IMG 2722

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi“, Departamenti i Letërsisë, organizoi më 23 prill 2012, ora 11.00 në Bibliotekën Shkencore Universitare aktivitetin promovues “Pesë autorë në fondin e kulturës shqiptare“. 
 
Bëhet fjalë për promovimin e botimeve nga pedagogë të departamentit të letërsisë, konkretisht: prof.dr. Alfred Çapaliku me librin me studime “Luksi i kulturës“, prof.as.dr. Ledri Kurti me studimin “Bernardin Palaj- Donat Kurti kodifikuesit e parë të eposit të kreshnikëve dhe vizioni i elitës françeskane në fillimshekullin XX“, doktorantët Ermira Alija me botimin didaktik “Paraleximi“ dhe Arben Prendi me “Tekste në kontekste“ (studime). Ndërsa Ridvan Dibra prezantohet me romanin e tij më të fundit “Kanuni i Lekës së Vogël”.
 
Përgjegjësja e departamentit të letërsisë, dr. Elinda Dibra, organizatore dhe moderator e këtij aktiviteti, mbajti fjalën e hapjes duke vlerësuar kontributin e çmuar të katedrës së letërsisë, jo vetëm me botimet e fundit por edhe me punën plot përkushtim dhe seriozitet shkencor të secilit prej pedagogëve në vite, pjesë e këtij departamenti. 
 
E përshëndeti takimin dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore prof.as.dr. Mimoza Priku ku ndër të tjera vlerësoi këtë fond shkencor dhe letrar që i shtohet kulturës që ka përcjellur e do të përcjellë institucioni i Universitetit të Shkodrës. Ajo gjithashtu përshëndeti të gjithë kolëgët dhe studentët me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit. 
 
Referues në këtë aktivitet promovues ishin: prof.dr. Alfred Çapaliku mbi librin “Paraleximi“; doktorantja Ermira Alija referoi mbi studimin ““Bernardin Palaj- Donat Kurti kodifikuesit e parë të eposit të kreshnikëve dhe vizioni i elitës françeskane në fillimshekullin XX“; “Ridvan Dibra, profili i një romancieri bashkëkohor” ishte kumtesa e doktorantit Arben Prendi mbi romanin më të fundit të shkrimtarit Ridvan Dibra “Kanuni i Lekës së Vogël”; Arjeta Ferlushkaj mbajti kumtesën “Nga erudicioni autorial tek luksi për lexuesin” mbi librin me studime “Luksi i kulturës” i Alfred Çapalikut. Në përmbyllje të referimeve, dr. Elinda Dibra foli mbi rëndësinë dhe vlerën e librit “Tekste në kontekste” të Arben Prendit. 
 
Në fund të këtij aktiviteti, prof.dr. Fatbardha Hoxha uroi dhe përgëzoi kolegët e saj për punën e vyer shkencore dhe letrare. Ajo gjithashtu ftoi organet shkencore pranë universitetit si Instituti Albanologjik, që të mbrojë dhe të mbështesë iniciativa për botime të tilla.
Aktiviteti zgjati rreth një orë dhe u shoqërua me interesimin e gjerë të mediave.