Ditën e shtune, në orën 11.00, në sallën “Walter Höflechner” të Bibliotekës Universitare, u zhvillua një takim me shkrimtarë dhe studiues nga Kosova.
Të ftuar në këtë takim ishin: Ragip Sylja, Gezim Aliu, Ardian Haxhaj, Donika Dabishevci, Arian Krasniqi dhe Adil Olluri.
Të pranishëm ishin pedagogë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkoder z. Skender Temali, si dhe lexues e dashamirës të letërsisë.
Fjalën e hapjes e mbajti punonjësja e Bibliotekës Universitare znjsh. Arjeta Ferlushkaj, e cila përshëndeti këtë takim dhe theksoi se “dyert e Bibliotekës Universitare janë gjithmonë të hapura në promovimin e vlerave kulturore të krijuesve nga Kosova”.
Fjalën e radhës e mori kryetari i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, z. Adrian Haxhaj, i cili bëri përshëndetjet e rastit dhe shprehu domosdoshmërinë që të tillë takime të bëhen sa më shpesh. Z. Haxhaj, më pas prezantoi qëllimin e këtij takimi: promovimi i librave më të fundit nga anëtarët e Klubit si dhe informimi më nga afër me botimet letrare nga krijuesit Shkodranë e më gjerë.
Ndërsa shkrimtari Gëzim Aliu, u shpreh: “Shpresojmë që faza pasuese të mundësojë edhe realizimin e projekteve të përbashkëta me klubet apo shoqatat letrare të qyteteve të cilat po i vizitojmë. Pra, jo të mbesin vetëm për bashkëbisedime letrare por të përparojmë në realizime projektesh, që do të lidhnin më shumë shkrimtarët me lexuesit”.

AUTORËT
Ragip Sylja: Ka punuar gazetar në gazetën e studentëve “Bota e re”, më pas si mësimdhënës në vendlindje e në Suharekë, më pas gazetar në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës. Aktualisht është zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Me shkrime merret që nga bankat e gjimnazit, kurse në periodikun letrar u paraqit në fund të viteve shtatëdhjetë. Ragip Sylaj shkruan poezi, prozë, dramë, ese dhe kritikë letrare.

Ka botuar këto vepra letrare: Hije e gjallë (poezi), “Rilindja”, Prishtinë, 1986; Anatomia e rrënjës (poezi), “Rilindja”, Prishtinë, 1989; Obsesioni (tregime), “Rilindja”, Prishtinë, 1992; Lisi i shenjtë (poezi), “Fjala”, Prishtinë, 1993; Përhitja (tregime), “Plejada”, Prishtinë, 1996; Mëngjes qumështor me akull (poezi), “Rozafa”, Prishtinë, 2000; Humbella e fërgëllisë (tregime), “Rilindja”, Prishtinë, 2001; S’kam kohë të jetoj me vdekjen (tregime), “Rozafa”, Prishtinë, 2004; Eliksir (poezi), “Rozafa”, Prishtinë, 2007; Estetika e misterit (ese), Suharekë, 2008; Hija e shtëpisë (tregime), “Rozafa”, Prishtinë, 2008; Ma jep dorën (vjersha për fëmijë), “Rozafa”, Prishtinë, 2010; Dy drama (drama), “Rozafa”, Prishtinë, 2012; Hiri i fjalës (poezi), Klubi Letrar “De Rada”, Ferizaj, 2014.

Gëzim Aliu: është prozator, studiues i letërsisë, kritik letrar. Përgjatë viteve 1999-2007 ka punuar mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe letërsisë, pastaj gazetar dhe redaktor në revistën “Albanica” (2007-2010), kurse nga viti 2011 është punonjës shkencor në Institutin Albanologjik, Prishtinë. Gjatë viteve 2010-2012 ka qenë redaktor përgjegjës në revistën letrare “Jeta e Re”. Ka numër të konsiderueshëm pjesëmarrjesh në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për albanologjinë dhe ka të botuar numër të madh tekstesh letrare, studimore, publicistike dhe eseistike në gazeta e revista të ndryshme. Merret edhe me përkthime nga disa gjuhë të huaja. Ka botuar librin studimor “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë“ (2007), romanin “Në Klubin e të shëmtuarve“, i cili është shpërblyer me Çmimin Kombëtar si romani më i mirë i vitit 2009 nga Ministria e Kulturës e Kosovës, përmbledhjen me tregime “Libri i fundit“ (2012) dhe romanin “Katedralja pa kryq” (2014). Është bashkëthemelues i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës dhe është anëtar i PEN Qendrës së Kosovës. Ka marrë pjesë në programin “Writer in Residence 2012“ të KulturKontakt-it, në Vjenë.
Ardian Haxhaj: shkrimtar dhe skenarist. Shkruan romane, skenarë për filma artistikë të metrazhit të gjatë dhe skenarë për seriale televizive. Gjithashtu, Ardian Haxhaj shkruan studime dhe ese për çështje të ndryshme të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Ka botuar këto libra: Vdekja ulërin në sytë e mi, poezi, botoi Klubi Letrar “Vorea Ujko”, Klinë, 1994; Fundi i një misioni, roman, botoi “Buzuku”, Prishtinë 2006, që në konkursin kombëtar të SHB “Buzuku” e mori çmimin e dytë për “Romanin më të Mirë të Shkruar në Shqip” në vitin 2006; Kryekronika e Fushës së Kosovës, roman, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2008; Kujtimet e një çifuti, roman, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2010, që në konkursin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës e ka fituar çmimin për “Romanin më të Mirë të Vitit 2010”; Dështimi i Madh, roman, botoi “Multimedia”, Prishtinë, 2013.

