative e financiare të institucionit. Njësia e sigurimit të brendshëm të cilësisë ka autonomi operative dhe akses në të gjitha të dhënat e institucionit.

2. Kriteret dhe procedurat për ngritjen dhe funksionimin e këtij sistemi hartohen nga institucionet e arsimit të lartë, në bashkëpunim me Agjencinë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe përcaktohen në statutet e institucioneve.

3. Institucionet e arsimit të lartë publikojnë rezultatet e vlerësimit që kryejnë.

 

Neni 60

Sigurimi i jashtëm i cilësisë

 

1. Sigurimi i jashtëm i cilësisë realizohet përmes proceseve të vlerësimit të jashtëm të cilësisë dhe akreditimit.

2. Vlerësimi i jashtëm i cilësisë kryhet nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë ose agjenci të tjera akreditimi, pjesë të Rrjetit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Këshilli i Ministrave miraton rregulloren për organizimin dhe veprimtarinë e këtyre agjencive.

3. Pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë funksionon këshilli i akreditimit. Këshilli i akreditimit është një organ kolegjial që rekomandon, bazuar në vlerësimin e jashtëm të cilësisë, akreditimin e programeve/institucioneve në arsimin e lartë publik dhe privat. Ai është i pavarur në punën e tij dhe bën publik vendimet e këshillit, duke shprehur edhe mendimet kundër. Në këshill përfaqësohen në mënyrë të balancuar institucionet e arsimit të lartë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, ekspertë të fushave, si dhe një student nga organizimet studentore. Ministri i Arsimit dhe Shkencës emëron anëtarët e këshillit të akreditimit nga kandidatët e propozuar nga palët e përfaqësuara. Kryetari i këshillit të akreditimit përzgjidhet nga kandidatët e propozuar nga këshilli i akreditimit dhe emërohet e shkarkohet nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Anëtarësia në këshillin e akreditimit është e papajtueshme me detyrën e rektorit, zëvendësrektorit dhe dekanit.

4. Mandati i anëtarëve të këshillit të akreditimit është 5 vjet.

5. Për të ndihmuar procesin e vlerësimit, vendimmarrjen dhe hartimin mbi baza profesionale të rekomandimeve të akreditimit, këshilli i akreditimit ngre edhe komisione të ekspertëve, sipas fushave kryesore të arsimit të lartë. Këto komisione kanë karakter të përkohshëm dhe përbëhen nga ekspertë vendas apo të huaj.

6. Funksionimi, fusha e veprimtarisë dhe kompetencat e tjera të institucioneve të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë përcaktohen me akte nënligjore të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

7. Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe Këshilli i Akreditimit të Arsimit të Lartë hartojnë një raport vjetor të veprimtarisë së tyre, i cili bëhet publik.

 

Neni 61

Vlerësimi i cilësisë

 

1. Vlerësimi dhe akreditimi mund të jenë në nivel institucional dhe programesh studimi.

2. Vlerësimi dhe akreditimi mbështeten në standardet shtetërore të cilësisë. Këto standarde përcaktohen me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Propozimi për standardet shtetërore të cilësisë bëhet nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, në bashkëpunim me Agjencinë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, mbështetur dhe në udhëzimet e Sigurimit të Cilësisë në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë.

 

Neni 62

Akreditimi

 

1. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, mbështetur në rekomandimet e këshillit të akreditimit, jep vendimin përfundimtar për akreditimin institucional dhe të programeve në arsimin e lartë publik dhe privat. Ai shprehet brenda një muaji, në të kundërt këshilli i akreditimit shpall vendimin e tij.

Për institucionet e arsimit të lartë, në varësi të Ministrisë së Brendshme, kjo procedurë kryhet nga ministri përgjegjës, mbështetur në rekomandimet e këshillit të akreditimit.

2. Vendimi për akreditimin mund të jetë pozitiv, negativ ose me kusht. Vendimi negativ bën që një institucion ose program të mos njihet zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë.

3. çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë.

