IMG 2672

Më 20 prill 2012, ora 11.00, në sallën e konferencave “Walter Höfleschener” të Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua takimi letrar “Unë, biri yt, Kosovë”, me protagonist shkrimtarin dhe studiuesin nga Kosova Ali Podrimja. Ky takim u organizua nga universiteti “Luigj Gurakuqi”, Departamenti i Letërsisë.
 Të pranishëm në auditor ishin zv/rektori i universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Fatmir Vadahi, profesorë nga departamentet e letërsisë, gjuhësisë dhe historisë si dhe nga departamenti i gjuhëve të huaja, përfaqësues nga Bashkia e qytetit, njerëz të letrave e artdashës si dhe studentë të universitetit të Shkodrës. 
Siparin e këtij aktiviteti e hapi drejtuesja e Departamentit  të Letërsisë dr. Elinda Dibra, e cila i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe miqve nga Kosova. Ndër të tjera, Dibra u ndal shkurt tek vlera dhe rëndësia e krijimtarisë së shkrimtarit Podrimja.
Prof. as. dr. Mimoza Priku,  dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, duke përshëndetur organizuesit për punën e bërë, ajo falendëroi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësoi krijimtarinë e shkrimtarit kosovar. 
Referues të këtij aktiviteti ishin prof.dr. Alfred Çapaliku me kumtesën e tij “Tri poezi të Podrimjes“ si dhe Ma. Arben Prendi me kumtesën “Ali Podrimja, poeti i botës shqiptare“. 
Më pas e mori fjalën vetë autori, i cili, pasi falëndëroi auditorin për praninë, vlerësoi Shkodrën për mikpritjen e saj dhe nuk harron të përmendë edhe Çamërinë, si pika të forta të ndjeshmërisë së tij krijuese. Podrimja e kishte ideuar performancën e tij në formën e bashkëbisedimit me lexuesin përmes poezive. Ai solli para auditorit pjesë të krijimtarisë së tij, duke krijuar mjaft atmosferë në sallë. 
Në prag-mbyllje të takimit, përshëndetën të pranishmit dhe shkrimtarin miqtë që e kanë shoqëruar Podrimën: Smajl Smaka dhe Shaqir Foniqi, të dy gazetarë nga Kosova dhe recitimi i një kolazhi poezish të Ali Podrimës nga studentja Gresa Katana shënoi mbylljen e këtij takimi letrar.   
Mbi autorin: 
Ali Podrimja u lind dhe u rrit në Gjakovë. 
Ai është autor i një sërë përmbledhjesh me poezi, si: “Thirrje” (1961, përmbledhja e parë), “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), ”Sampo”(1969), “ Torzo”(1971), “Lum, lumi”(1982), etj. si dhe  librave në prozë: “Burgu i hapur”(1998), “Harakiri” (1999) etj. 
Krijimet e këtij autori janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ali Podrimja është përfshirë në antologji vendase dhe  të huaja, gjithashtu ai vetë  ka hartuar disa antologji të poezisë shqipe. Aktualisht autori po merret me hartimin e një antologjie të poetëve shqiptarë, vepër e cila do të botohet në Francë. Shkrimtari Ali Podrimja është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.