Më datë 23 mars 2012, në sallën e konferencave “Walter Höfleschener” të Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua një takim promovues i projektit ERA2012 (Electronic Resources for Albania).
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm pedagogë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, punonjës të bibliotekës shkencore të universitetit, të bibliotekës së qytetit “Marin Barleti”, studentë etj.
Drejtoresha e bibliotekës, znj. Alida Luka pasi përshendeti të pranishmit, e vlerësoi projektin ERA si mjaft të rëndësishëm për zhvillimin akademik prejse tashmë ekziston ky komoditet aksesimi i disa institucioneve brenda këtij projekti.
Menaxherja për aksesimin në burimet elektronike pranë Bibliotekës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë znj. Nilda Bezhani informoi dhe sqaroi auditorin se si të realizohet ky aksesim: institucioneve të përcaktuara iu është dhënë mundësia që, nëpërmjet adresave të regjistruara IP, të kenë mundësi të navigojnë nëpër ëeb-et e vëna në dispozicion nga projekti në fjalë. Ky aksesim iu shërben përdoruesve për punën kërkimore-shkencore pasi kanë autorizimin të konsultohen me tekste të plota. Auditori pati mundësinë të ndiqte udhëzimet praktike të bëra nga znj. Bezhani.
Tefta Buzo, koordinatore e IZUM-it (Qendra Rajonale për Sistemet e Informacionit Bibliotekar dhe Sistemet e Informacionit Kërkimor) informoi të pranishmit mbi aktivitetet dhe projektet trajnuese që vazhdojnë të bëhen në Universitetin e Ljubjanës, në Slloveni në shërbim të këtij komunikimi ndërkombëtar.
Moderatorët e këtij aktiviteti, znj. Buzo dhe znj. Bezhani informuan ndër të tjera me qëllimet e këtij projekti:
– Sigurimi i aksesit në burime ndërkombëtare elektronike për të mbështetur arsimin, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e përgjithshëm.
-Nxitja e botimit të rezultateve të kërkimit shkencor shqiptar në revista prestigjoze ndërkombëtare.
– Sigurimi i ingrastrukturës informuese për vlerësimin e rezultateve të kërkimit shkencor dhe identifikimin e kompetencave ndërkombëtare.
Burimet ndërkombëtare elektronike tek të cilat është i realizueshëm ky aksesim janë: BioOne, Cambridge Journals Online, Ebrary Academic Complete, EBSCO Academic Search Complete, Emerald Management e Journal Collection, IOPscience, Multi-Science Journals Collection, New England Journal of Medicine, OECD-I Library, Oxford English Dictionary Online, Oxford Reference Online, Pro-Quest Central, Taylor & Francis Library. Ndërsa specifikisht vetëm për Universitetin e arteve janë: Alexander Street Drama, Alexander Street Literature, Music Online: Listening, Music in Video.
Projekti ERA2012 është i financuar nga Republika e Sllovenisë, në kuadër të Programit për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar; koordinohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Biblioteka Shkencore dhe ka mbështetje teknike nga IZUM (Qendra Rajonale për Sistemet e Informacionit Bibliotekar dhe Sistemet e Informacionit Kërkimor) dhe EIFL (Informacioni Elektronik për Bibliotekat).