Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, në Bibliotekën Universitare janë zhvilluar disa aktivitete, të konceptuar në shtrirje si “Java e librit”:
21 prill 2014, në orën 11.30, u bë promovimi i librit më të fundit nga shkrimtari Gazmend Krasniqi “Fytyra e Simurgut”. Ky aktivitet, nën organizmin dhe moderimin e punonjëses së bibliotekës doktorante Arjeta Ferlushkaj, u zhvillua në sallën e leximit “Vehbi Bala”. Të pranishëm në këtë promovim ishin pedagogë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” si dhe studentë të degëve gjuhë-letërsi e gazetari. Fjalën e hapjes e mbajti A. Ferlushkaj, e cila përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi një profil të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë letrare të Gazmend Krasniqit. E përshendetën aktivitetin edhe Bajram Peçi, përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Saras”, i cili, ndër të tjera, përmendi edhe arsyet pse kjo shtëpi botuese zgjodhi të bashkëpunojë më shkrimtarin Krasniqi. Fjalën e radhës e mori gazetarja e kulturës Alda Bardhyli, gjithashtu një përfaqësuese e shtëpisë botuese “Saras”, e cila foli mbi vlerat estetike dhe kulturore të romanit “Fytyra e Simurgut” dhe ftoi auditorin që ta lexonte këtë roman, duke qenë edhe një vepër që i kushtohet një figure aq të rëndësishme të letërsisë shqipe si Frederik Rreshpja si dhe qytetit të Shkodrës.
Më pas, aktiviteti vijoi me bashkëbisedimin mes studentëve dhe shkrimtarit, i cili iu përgjigj çdo pyetjeje që iu bë rreth profilit të tij si shkrimtar por edhe pyetjeve mbi proçesin krijues në përgjithësi, mbi romanin në fjalë etj.
“Fytyra e Simurgut” është botim i shtëpisë botuese “Saras”, Tiranë 2014. Këtë roman, shkrimtari Gazmend Krasniqi ia ka kushtuar jetës së poetit shkodran Frederik Rreshpja. Është një roman që trajton fatin e njeriut në përgjithësi dhe të poetit në veçanti.
***
Me 22 prill 2014, ora 18.00, në sallën “Walter Höflechner” në Bibliotekën Universitare, u mbajt aktiviteti kushtuar studiuesit Willy Kamsi: “Një jetë me librin dhe për librin”. Aktiviteti u organizua me nismën e Bibliotekës Universitare, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Albanologjike.
Drejtoresha e bibliotekës, znj. Alida Luka mbajti fjalën e hapjes dhe ndër të tjera, shprehu mirënjohje ndaj figurës së W. Kamsit për kontributin e tij tejet të çmuar për bibliotekat shqiptare dhe albanologjinë në veçanti por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi.
Aktiviteti vijoi me referimet sipas programit: punonjësja e bibliotekës znj. Mimoza Hoxha me “Kujtime e përjetime nga puna me W. Kamsin”; Prof.dr. Fatbardha Hoxha me “Vepra ‘Saggi di Letteratura Albanese’ e Ernest Koliqit, përmes përkthimit të W. Kamsit”; Prof.dr. Tefë Topalli/Dr. Zamira Shkreli me “Zëri i W. Kamsit në një libër Albanologjie”; Gjovalin Çuni me “Një vështrim mbi studimet filologjike të W. Kamsit” si dhe Olimpia Kakarriqi me “Kontributi i W. Kamsit në fushën bibliografike”.
E përshëndetën aktivitetin miq, dashamirës dhe bashkëpunëtorë ndër vite të W. Kamsit, një ndër to edhe prof.dr. Tomor Osmani, duke çmuar së tepërmi punën plot përkushtim dhe seriozitet të Kamsit në fushë të bibliotekonomisë dhe të studimeve shqiptare.