4. çdo program/institucion i akredituar i nënshtrohet vlerësimit dhe akreditimit periodik. Vlerësimi dhe akreditimi periodik kryhet çdo 6 vjet.

5. Procedurat, kërkesat, kriteret dhe standardet për vlerësimin dhe akreditimin janë të njëjta si për institucionet publike të arsimit të lartë, ashtu dhe për ato private. Për institucionet e arsimit të lartë, që operojnë e ofrojnë diploma të përbashkëta me institucione të huaja të arsimit të lartë, si dhe për filiale të institucioneve të arsimit të lartë të huaja, që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, vlerësimi dhe akreditimi kryhen duke marrë parasysh edhe vlerësimin dhe akreditimin e tyre në vendin e origjinës.

6. Shpenzimet për vlerësimin e jashtëm të cilësisë përballohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë.

7. Rezultatet e vlerësimit të jashtëm dhe akreditimit bëhen publike.

 

 

KREU X

RAPORTET E SHTETIT ME INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË

 

Neni 63

Përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

 

1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës është përgjegjëse për realizimin e programit politik qeverisës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Ajo miraton planin strategjik dhe të gjitha dokumentet e tjera që kanë lidhje me politikën në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

2. Siguron dhe përgatit të gjithë bazën ligjore të nevojshme në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

3. I propozon Këshillit të Ministrave buxhetin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, sipas përcaktimeve në aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi. Ajo miraton modelin e financimit për secilin institucion publik të arsimit të lartë.

4. Ministria e Arsimit dhe Shkencës është përgjegjëse për sigurimin e cilësisë dhe respektimin e standardeve në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Ajo kontrollon zbatimin e ligjshmërisë dhe përdorimin e fondeve publike në institucionet publike të arsimit të lartë, në bazë të këtij ligji, si dhe zbatimin e ligjshmërisë në institucionet private të arsimit të lartë.

5. Gjatë ushtrimit të autoritetit të saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës respekton autonominë institucionale, akademike dhe financiare që institucionet e arsimit të lartë kanë në këtë ligj.

6. Ministria e Arsimit dhe Shkencës mban regjistrin e institucioneve t¨ arsimit t¨ lart¨ dhe të kërkimit shkencor, t¨ hartuar sipas nj¨ formati t¨ përcaktuar prej saj me akt nënligjor, si dhe regjistrin e programe të akredituara të studimeve.

 

Neni 64

Kontrolli i ligjshmërisë

 

1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës kryen periodikisht, të paktën një herë në tre vjet, kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë në institucionet publike ose private të arsimit të lartë dhe të paktën një herë në vit kontroll financiar në institucionet publike të arsimit të lartë.

2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka të drejtë të shfuqizojë çdo akt të nxjerrë nga autoritetet apo organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë kur këto akte vijnë në kundërshtim me këtë ligj.

3. Në raste flagrante ose shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga rektori i një institucioni të arsimit të lartë, Ministri i Arsimit dhe Shkencës urdhëron pezullimin e tij, duke ia dërguar atë për procedura të mëtejshme Presidentit të Republikës, i cili duhet të përgjigjet brenda një muaji. Ministri i Arsimit dhe Shkencës cakton njërin prej zëvendësrektorëve që do të zëvendësojë rektorin e pezulluar, deri në zgjedhjen e rektorit të ri, sipas këtij ligji. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, menjëherë pas dekretimit të shkarkimit, shpall zgjedhje të parakohshme.

4. Në raste flagrante ose shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga një autoritet drejtues i një njësie kryesore, rektori urdhëron pezullimin e atij autoriteti dhe i propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Rektori cakton njërin prej zëvendësve të autoritetit që do ta zëvendësojë autoritetin drejtues të pezulluar deri në zgjedhjen e autoritetit të ri, sipas këtij ligji. Rektori organizon zgjedhjet e parakohshme.