Donika Dabishevci: Që nga mosha e re ka filluar të punojë si gazetare në disa prej revistave e gazetave ditore në Kosovë; ndërsa prej vitit 2012 është redaktore në Radio Televizionin e Kosovës. Poashtu, në Departamentin Media dhe Komunikim në Universitetin për Biznes dhe Teknologji ligjëron disa lëndë. Fakultetin dhe Masterin në Letësi Shqipe i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 doktoroi në Universitet të Tiranës, po ashtu në Departament të Letërsisë me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”. Ka botuar dy libra me poezi: ‘Krizantema të plasura’ (1996) dhe “Imazhe të brishta” (2004), dhe monografinë “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015). Me punimet e saja ka marrë pjesë në dhjetëra seminare e konferenca të fushës së albanologjisë dhe gazetarisë.
Arian Krasniqi: Është i autor i disa dramave dhe skenarëve për filma metrazhesh dhe zhanresh të ndryshme. Dramat e tij: “Gruaja në kornizë”, “Turni i natës”, “Gogoli”, “Gjashtë” “Bora e Kuqe”, “Kumbulla amerikane”etj., janë inskenuar në teatrot e Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës.
Me shfaqjen “Gjashtë” ka prezantuar Teatrin Kombëtar në Festivalin e Teatrove Eksperimentale në Kajro të Egjiptit (2005). Kjo dramë është realizuar si lexim skenik në  Festivalin “NEAT 11” në Nottingham  të Anglisë, (maj 2011). Ndërsa, me filmin e shkurtë “BUS” është prezantuar në Festivalin Evropian të Filmit të Shkurtë në Karlsruhe të Gjermanisë (2005). Është fitues i dyfishtë i Çmimit për Skenarin më të Mirë në Festivalin e Filmit “NineEleven” (Edicionet 2005, 2006) me filmat e shkurtë “Green Card” dhe “SAKICA”. Skenari i metrazhit të shkurtë “SHNETA” është mbështetur për realizim nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është dhënë premierë në Festivalin PriFilmFest (2009). Ka shkruar skenarin prej 24 pjesësh të radio-komedisë “Heronjtë e natës” realizuar dhe transmetuar në Radio-Kosovë (2011). Është autor i skenarit të serialit “Andrrat” që është transmetuar në platformën “Kujtesa” 2012.
Në vitin 2013, skenari i tij për film të gjatë, “Histori maje kulmi” është përzgjedhur për t’u mbështetur për realizim nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Është bashkëskenarist në serialin televiziv “Stinë dashurie” (RTK, 2014). Është autor i monografisë “ODA artistike” (2013). Është autor i dy librave me drama: “Dy drama” (Faik Konica, 2009) dhe “Drama”, (Pomo, 2014). Është njëri ndër themeluesit dhe menaxher i Revistës për Teatër dhe Dramë “LOJA”. Është njëri prej themeluesve të Festivalit Ndërkombëtar për Film dhe Teatër “Skena Up”Shkruan kritikë teatrore dhe filmike në shtypin ditor dhe atë periodik.
Në periudhën shtator 2008 – gusht 2009 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Është ligjërues i lëndës “Dramaturgji” në Fakultetin e Arteve në UP dhe i lëndës   “Hyrje në skenar” në Akademinë “Evolucion” në Prishtinë.

Adil Olluri: Ai shkruan prozë, kritikë letrare dhe shkrime të ndryshme për fenomene kulturore. Që nga viti 2010 është redaktor i revistës letrare “Jeta e re”, medium kulturor me traditë gjashtëdhjetë e katër vjeçare. Ai, po ashtu, është njëri nga themeluesit e Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe anëtar i PEN Qendrës. Deri më tash ka botuar këto vepra: “Trilogjia postmoderne” (monografi, 2011); Romani postmodern shqiptar (monografi, 2011); “Shumë rrugë dhe një rënie” (tregime, 2013).
Libri i dytë studimor “Romani postmodern shqiptar” është shpërblyer me Çmimin Vjetor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për “Veprën më të mirë në fushën e kritikës letrare, të botuar brenda vitit 2011”. Ndërsa, tregimi i tij “Kthimi i babait”, që është pjesë e librit “Shumë rrugë dhe një rënie” është përkthyer në pesë gjuhë, atë çeke, angleze, gjermane, bullgare dhe rome.
Adil Olluri ka punuar për disa vite në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovë, ndërsa tash punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës.