Nisma studentore “Impact” në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizuan “Kampionatin e Debatit” mes fakulteteve të këtij universiteti.
Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte promovimi i kulturës së debatit, i të menduarit kritik, i etikës në komunikim, i tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe te studentët e universitetit.
Konkursi u zhvillua me datë 16.05.2023 në mjediset e Bibliotekës Universitare Shkoder, në formen e debateve mes grupeve mbi temat më të reja nga aktualiteti.
Pjesëmarrës në debat ishin 16 studentë, të cilët u ndanë në 8 grupe që iu nënshtruan me radhë fazës së parë eliminatore, gjysmë finales dhe finales. Në fund nga përballja mes studentëve të fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Shkencave të Edukimit, fitues të këtij debati u shpallen grupi i studentëve përfaqësues të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Kismete Sykaj dhe Denalda Bashota.
Të gjithë studentët pjesëmarrës u trajnuan në lidhje me strukturen e debatit dhe ndërtimin e argumentëve logjikë nga pedagogia e Departamentit të Psikologjisë – Punës Sociale, Dr. Elona Hasmujaj.
Anëtarë të jurisë ishin Z. Hysmir Idrizi, Koordinator i Zyrës së Fondacionit Shqiptaro-Amerikan (AADF); Znj. Migena Haxhi, Koordinatore e Urdhrit të Psikologut për Qarkun Shkodër, si dhe Z. Amel Pervizi, Kontabilist pranë kompanisë “Gebrüder Weiss”.
Organizatorët e “Kampionatit të Debatit” falenderojnë për bashkëpunimin Dekanin e Fakultetit të Shkencave të Edukimit Prof. Dr. Fatmir Vadohej, Drejtoreshen e Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës, Znj. Alketa Bekteshi, Shoqaten kulturore “Ardhmëria”, si dhe të gjithë pedagogët dhe studentët pjesëmarrës në sallë.