5. Në raste të ngjashme, dekani/drejtori urdhëron pezullimin e përgjegjësit të një njësie bazë dhe i propozon rektorit shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Dekani/drejtori cakton njërin prej përgjegjësve të grupeve kërkimore ose shkencore që do ta zëvendësojë autoritetin drejtues të pezulluar deri në zgjedhjen e autoritetit të ri, sipas këtij ligji. Dekani/drejtori organizon zgjedhjet e parakohshme.

6. Në rastet kur Ministria e Arsimit dhe Shkencës konstaton raste flagrante ose shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga një autoritet drejtues i një njësie kryesore ose bazë të një institucioni të arsimit të lartë, ministri i përcjell materialin organit të emërtesës për veprime të mëtejshme, sipas këtij ligji.

7. Ministri i Brendshëm ka të njëjtin autoritet mbi institucionet e arsimit të lartë që ka në varësi.

 

 

KREU XI

STRUKTURA NDËRMJETËSE NË ARSIMIN E LARTË

 

Neni 65

Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës

 

1. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës është organ këshillimor i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i Këshillit të Ministrave për politikat e zhvillimit në arsimin e lartë dhe shkencë.

2. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës formulon mendime dhe propozime për:

a) hartimin e strategjive e programeve kombëtare për arsimin e lartë e kërkimin shkencor, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore;

b) fushat parësore dhe programet e kërkimit shkencor e zhvillimit teknologjik;

c) projektbuxhetin e parashikuar për arsimin e lartë dhe shkencën dhe metodologjinë e shpërndarjes së tij;

ç) standardet për vlerësimin dhe akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë ose programeve të studimeve;

 

d) kriteret për dhënien e titujve dhe gradës shkencore, së bashku me Komisionin e Vlerësimit të Titujve Akademikë;

dh) zhvillimin e politikave të veçanta, të kërkuara nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe rrugët e financimit të tyre;

e) çdo problem tjetër që kërkohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës etj.

3. Veprimtaria e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës ushtrohet në përputhje me rregulloren, që miratohet nga Këshilli i Ministrave.

 

Neni 66

Përbërja dhe përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës

 

1. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës përbëhet nga 19 anëtarë si më poshtë: Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Kryetari i Konferencës së Rektorëve, 1 përfaqësues i caktuar nga Ministri i Financave dhe 15 anëtarë të tjerë, ekspertë të zgjedhur me konkurrim publik.

2. Anëtarët ekspertë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës përzgjidhen nga fusha të ndryshme të shkencës, me konkurrim publik, nga një komision përzgjedhjeje, i ngritur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, i përbërë nga një përfaqësues nga Kuvendi, një përfaqësues nga Këshilli i Ministrave, një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe një përfaqësues nga Konferenca e Rektorëve, të caktuar nga vetë këto institucione.

Komisioni i përzgjedhjes, pasi shqyrton plotësimin e kritereve profesionale, në përputhje me këtë ligj, rendit në një listë kandidatët, sipas pikëve të fituara. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe bëhen publike.

3. Përfaqësuesi i caktuar nga Ministri i Financave duhet të ketë kualifikim profesional të ngjashëm me përfaqësuesit ekspertë.

4. Këshilli i Ministrave cakton në detyrën e anëtarit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës 15 nga kandidatët e klasifikuar.

5. Këshillit i Arsimit të Lartë dhe Shkencës kryesohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.

6. Anëtarët ekspertë zgjidhen për një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

7. Pagesa e anëtarëve të këtij këshilli përcaktohet me akt nënligjor të Këshillit të Ministrave.

8. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës mbështetet me sekretariat teknik, që ndodhet pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Përbërja e sekretariatit, detyra dhe pagesa e tyre caktohen me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

 

Neni 67

Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë

 

1. Pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ngrihet dhe funksionon Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë.

2. Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë përbëhet nga 15 anëtarë. Ministri i Arsimit dhe Shkencës është Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë. 14 anëtarët e tjerë janë përfaqësues me titullin akademik ose profesor nga fusha të ndryshme të shkencës.

3. Emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë, detyrat dhe të drejtat, funksionimi dhe pagesa e tyre përcaktohen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave.

4. Sekretari i komisionit është punonjës i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

 

Neni 68

Konferenca e Rektorëve

 

1. Konferenca e Rektorëve është organ kolegjial i pavarur i autoriteteve drejtuese të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë.

2. Konferenca e Rektorëve, në respektim të plotë të autonomisë së institucioneve të veçanta të arsimit të lartë, kryen veprimtari të koordinimit dhe zhvillimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

3. Konferenca e Rektorëve shpreh opinione për probleme të zhvillimit të institucioneve të arsimit të lartë, si dhe për rastet e parashikuara në ligj. Ajo shpreh opinionin e saj në çdo rast kur e gjykon të nevojshme.

4. Konferenca e Rektorëve mban lidhje me shoqata homologe për nxitjen e shkëmbimeve universitare, që ndihmojnë përparimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

5. Konferenca e Rektorëve funksionon në bazë të statutit të miratuar prej dy të tretave të anëtarëve të saj.

 

 

KREU XII

KËRKIMI SHKENCOR DHE SHËRBIMET E INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

 

Neni 69

Kërkimi shkencor dhe zhvillimi në institucionet e arsimit të lartë

 

1. Institucionet e arsimit të lartë kryejnë kërkim shkencor bazë ose të aplikuar, studime dhe projekte për zhvillim, veprimtari të tjera krijuese në mënyrën e përcaktuar në statutin e institucionit të arsimit të lartë, sipas objektivave specifikë të institucionit në këto drejtime.

2. Veprimtaria e kërkimit dhe zhvillimit që kryhet në institucionet e arsimit të lartë, synon dhe në rritjen e cilësisë së arsimimit. Ajo u jep studentëve aftësi metodologjike për kërkim, jep mundësi të vazhdueshme në plotësimin e disiplinave mësimore me njohuri shkencore dhe praktike të avancuara, përmirëson kualifikimet e personelit akademik të institucioneve të arsimit të lartë, si dhe krijon mjete materiale për zhvillimin dhe punën në institucion etj.

3. Personeli akademik është i lirë të kryejë veprimtari kërkimi e zhvillimi për të tretë, por me kusht:

a) plotësimin e detyrimeve ndaj institucionit, sipas kontratës së punës;

b) plotësimin e detyrimeve të njësisë përbërëse të institucionit për kërkim shkencor, sipas pikës 1 të këtij neni.

Në mënyrë të detajuar, në statutin e institucionit përcaktohen kushtet për realizimin e veprimtarisë së kësaj pike të nenit.

 

Neni 70

Veprimtaritë kërkimore në institucionet e arsimit të lartë

 

1. Veprimtaritë e kërkimit dhe zhvillimit në institucionet e arsimit të lartë duhet të sigurojnë integrimin e kërkimit me mësimin.

2. Temat ose afatet e kërkimit, drejtimet dhe vëllimi i punëve përcaktohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Këto përcaktohen mbështetur në nevojat e zhvillimit të vendit, rëndësinë e kërkimit për arsimimin e studentëve, programet e bashkëpunimit shkencor, aftësimin e personelit akademik, si dhe burimet financiare në dispozicion.

3. Institucionet e arsimit të lartë kryejnë për të tretë edhe shërbime të ndryshme të kualifikuara, si ekspertiza, analiza, këshillime, monitorime, shërbime klinike, informacioni etj., që rregullohen në statutet dhe rregulloret e tyre. Këto veprimtari kryhen me financime të palëve të interesuara. Të ardhurat nga këto veprimtari shkojnë tërësisht në favor të institucionit. Kur të ardhurat sigurohen nga veprimtari kërkimore, studimore dhe krijuese të personelit akademik të institucionit, një pjesë e tyre mund të përdoren edhe për shpërblimin dhe motivimin e personelit pjesëmarrës në këtë veprimtari, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

4. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të hartojnë programe dhe projekte kërkimore të bashkëpunimit me institucione të tjera, publike ose private, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me shoqata, fondacione etj.

