Pasditen e të martes, me 22 nëntor 2011, ora 17.00, në sallën “Walter Höflechner” të Bibiliotekës Universitare Shkencore Shkodër, u kurorëzua përfundimi i projektit “Dy gjuhë një libër.” Bëhet fjalë për promovimin e botimit “Përzgjedhje nga poezia dhe drama bashkëkohore malazeze/Izbor iz savremene albanske poezije i drame” (libër me dy kahe në dy gjuhë).
Të pranishëm në këtë aktivitet promovues ishin shkrimtarë shqiptarë dhe malazezë, gjuhëtarë, përkthyes, pedagogë të Universitetit të Shkodrës etj.
Fjalën e hapjes e mbajti Erard Çurçija, përgjegjësi i Sektorit të Marrëdhënieve me jashtë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i cili përshëndeti të pranishmit dhe anëtarët e projektit “Dy gjuhë një libër”.
Fjalën e radhës e mori kryetarja e projektit Varja Gjukiq, e cila falendëroi të pranishmit dhe bashkëpunëtorët për përfundimin me sukses të kësaj nisme ndërkulturore. Znj. Gjukiq ndër të tjera dha edhe disa informacione mbi përmbajtjen e librit, përfaqësuesit e zgjedhur nga të dy vendet Shqipëri- Mali i Zi, përkthyesit që kanë punuar mbi këtë botim etj.
Botuesi Hasan Lekaj në fjalën e tij përshëndeti auditorin dhe falendëroi mbështetësit e kësaj nisme që e cilësoi si të vetmen punë serioze të bërë në këtë fushë. Lekaj gjithashtu falendëroi përkthyesit për punën e bërë, ftoi që të lihen hapur rrugët për nisma të tjera të kësaj natyre, për punë edhe më cilësore.
Përfaqësuesi i OJQ kulturore “Camaj-Pipa” njoftoi se do të ketë edhe një promovim tjetër me datën 25 nëntor, bëhet fjalë për vëllimin e dytë të botuar nga ky projekt: “Përzgjedhje nga proza bashkëkohore malazeze/ Izbor iz savremene albanske proze”.
Aktiviteti vazhdoi me prezantimin e disa krijimeve të autorëvë malazezë: poetja Çedomilla Vujosheviq-Gjurgjiq lexoi një poezi të sajën; poeti i ri Dushan Gjuroviq prezantoi poezinë “Ai nga e cila rrjedhshmëri (lëngshmëri) jam”, e përkthyer në shqip nga Haxhi Shabani. Ndërsa përkthyesit sollën në shqip para auditorit krijime të autorëve të tjerë malazezë: Haxhi Shabani lexoi poezinë “Si të mbijetosh Bizantin” të Mlladen Llompar; Qazim Muja përcolli tre poezi “Melankolia” të Millorad Popoviq, “Ëndrra” të Nebojsha Nikçeviq dhe “Vërejtje për CHE-në” të ballsha Bërkoviq; ndërsa Pjetër Dresha prezantoi dy krijime të përkthyera nga Shkëlzen Maliqi: “Pranim” të Aleksandër Berçanoviq dhe “Çfarë ere mbajnë librat” të Pavle Goranoviq.
Në gjininë e dramës, përkthyesi Dhimitër Popoviq foli pak për punën e tij si përkthyes me dramën e Natasha Neleviq “Vezët. Polilof femëror” si dhe mbi subjektin e saj.
Në përfundim të aktivitetit, znj. Varja Gjukiq dhe z. Hasan Lekaj njoftuan mbi një takim të mundshëm edhe në qytetin e Koplikut. Të dy vëllimet e botuara do të shpërndahen falas nëpër disa institucione si: biblioteka, shkolla etj.
“Dy gjuhë një libër” është një projekt i mbështetur nga OJF Prostory, OJF Qendra Kulturore “Camaj-Pipa”, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave, Podgoricë. Ndërsa botimi i këtyre vëllimeve u mundësua me mbështetjen e Bashkimit Europian.
Aktiviteti zgjati më shumë se një orë dhe u mbyll me një koktej.
Postime Së Fundi
- Pasurimi i Fondit të Fakulteteve me librin“ Metodat e kërkimit social”,edicioni i gjashtë
- Vizita në bibliotekë nga stafi i Universitetit Vechta, Gjermani
- Bisedë me botuesin dhe studiuesin Z.Frano Kulli
- Vizita e Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri, z. Christian Steiner,në bibliotekë
“Dy gjuhë një libër”