Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit, me 21 prill, ora 11:00, Biblioteka Universitare në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi“, organizuan aktivitetin “Drini përtej dy kohëve“. Ky aktivitet shënoi edhe hapjen e “Javës së librit 2015“, konceptuar si radhë aktivitetesh që biblioteka zhvillon me rastin e datës së shënuar të 23 prillit.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtorja e Bibliotekës Universitare znj. Alida Luka, e cila pasi përshëndeti të pranishmit dhe i falenderoi për pjesëmarrjen, u shpreh se ishte një kënaqësi dhe vlerësim i shtuar prania e miqve studiues e shkrimtarë nga Prishtina dhe Tirana por në mënyrë të veçantë, prania e znj. Drini. Më pas znj. Luka shtoi se në evente të tilla si Dita Botërore e Librit, “bibliotekave, e aq më tepër bibliotekave universitare, i vjen fare natyrshëm të ndalet jo vetëm tek libri por edhe tek figurat e shquara të letrave siç është rasti sot, ku përmes referimeve të pjesëmarrësve, do të shfletohet edhe Drini“.
Në vijim, të pranishmit ndoqën një filmat të shkurtër mbi jetën dhe krijimtarinë letrare të Skender Drinit, të përgatitur nga punonjësja e Bibliotekës Universitare Arjeta Ferlushkaj, e cila ishte ideatore dhe moderatore e këtij takimi. Më pas, Dr. Elinda Dibra, drejtore e Departamentit të Letërsisë, referoi temën “Drini, me letërsinë dhe për letërsinë”. Studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo e përshendeti aktivitetin dhe organizatorët si dhe shprehu konsideratën e tij të lartë për profilin krijues të Drinit, duke e renditur atë si një ndër tre emrat e shquar që ka qyteti i Shkodrës: “Skender Drini është një nga shkrimtarët më emblematikë të letrave shqipe…Shkodra ka shumë emra të shquar por unë do të veçoja tre prej tyre: Migjenin-Rreshpjen-Drinin”.
Programi vijoi me referuesit, të cilët ishin: Agim Vinca me temën “Testamenti i Skender Drinit”; Begzad Baliu me “Me Skender Drinin në pesë situata”, Alfred Çapaliku me recensionin mbi “Kumbimet e reja të pyjeve”; kumtesa e shkrimtarit të mirënjohur Fadil Kraja me titull “Gjenerali i prozës shqiptare“, u lexua nga punonjësja e bibliotekës Arjeta Ferlushkaj; botuesi Hasan lekaj u ndal tek njohja dhe bashkëpunimi 60 vjeçar me Skender Drinin; Skender Temali, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës referoi “Marrëdhëniet në bashkëkohësi me Skender Drinin“. Drejtori i Bibliotekës së qytetit “Marin Barleti“, z. Gjovalin Çuni, u ndal tek mbresat dhe homazhet e fundit të bëra nga institucioni që ai drejton, në nderim të Skender Drinit. Miku më i afërt i shkrimtarit Drini, studiuesi dhe përkthyesi Zija Vukaj u prezantua me “Trashëgimtari shpirtëror i krijimtarisë së Skender Drinit“. Elsa Mataj, e cila, me krijimtarinë letrare të Drinit ka mbrojtur titullin Master në Universitetin e Shkodrës, referoi temën: “Mbi romanin Planeti i lodhur“ dhe në mbyllje të kumtesave, gazetari Sead Cena, i cili i ka marrë intervistën e fundit shkrimtarit Skender Drini, solli para auditorit disa detaje dhe emocione të përjetuara gjatë bashkëpunimit me të.
Aktiviteti u mbyll me interpretimin e tregimit “Testamenti“ nga studentët e Universitetit të Shkodrës: Erisad Lugjaj, Blerim Bakçiu, Senad Tula, Elsaid Lezaj, Bukurosh Dervishi, Besard Jacaj dhe Edër Boshnjaku.