 

5. Këto institucione bëjnë një raport vjetor për veprimtarinë kërkimore-shkencore ose krijuese të çdo lloji.

 

Neni 71

Planifikimi i veprimtarive kërkimore

 

1. Veprimtaritë kërkimore bëhen mbi bazën e planeve, programeve dhe projekteve të miratuara, sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj ose akte të tjera.

 

2. Performanca e punës kërkimore e të gjitha llojeve e niveleve vlerësohet nga organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë.

3. Programet e studimeve të ciklit të tretë dhe, në masë më të vogël, programet e studimeve të ciklit të dytë konsiderohen punë kërkimore dhe i nënshtrohen gjithashtu planifikimit.

 

 

KREU XIII

PRONAT DHE FINANCIMI I INSTITUCIONEVE PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË

 

Neni 72

Parime të përgjithshme të politikës shtetërore për financimin e institucioneve publike të arsimit të lartë

 

1. Institucionet publike të arsimit të lartë funksionojnë sipas parimit të autonomisë financiare.

2. Të ardhurat e krijuara nga institucionet e arsimit të lartë përdoren tërësisht prej tyre dhe pjesa e papërdorur e tyre mbartet në vitin pasardhës.

3. Transfertat e pakushtëzuara, që Buxheti i Shtetit akordon në vitin buxhetor pasardhës për institucionet e arsimit të lartë, do të përcaktohen duke marrë në konsideratë edhe pjesën e këtyre transfertave që do të mbarten nga viti paraardhës.

4. Shpërndarja e burimeve financiare dhe përdorimi i tyre bëhen në përputhje me rregullat dhe standardet e programimit buxhetor dhe menaxhimin financiar publik.

5. Në përdorimin e burimeve financiare përparësi kanë të ardhurat e veta, të cilat do të shpenzohen në përputhje me procedurat e buxhetit afatmesëm.

6. Të gjitha transaksionet e arkëtimeve, përfshirë dhe të ardhurat e veta, si dhe ato të pagesave të institucioneve publike të arsimit të lartë kryhen nëpërmjet sistemit të thesarit, duke respektuar të gjitha rregullat e kontrollit financiar, të përcaktuara sipas kuadrit ligjor në fuqi.

7. Këshilli i Ministrave, përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe opinioni publik kanë të drejtë të kërkojnë transparencë të plotë për përdorimin e këtyre të ardhurave, si dhe financimeve nga Buxheti i Shtetit. Ky informacion do të përfshihet në raportin vjetor të çdo institucioni, që i dërgohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe bëhet publik.

 

Neni 73

Burimet e financimit të institucioneve publike të arsimit të lartë

 

1. Institucionet publike të arsimit të lartë financohen nga:

a) transferta nga Buxheti i Shtetit;

b) të ardhura të krijuara nga institucionet publike të arsimit të lartë;

c) burime të tjera me destinacion.

2. Këshilli i Ministrave, përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, u jep institucioneve publike të arsimit të lartë fonde për përmbushjen e misionit të tyre sipas standardeve.

3. Institucionet publike të arsimit të lartë bëjnë rregulloret e tyre mbi mënyrën e përdorimit të fondeve të krijuara nga të ardhurat (pika 1 shkronja “b” e këtij neni), duke respektuar rregullat financiare të përcaktuara nga ligjet e shtetit.