Aktiviteti u mbyll me një montazh fotografik mbi jetën dhe veprimtarinë kulturore të Willy Kamsit, përgatitur nga punonjësja e bibliotekës Olimpia Kakarriqi, nën kujdesin e së cilës u organizua ky takim.
***
23 prill 2014, ora 11.00, në sallën “Walter Höflechner” u zhvillua takimi “Ora letrare e Ridvan Dibrës”, ku ishte i ftuar shkrimtari shkodran Ridvan Dibra.
Aktiviteti u hap me një filmat të shkurtër me thënie e foto mbi librin dhe rëndësinë e të lexuarit. Më pas, drejtoresha e Bibliotekës Universitare, znj. Alida Luka mbajti fjalën e hapjes me rastin e Ditës Botërore të Librit. Znj. Luka i ftoi të gjithë lexuesit të jenë sa më afër bibliotekave, edhe si partnerë aktivë në përmirësimin e shërbimeve bibliotekare, përmes sugjerimeve dhe kërkesave të tyre. Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Prof. as. dr. Mimoza Priku, përshëndeti aktivitetin e organizuar në ditën e shënuar të librit dhe vlerësoi figurën e shkrimtarit Dibra, si krijues dhe si pjesë e stafit akademik të Universitetit të Shkodrës.
Arjeta Ferlushkaj, organizatore dhe moderatore e takimit, foli mbi jetën dhe krijimtarinë letrare të Ridvan Dibrës. Më pas, fjala e rradhës iu dha vetë shkrimtarit Dibra, i cili bëri përshëndetjen dhe falenderimet e rastit, për t’i lënë më pas hapësirë studentëve dhe auditorit, të cilët  drejtuan pyetje dhe komente mbi letërsinë, profilin e Dibrës si krijues e pedagog, raportit të tij me gjinitë letrare, marrëdhëniet sociale etj.
Pjesë aktive e këtij aktiviteti ishin edhe studentë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“, të degës gjuhë-letërsi. Ata ishin ftuar të përcillnin para auditorit copëza nga krijimtaria letrare e Dibrës. Fragmente nga poema “Plagët e Moisiut” u interpretuan nga studentët: Manjola Topollaj, Klodiana Pjetraj, Sidorela Lleshi, Fuada Jubani, Albert Vlashaj, Kristiana Zhuri, Azra Kruja, Gentjana Ivanaj, Dilë Kola dhe Mirjada Mustavataj.
Ndërsa, një pjesë nga dialogu i shkëputur nga vepra “Unë, Franc Kafka dhe Karta e Bolonjës“, u interpretua nga dy studentët Elidon Jacaj dhe Ardita Brozi.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Universitetin “Luigj Gurakuqi“, Prof. as. dr. Mimoza Priku, përgjegjësja e Departamentit të Letërsisë, Dr. Elinda Dibra, pedagogë nga departamenti i letërsisë, i gjuhësisë dhe i gazetarisë, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Shkodër, z. Skender Temali, shkrimtarë e dashamirës të letrave si dhe studentë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“.
***
Me 25 prill 2014, ora 12.00, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Departamenti i Letërsisë, në bashkëpunim me Bibliotekën e Universitare dhe PEN Qendrën e Kosovës dhe PEN Qendrën e Shqipërisë, organizuan një takim letrar me të ftuar shkrimtarë nga Kosova dhe Shqipëria.
Fjalën e hapjes e mbajti moderatorja e këtij takimi, znj. Arjeta Ferlushkaj, e cila përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi nismëtarët e kësaj ore letrare.
Më pas, fjalën e morën kryetarët PEN Qendrave të Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Basri Çapriqi dhe Entela Kasi. Mbas përshëndetjeve dhe falendërimeve të rastit, ata ftuan krijuesit e dy PEN Qendrave të prezantojnë para auditorit copëza nga krijimtaria e tyre poetike.
Kështu, të pranishmit patën mundësinë të njihen me disa poezi dhe fragmente prozash nga shkrimtarët: Agim Vinca, Edi Shukriu, Basri Çapriqi, Rexhep Ferri, Ibrahim Berisha, Ilire Zajmi, Ibrahim Kadriu, Entela Kasi dhe Sali Bashota.
