“Gjuha e kombeve n’gjuhë shqipe”, bëri bashkë sot në ambientet e Bibliotekës Universitare Shkencore “Luigj Gurakuqi”, profesorët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, dekanen e fakultetit prof. as. dr. Edlira Bushati, pedagogen e nderuar, prof. as. dr. Alma Hafizi dhe Dr. Arben Bushgjokaj, profesorin që gjuhën e vet e përkthen në gjuhën e tjetrit, atë angleze. Në këtë takim morën pjesë dhe studentë të departamentit të gjuhëve gjermane, të romanistikës dhe gjuhës angleze që lexuan pjesë nga përkthimet e profesorëve të tyre.
Aktivitetit pati qëllim të vinte në dukje punën e mundimshme të përkthyesit, besimin që lexuesi ka në mesazhet që përkthyesi sjell në gjuhën e tij apo dërgon në gjuhën e tjetrit. E ideuar nga përgjegjësja e sektorit të përpunimit bibliografik pranë bibliotekës dr. Ermira Ymeraj, aktiviteti solli për pjesëmarrësit, punën kolosale të mjeshtërve të përkthimit në faqet e revistës “Hylli i Dritës”. Emrat e mbi 40 përkthyesve shqiptarë (Fishta, F. Alkaj, V. Prennushi, P. Gjeçi, E. Koliqi etj.,) në këtë revistë, sollën mbi 61 libra dhe artikuj të përkthyer, letërsinë në periudha të ndryshme letrare, studime në fushën e arsimit, gjuhës, dokumente historike, filozofi, psikologji e shkenca të tjera, duke e edukuar lexuesin e kohës e njëkohësisht, duke rritur cilësinë e jetës të shqiptarit të fillimshekullit XX.
Takim i gjuhëve përmes përkthimit, shpalosi për pjesëmarrësit një dimension tjetër të stafit akademik, që përveç përcjellës të dijes, ato ngultazi vazhdojnë të kontribuojnë për pasurinë e kulturës shqiptare, duke përkthye nga gjuha gjermane, prof. Edlira Bushati, nga gjuha italiane prof. Alma Hafizi, dhe nga shqipja në anglisht dhe nga anglishtja në shqip prof. Arben Bushgjokaj.
Dita botërore e librit, në Bibliotekë u mbyll pas dy javëve të çdoditshme me aktivitete, për t’i lënë vendin takimeve të tjera të frytshme dhe të domosdoshme për vetë rolin që libri ka për lexuesin.