Neni 74

Të ardhurat e institucioneve publike të arsimit të lartë

 

1. Në të ardhurat e institucioneve publike të arsimit të lartë përfshihen:

a) tarifat e studimeve, të cilat janë të diferencuara sipas cikleve, formave të studimeve etj.;

b) të ardhura nga organizimi i trajnimeve ose kualifikimeve për të tretë, sipas marrëveshjeve të lidhura;

c) të ardhura nga shërbimet që realizohen nga institucionet publike të arsimit të lartë, që veprojnë në fushën e artit, kulturës dhe sportit;

ç) të ardhura nga kryerja e punimeve kërkimore të porositura dhe shërbimeve të tjera të specializuara;

d) të ardhura që krijohen nga dhënia e aktiveve në përdorim të palëve të treta në trajtën e kontratave të qiradhënies dhe me forma të tjera kontraktimi;

dh) dhuratat, trashëgimitë dhe donacionet publike;

e) financimet e pakthyeshme, të marra nga burime të huaja në kuadrin e projekteve dy e shumëpalëshe;

ë) financime të tjera të ligjshme, të marra nga burime të ndryshme.

2. Të ardhurat e krijuara sipas pikës 1 të këtij neni derdhen 100 për qind në llogarinë e institucionit dhe përdoren nga vetë ai, sipas rregullave të përcaktuara.

 

Neni 75

Tarifat

 

1. Tarifat e studimeve përfshijnë tarifën e regjistrimit dhe tarifën e shkollimit.

2. Tarifat e regjistrimit për të gjitha programet e studimeve propozohen nga institucionet publike të arsimit të lartë përkatës dhe miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.

3. Tarifa e shkollimit për ciklin e parë për sistemin e studimeve me kohë të plotë, ciklin e dytë dhe ciklin e tretë të studimeve vendoset nga Këshilli i Ministrave, mbështetur në propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kjo e fundit merr edhe mendimin e Konferencës së Rektorëve dhe Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

4. Tarifat e shkollimit për ciklin parë për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme dhe në distancë propozohen nga institucionet publike të arsimit të lartë përkatës. Kjo tarifë caktohet me urdhër të përbashkët të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrit të Financave.

5. Tarifa e shkollimit në çdo rast nuk mund të kalojë vlerën e kostos së studimeve.

6. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës.

 

Neni 76

Financimi nga Buxheti i Shtetit

 

1. Transferta nga Buxheti i Shtetit për institucionet publike të arsimit të lartë jepen në formë granti, që përdoret sipas këtyre kategorive:

a) transferta e pakushtëzuar;

b) transferta me konkurrim për investime.

2. Transferta e pakushtëzuar përdoret për financimin e shpenzimeve që lidhen me funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe për financimin e investimeve me karakter të vazhdueshëm.

Transferta me konkurrim për investime përdoret për financimin e investimeve me karakter ndërtimi dhe projekte të tjera të mëdha, sipas klasifikimit në procedurat për menaxhimin e investimeve publike dhe për kërkim shkencor.

 

Neni 77

Shpërndarja e financimit nga Buxheti i Shtetit

 

1. Shpërndarja e transfertës së pakushtëzuar bazohet në një formulë që garanton barazi, drejtësi dhe transparencë. Kriteret dhe komponentët e formulës përcaktohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në konsultim me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe miratohen në ligjin vjetor të Buxhetit të Shtetit.

2. Shpërndarja e grantit konkurrues për investime bëhet mbi bazën e projekteve që paraqiten nga institucionet e arsimit të lartë, sipas kritereve të përcaktuara në ligjin vjetor të buxhetit.

3. Struktura e hartimit të buxhetit për çdo institucion publik të arsimit të lartë bëhet sipas strukturës së Buxhetit të Shtetit, të përcaktuar me udhëzim të Ministrit të Financave.

 

Neni 78

Hartimi i buxhetit të institucioneve publike të arsimit të lartë

 

Projektbuxheti i një institucioni publik të arsimit të lartë hartohet nga rektorati, duke u mbështetur në programin buxhetor afatmesëm 3-vjeçar dhe në propozimet e ardhura nga strukturat përbërëse të institucioneve, si dhe miratohet nga senati akademik, pasi miratohet prej këshillit të administrimit. Hartimi i buxhetit bëhet në përputhje me standardet e vendosura nga Ministria e Financave. Projektbuxheti i përcillet Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, i cili brenda 30 ditëve ushtron kontrollin që i takon sipas ligjit në formën e kërkesës së motivuar për rishikim.

