Me rastin e festës kombëtare të Austrisë, ditën e enjte 23 tetor 2014, në orën 17.00, në sallën “Walter Höflechner” të Bibliotekës Universitare u zhvillua aktiviteti kulturor “Austria lexon”. Ky takim letrar, i organizuar nga Biblioteka Austriake në USH në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, këtë vit ishte menduar të bëhëj me shkrimtarin e mirënjohur austriak Erich Hackl.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtuesja e Bibliotekës austriake Ma.Oriona Zylja. E përshëndetën aktivitetin konsullja austriake Sonja Harreiter; drejtuesja e shkollës “Peter Mahringer” Mag. Gerlinde Tagini; këshilltari i Ministrisë së Arsimit dhe të Grave në Austri Mag.Norbert Habelt si dhe përfaqësuesja e Konsullatës Austriake të Nderit në Shkodër Jona Leqejza.
Fjalën e radhës e mori Manfred Tagini, i cili bëri prezantimin e disa librave të botuar nga shkolla austriake “Peter Mahringer“. Aktiviteti vijoi me disa pjesë muzikore nga kompozitorë austriakë, të luajtur nga instrumentistët shkodranë Anton Kaftalli (violinë), Vjola Bajraktari (violinë), Ergys Buraniqi (violinçel) dhe Suel Shtalbi (violë). Më pas, moderatorja e këtij aktiviteti, z. Zylja, bëri një prezantim më të gjerë të shkrimtarit Hackl dhe të veprimtarisë së tij letrare e jo vetëm.
Dy ishin veprat me të cilat Erich Hackl vendosi të paraqitet para auditorit: “Lamtumirë Sidoni” (“Abschied von Sidonie”) dhe “Me shikim të parë” (“Entwurf einer Liebe auf dem ersten Blick”). Autori lexoi disa paragrafë dhe foli në trajtë bashkëbisedimi rreth subjekteve të këtyre librave.
Aktiviteti u mbyll me pyetje nga auditori dhe në fund me një coctail.Austria lexon 2014