Ditën e hënë, me datë 14 nëntor, 2016, në orën 11.00, në sallën “Walter
Hoflechner“ pranë Bibliotekës Universitare, u bë promovimi i romanit “Gjumi mbi
borë” i shkrimtarit Ridvan Dibra. Ky aktivitet u organizua nga Fakulteti i
Shkencave Shoqërore i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Departamenti i
Letërsisë dhe i Gjuhësisë, Biblioteka Universitare, me mbështetjen e Fondacionit
“Kalo”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin pedagogë të Universitetit “Luigj
Gurakuqi”, shkrimtarë e studiues të letërsisë, intelektualë shkodranë, studentë dhe
dashamirës të librit e të shkrimtarit Dibra.
Fjalën e hapjes e mbajti përgjegjësi i Departamentit të Letërsisë, prof.as.dr.
Vincens Marku, i cili falenderoi të pranishmit dhe prezantoi programin e aktivitetit.
Ndër të tjera, z. Marku foli për rëndësinë që kanë organizime të tilla, jo vetëm për
katedrën e letërsisë por sidomos për dobinë ndaj lexuesit. Aktiviteti ishte
konceptuar të ndahej në dy pjesë: paneli i studiuesve dhe paneli i shkrimtarit.
Dokt. Arjeta Ferlushkaj foli mbi krijimtarinë e shkrimtarit Ridvan Dibra e më pas
paraqiti një filmat të shkurtër të përgatitur për këtë rast. Programi vijoi me
kumtuesit: dr. Ag Apolloni me kumtesën “Frekuencat e romanit”, dr. Merita Hysa
me kumtesën “Mozaiku gjuhësor në romanin ‘Gjumi mbi borë’”, prof.as.dr. Arben
Prendi me kumtesën “Metaforika e ‘Gjumit mbi borë’ dhe dërthurjet
trillim/autobiografizëm”. Ndërmjet kumtuesve, të pranishmit patën mundësi të
ndiqnin edhe dy intermexo, lexime nga romani, prej studentëve Sabina Shelegu,
Senada Shpati dhe Besard Jacaj.
Në këtë promovim ishte edhe presidenti i shtëpisë botuese më të mirënjohur në
Shqipëri, z. Bujar Hudhri, i cili foli për bashkëpunimin disa vjeçar me shkrimtarin
Dibra. Sipas tij, Ridvan Dibra është një ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë
shqiptarë që është vlerësuar maksimalisht nga kritika e kualifikuar, por, vëren ai
me keqardhje, nuk e ka vëmendjen e duhur nga ana e lexuesit.
Pjesa e dytë e këtij aktiviteti ishte fjala e shkrimtarit dhe bashkëbisedimi i tij me
auditorin. Ndër të tjera, Dibra falënderoi organizuesit për këtë promovim që iu bë
veprës së tij, ku përmendi se, është i pari që i bëhet në qytetin e tij të lindjes. Autori
në fjalën e tij, u ndal pak mbi metaforën përmes së cilës sugjeron të lexohet
“Gjumi mbi borë”. Më pas, ai preferoi që auditori t’i drejtonte pyetje. Kolegë të
shkrimtarit, studiues dhe studentë të letërsisë, e jo vetëm, e pyetën autorin mbi
mesazhin e veprës, strategjitë narrative që ka ndjekur, mbi notat biografike të
përdorura, roli i lexuesit në vepër etj.
Aktiviteti zgjati më shumë se 60 minuta dhe u mbyll me atmosferën e shkrepjes së
fotove dhe dhënies së autografeve nga shkrimtari Ridvan Dibra.
