Në kuadër të 55-vjetorit të themelimit, Biblioteka Universitare organizoi aktivitetin jubilar: “55 vjet Bibliotekë Universitare” në datat 29-30 tetor 2012. Dita e parë e këtij organizimi nisi me ekspozitën “Biblioteka e dyerve të hapura”, e cila mblodhi vizitorë të shumtë në ambientet e saj. Studentë dhe nxënës të klasave të ndryshme nga shkollat “Jordan Misja”, “28 Nëntori”, “Pjetër Mëshkalla”, “Dituria”, “Mati Logoreci” etj.u shoqëruan nga stafi në formë guide për t’u njohur me ambientet dhe shërbimet e bibliotekës. Gjithashtu, Biblioteka Universitare ekspozoi këtë ditë Antikuarin e saj të pasur me vepra të rralla dhe unike, njëkohësisht një ndër më të mirë në Shqipëri, i cili tërhoqi vizitorë të shumtë.
Pasditen e të nesërmes, në aktivitetin ceremonial ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Bardhyl Lohja, përfaqësues akademikë nga Universiteti, përfaqësues nga pushteti vendor, ish-drejtues e punonjës të bibliotekës, arsimtarë, studentë etj.
Fjalën e hapjes e mbajti Alida Luka, drejtore e Bibliotekës, e cila përshendeti dhe falëndëroi të pranishmit për prezencën. Ndër të tjera, znj. Luka foli për punën që është bërë gjatë viteve në këtë institucion, për angazhimin e saj dhe të stafit për përmbushjen e detyrave të një Biblioteke Universitare si dhe kapërcimin e sfidave në projektet e parashikuara për të ardhmen.
Zv. Rektori i Universitetit, Prof. As. Dr. Fatmir Vadahi, në fjalën e tij përshëndetëse dhe përuruese, vlerësoi punën e bërë dhe arritjet e vazhdueshme të bibliotekës universitare, duke e konsideruar atë si një cak të rëndësishëm për arritjet shkencore të stafit akademik të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Më pas të pranishmit patën mundësi të ndiqnin një historik të Bibliotekës Universitare në 55 vjet, i realizuar nga punonjëset e bibliotekës Ma. Arjeta Ferlushkaj dhe Ma. Oriona Kraja nëpërmjet një projekt-prezantimi në PowerPoint.
Në vazhdimësi të programit, fjalën e radhës e morën ish drejtues dhe punonjës të bibliotekës: Hasan Lekaj, Willy Kamsi, Gjovalin Çuni, të cilët përcollën tek auditori përvojën dhe kontributin e tyre gjatë viteve në këtë institucion.
Pjesa e dytë e këtij aktiviteti vazhdoi me referimin e disa kumtesave shkencore të realizuara nga stafi i kësaj biblioteke, përkatësisht: Ma. Olimpia Kakarriqi me “Filip Fishta-një emër i harruar në Historinë e Letërsisë Shqipe”; “Kontributi i Austro-Hungarisë në shkencën e Albanologjisë deri në fillim të shek. XX” – nga Ma. Oriona Kraja dhe Ma. Erjola Djepaxhija si dhe Ma. Arjeta Ferlushkaj me kumtesën “Sfidat e lexuesit”.
Aktiviteti zgjati më shumë së një orë dhe u shoqërua me një koktejl të ofruar nga Biblioteka Universitare.