Institucionet publike të arsimit të lartë kanë të drejtë të detajojnë dhe të miratojnë buxhetin e tyre vjetor sipas rektoratit, fakulteteve, departamenteve, qendrave kërkimore dhe njësive të tjera të njëvlershme me to, sipas statutit dhe rregulloreve të tyre. Të gjitha këto njësi janë autonome në administrimin e buxhetit të tyre, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

 

Neni 79

Rregullat e administrimit dhe raportimit financiar

 

Rregullat e administrimit financiar të institucioneve publike të arsimit të lartë janë të njëjta me ato të institucioneve të tjera publike.

 

Neni 80

Auditimi i jashtëm

 

1. Institucionet e arsimit të lartë i nënshtrohen auditit financiar, që realizohet nga institucionet e parashikuara me ligj për këtë qëllim.

2. Në këtë proces, institucionet shtetërore të auditit financiar kanë të drejtë të angazhojnë edhe institucione të specializuara nga sektori privat.

3. Rezultatet e auditit financiar bëhen publike.

 

Neni 81

Kontrolli dhe auditimi i brendshëm

 

1. Kontrolli dhe auditimi i brendshëm në institucionet publike të arsimit të lartë dhe njësitë përbërëse të tyre realizohet nga njësitë e auditit të brendshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe institucioneve të arsimit të lartë. Krijimi dhe funksionimi i njësive të auditit të brendshëm bëhet sipas kërkesave të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

2. Rezultatet e kontrollit dhe auditit bëhen publike.

 

 

Neni 82

Pronat e paluajtshme të institucioneve publike të arsimit të lartë

 

1. Pronat e paluajtshme publike, të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë, kalojnë në administrim të institucioneve publike të arsimit të lartë me vendim të Këshillit të Ministrave dhe propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

2. Institucionet publike të arsimit të lartë mirëmbajnë dhe përdorin për interesa të institucionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, pronat e paluajtshme publike që u janë lënë në administrim. Ato hipotekohen në pronësi të shtetit për përdorim nga universitetet.

 

 

KREU XIV

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 83

 

Institucionet publike të arsimit të lartë, të cilat janë krijuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të riorganizojnë strukturimin e brendshëm të tyre dhe programet e studimit, sipas këtij ligji, brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij.

 

Neni 84

 

Kërkesat për hapjen e një institucioni privat të arsimit të lartë, të paraqitura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, shqyrtohen sipas standardeve, procedurave dhe afateve të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet që dalin në zbatim të tij.

 

Neni 85

 

Institucionet private të arsimit të lartë duhet të riorganizohen, sipas këtij ligji, brenda tre vjetëve nga hyrja në fuqi e tij. Ministri i Arsimit dhe Shkencës nxjerr udhëzime shpjeguese për ristrukturimin e institucioneve të arsimit të lartë privat.

 

Neni 86

 

Zgjedhjet e para për këshillat e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, si dhe organizimi i tyre deri në nivel kombëtar do të kryhen në përfundim të mandatit të organizimeve ekzistuese, sipas ligjit të vjetër.

 

Neni 87

 

Institucionet e arsimit të lartë në vend duhet të hartojnë dhe të miratojnë statutet dhe rregulloret e tyre, në përputhje me këtë ligj, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij.

 

Neni 88

 

Studentët e regjistruar në një program studimi, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë studimet e tyre me të njëjtin program studimi për kohëzgjatjen normale të tij. Studentët mbetës do të marrin një diplomë në varësi të afateve të studimeve të tyre dhe kurrikulës.

Studimet pasuniversitare në institucionet e arsimit të lartë do të vazhdojnë deri në përfundimin e studentëve të regjistruar para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Neni 89

 

Diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur 3 vite (6 semestra), deri në përshtatjen e studimeve sipas sistemit të Bolonjës, janë ekuivalente me diplomat e nivelit të parë.

Diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike (8 semestra), deri në përshtatjen e studimeve sipas sistemit të Bolonjës, janë ekuivalente me diplomat e integruara të nivelit të dytë.

Diplomat e fituara në studimet në kuadër të “Shkollës pasuniversitare të studimeve të thelluara” janë ekuivalente me diplomat “Master i Nivelit të Dytë”.

 

Neni 90

 

Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë duhet që, brenda 3 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të jetë bërë pjesë e Regjistrit Europian të Agjencive të Akreditimit të Arsimit të Lartë. Këshilli i akreditimit riorganizohet, sipas këtij ligji, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e tij.

 

Neni 91

 

Institucionet e arsimit të lartë, të cilat janë krijuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe akreditimit, sipas këtij ligji, brenda tre vjetëve nga hyrja në fuqi e tij. Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të bëjë publike të gjitha institucionet e akredituara, publike dhe private, të arsimit të lartë.

 

Neni 92

 

Institucionet e arsimit të lartë, në përputhshmëri me rezultatin e akreditimit të tyre, riorganizojnë strukturimin e institucionit dhe ciklet e studimit sipas këtij ligji.

 

Neni 93

 

Personeli akademik i punësuar në institucionet e arsimit të lartë, i cili nuk ka shkallën e kërkuar të kualifikimit sipas vendit të punës, duhet që brenda pesë vjetëve nga hyrja në fuqi e tij të kryejë kualifikimet e kërkuara ose të largohet nga vendi i punës. Personeli akademik i institucioneve publike të arsimit të lartë riorganizohet, sipas këtij ligji, me fillimin e vitit të ri akademik të parë.

 

Neni 94

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës shpall menjëherë, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese të institucionit. Zgjedhjet do të bëhen sipas procedurave të këtij ligji dhe rregullores së zgjedhjeve. Rregullorja për zgjedhjet e para për autoritete dhe organe drejtuese përgatitet, sipas këtij ligji, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në konsultim me Konferencën e Rektorëve. Institucionet publike të arsimit të lartë përgatisin bazën ligjore të nevojshme për organizimin e këtyre zgjedhjeve të para.

 

Neni 95

 

Financimi i institucioneve publike të arsimit të lartë do të fillojë të aplikohet, sipas këtij ligji, por në mënyrë të shkallëzuar, që nga viti buxhetor 2008. Transferta buxhetore në nivel agregat për vitin 2008 do të jetë jo më pak se niveli i vitit paraardhës. Deri në përfshirjen e këtyre institucioneve në këtë skemë financimi për to, do të veprojë financimi sipas mënyrës së përcaktuar në ligjin nr. 8461, datë 25.2.1999 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Neni 96

 

Zbatimi i skemës së financimit, sipas këtij ligji, në mënyrë të shkallëzuar për institucionet publike të arsimit të lartë vendoset nga Ministri i Financave me propozimin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

 

Neni 97

 

Këshilli i Vlerësimit të Titujve Akademikë organizohet, sipas këtij ligji, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Mandati i anëtarëve ekzistues të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës mbaron me afatet e parashikuara në ligjin nr. 8461, datë 25.2.1999 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Neni 98

 

Aktet nënligjore të miratuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk vijnë në kundërshtim me të do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.

Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës të përgatitin të gjitha aktet nënligjore për vënien në zbatim të këtij ligji.

 

Neni 99

 

Institucionet publike të arsimit të lartë, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, do të funksionojnë sipas një ligji të veçantë. Deri në miratimin e tij, këto institucione do të zbatojnë dispozitat përkatëse të ligjit nr. 8461, datë 25.2.1999 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Neni 100

 

Ligji nr.8461, datë 25.2.1999 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përveç dispozitave për funksionimin e institucioneve publike të arsimit të lartë, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas nenit 99 të këtij ligji, si dhe çdo dispozitë tjetër që lidhet me arsimin e lartë e që vjen në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.

 

Neni 101

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.5352, datë 11.6.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu