Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, më 21 prill, në orën 11.00, u zhvillua edicioni i tretë i aktivitetit “Më nxit një libër!”.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha e këtij institucioni, znj. Alida Luka. Pas urimeve për Ditën Botërore të Librit dhe përshëndetjes së rastit, znj. Luka shtoi: “U bënë disa vite që Dita Botërore e Librit në bibliotekën tonë ndërtohet mbi dy boshte: “Më nxit një libër” dhe “Biblioteka e dyerve të hapura”. Pikërisht nga këto dy drejtime gjenerojnë aktivitete të shumta e të larmishme. 23 prilli është një ndalesë tek libri, për librin e me librin. Është si një thirrje globale që i drejtohet më së shumti të rinjve që të mos reshtim së lexuari libra.”
Më pas, organizatorja dhe moderatorja e aktivitetit, znjsh. Arjeta Ferlushkaj, foli për hapat e parë të kësaj nisme:“ E filluam këtë rrugëtim në vitin 2013, si një nevojë e domosdoshme për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe për të shkëmbyer ide dhe sugjerime se çfarë duhet të bëjmë që të nxisim sa më shumë leximin. Vit pas viti, ky aktivitet asnjëherë nuk pat një format të ngurtë, përkundrazi.“ Në vazhdim të fjalës së saj, znjsh. Ferlushkaj i prezantoi auditorit ecurinë e dy edicioneve të para dhe pastaj mënyrën se si ishte ideuar sivjet ky takim.
Në pjesën e parë, të pranishmit ndoqën episode nga jeta e disa shkrimtarëve të shquar botërorë si D. Alighieri, Ch. Dickens, V.Hugo etj., që u sollën nga studentët Danjela Pjetri, Bardha Metaj dhe Senad Tula; si dhe fragmente nga vepra e H. de Balzac, M. de Cervantes, L. Tolstoi dhe W.Shakespeare që u lexuan nga studentët: Erisad Lugjaj, Edër Boshnjaku, Bukurosh Dervishi, Sidita Hasaj dhe Besard Jacaj.
Pjesa e dytë e këtij aktiviteti i ishte rezervuar njohjes më nga afër dhe promovimit të disa nismave qytetare që punojnë për ta bërë më të afërt e më të dashur librin. Të ftuar në panel ishin përfaqësueset e katër qendrave rinore/kulturore që i kanë kushtuar vëmendje të posaçme librit dhe leximit: znjsh. Elona Culiq, përfaqësuese e “Arkës“, znjsh. Shehiada Piraniqi, përfaqësuese e Zyrës së Informimit të Bashkimit Europian në Shkodër, znj. Eri Omari, përfaqësuese e “Eko Mendje“ si dhe përfaqësuesja e “Koltrinës“, znj. Suada Proda Lepuroshi. Secila nga të ftuarat prezantoi para auditorit projektet/aktivitetet që kishin zhvilluar dhe sidomos ato që do të bëheshin në të ardhmen, duke i ftuar të rinjtë që të ishin pjesë aktive e veprimtarive të tyre.
Aktiviteti u mbyll me shfaqjen e një videoje në të cilën interpretonte artisti Reshat Arbana, bashkë me një fëmijë. Poezia e interpretuar ishte “Në mundsh“ (R. Kipling) dhe qëllimi ishte të përcillej mesazhi: para klasikëve të mëdhenj të letërsisë, ne jemi si fëmija para mjeshtrit, në endje për të mësuar gjithnjë.
Qëllimi i këtij aktiviteti me të gjithë komponentët përbërës është që të nxitet leximi, të afrohen sa më shumë lexuesit pranë sallave apo këndeve të leximit por edhe të promovohen ata që bëjnë të mundur pasurimin e rrugëve që të çojnë tek libri.