Pas aktivitetit, përgjegjesja e Departamentit të Letërsisë, prof. as. dr. Elinda Dibra i shoqëroi shkrimtarët të vizitonin ambientet e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, në Universitetin “Luigj Gurakuqi“.
Të pranishëm në këtë takim letrar ishin përgjegjësja e Departamentit të Letërsisë, Dr. Elinda Dibra, pedagogë të degëve të gjuhës, letërsisë e gazetarisë, kryetari i Klubit të Shkimtarëve Shkodër z. Skender Temali, artdashës shkodranë si dhe studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi“.
***
Me 26 prill 2014, ora 11.00, në sallën “Walter Höflechner” të Bibliotekës Universitare u zhvillua aktiviteti “Mentor Quku dhe Mjedologjia”, organizuar nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike si dhe Qendrën Muzeore Ndre Mjeda.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre, zv. Ministri i Kulturës z. Zef Çuni, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike prof. dr. Ardian Marashi, rektori i Universitetit të Shkodrës prof.dr. Artan Haxhi, kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër z. Maxhid Cungu, Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore prof.dr. Mimoza Priku, pedagogë të departamenteve të gjuhësisë, letërsisë, historisë, gazetarisë etj, studiues e shkrimtarë të qytetit të Shkodrës gjithashtu edhe familjarë të Mentor Qukut si dhe miq e dashamirë të tij dhe të veprimtarisë së tij studimore mbi Mjedën.
Në këtë aktivitet u bë nderimi i figurës së Mentor Qukut nga Universiteti i Shkodrës  “Luigj Gurakuqi”, duke i akorduar atij titullin “Profesor Nderi” me motivacionin: “Për kontribute të veçanta në studimet mjedologjike dhe si nisjator i veprimtarisë shkencore disavjeçare “Shkodra në shekuj”, realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës”. Ky titull iu dorëzua familjarëve të Mentor Qukut nga rektori i Universitetit prof.dr. Artan Haxhi. Valbona Quku, e bija, lexoi para auditorit përshëndetjen e përgatitur nga i ati për të pranishmit. Mesazhi i tij, ndër të tjera pohonte se, në pamundësi pjesëmarrjeje, këtë mungesë do ta shpërblente me botimin e dy vëllimeve të reja: “Mjeda-poezia” dhe “Mjeda-proza”, brenda këtij viti.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe promovimi i revistës “Mjedologjia”, botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Qendrës Muzeore “Ndre Mjeda”. Numri i parë i kësaj reviste përmban aktet e konferencave shkencore kushtuar Mjedës, të cilat janë mbajtur njëra në Shkodër, 8 dhjetor 2007 si dhe tjetra në Bushat, 1 gusht 2012.
Ky aktivitet u përshëndet nga zv.Ministri i Kulturës z. Zef Çuni, nga drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike prof.dr. Ardian Marashi e më pas vijuan kumtesat sipas programit: prof.dr. Fatbardha Hoxha me “Profili i një studiuesi dhe vepra e tij”;  Prof.as dr. Rrezarta Draçini/ Prof. Tefë Topalli me “Përmbledhja “Mjedologjia dhe gjuha”; Prof. as.dr. Elinda Dibra Ramadani me “Studimet letrare dhe mjedologjia”; Prof.dr. Alfred Çapaliku me “Përmendorja e Mjedës”.
Aktiviteti u shoqërua edhe me recitimin e disa poezive të poetit Mjeda nga aktorja e teatrit “Migjeni” znj. Merita Smaja, e cila ishte edhe moderatore e takimit. Në mbyllje, u shfaq për të pranishmit një filmat i shkurtër mbi jetën dhe veprimtarinë studimore të Mentor Qukut, përgatitur nga punonjësja e bibliotekës Arjeta Ferlushkaj.