Autori
Ka lindur në Shkodër (1959). Krijimtaria letrare e Ridvan Dibrës nis me poezi, me
vëllimin: “Thjesht”, i vitit 1987. Veprat në prozë: Prostituta e virgjër (tregime),
1994, vlerësuar me çmimin proza më e mirë e vitit; Eklipsi i shpirtit (tregime), 1994;
Vetmia e diellit (parabola), 1995; Nudo (roman), 1995; Mjerimi i gjysmës (novela),
1996; Kurthet e dritës (roman), 1997; Triumfi i Gjergj Elez Alisë (roman), 1999;
Stina e ujkut (roman), 2000; Të lirë e të burgosur – roman i vitit 2000, i vlerësuar
me çmimin e III-të në konkursin letrar që zhvillon Shtëpia Botuese “Buzuku” në
Prishtinë; Vëlla me centaurët (parabola), 2002; Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë –
roman i botuar në vitin 2002 nga shtëpia botuese “BUZUKU“, Prishtinë, e cila e
vlerësoi me çmimin e II-të në konkursin e saj letrar për romanin; Email (roman),
2003; Letra nga provinca (tregime e parabola), 2004; Kumte dashurie (roman),
2004; Sesonix ose Sesilja (roman), 2005; Franc Kafka i shkruan të birit (roman),
2006; Stina e maceve – roman i botuar në vitin 2007 nga shtëpia botuese
“BUZUKU“, Prishtinë, e cila i dha çmimin e III-të në konkursin e saj letrar për
romanin; Unë, Franc Kafka dhe Karta e Bolonjës (tregime e parabola), 2008; Në
kërkim të fëmijës së humbur – vepër e cila u vlerësua si libri më i mirë i vitit për
prozën e shkurtër si dhe mori çmimin kombëtar "Mitrush Kuteli", çmim i akorduar
nga Ministria e Kulturës; Kanuni i Lekës së Vogël (roman), 2011, i rënditur në
listën e librave më të mirë të botuar në 3 vitet e fundit nga juria e çmimit letrar
“Balkanika“; Legjenda e vetmisë (roman), 2012. Me këtë roman, Dibra u vlerësua
me çmimin e letërsisë “Rexhai Surroi“ për vitin 2012, në Kosovë; Gjumi mbi borë
(roman), 2016.
Për prozën e tij, shkrimtari Ridvan Dibra u vlerësua edhe me çmimin “Serembe“,
në vitin 2010, çmim me të cilin janë nderuar më parë edhe Kadare, Kongoli etj. I
rikthehet vargjeve me poemën: Plagët e Moisiut , botuar në vitin 2010. Por ai
debuton edhe në gjininë e dramës, si: “Varka e Abrasantit”, “Në emër të atit”, "Na
të birtë e shekullit të ri", “Lufta e Tretë Botërore“, dramë me të cilën në Kosovë,
në nëntor 2013, Ridvan Dibra fiton çmimin e parë në konkursin për dramë
“Katarina Josipi“, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e Kosovës;
“Dashuritë e virgjëreshës Magdalenë” (është përkthyer në frëngjisht dhe pritet
vlerësimi për mundësinë e vënies në skenë në Paris), etj. Në fushë të eseistikës dhe
përkthimit letrar Dibra prezantohet me: Dekalogu i turpit (ese), botim i vitit 2004,
Një lojë me emrin postmodernizëm (ese), i vitit 2007; Rrëfim për plakun e mirë dhe
vajzën e bukur- roman i Italo Svevo-s (përkthim i vitit 2004.)
Krijimtaria e Ridvan Dibrës është nderuar me çmime kombëtare e
mbarëkombëtare. Pjesë të sajat janë përfshirë në antologji brenda dhe jashtë
Shqipërisë si dhe janë përkthyer në gjuhët angleze, gjermane, italiane, franceze,
rumune, malajziase, boshnjake, maqedonase, malazeze (në gjuhën kineze është në
proces) etj. Për të kanë shprehur konsiderata disa nga emrat më të shquar të kritikës
e letrave shqipe, si Ali Aliu, Agim Vinca, Ardian Marashi, Kujtim Rrahmani, Ag
Apolloni, Shkëlzen Maliqi, Bashkim Shehu, Stefan Çapaliku, Prend Buzhala, etj.
Kolegë të tij si: Arben Prendi, Alfred Çapaliku, Valbona Karakaçi, Tefë Topalli
etj.