Në vazhdim të nismës “Biblioteka e dyerve të hapura”, në Bibliotekën Universitare u ekspozuan
“Abetaret e gjuhës shqipe 1844 – 1944”, nga fondi i librit të rrallë. Aktiviteti u zhvillua më 22
prill, ora 09.00-13.00. Qëllimi i këtij ekspozimi ishte njohja me historinë e abetareve në rrjedhën
e viteve. Abetaret, duke qenë tekste bazë për mësimin e lexim –shkrimit të gjuhës së folur, janë
të lidhura edhe me historinë e zhvillimit të arsimit kombëtar. Si të tilla ato kanë luajtur një rol të
rëndësishëm në edukimin e brezave.
Në fillim u bë një prezantim i përgjithshëm i alfabeteve të gjuhës shqipe, respektivisht dhe i
abetareve të hartuara në ato vite, nga punonjësja e bibliotekës znj. Olimpia Kakarriqi. Të gjitha
abetaret e ekspozuara kanë veçantitë e tyre, por dallojnë: “Ëvetarin…” e Naum Veqilharxhit të
botuar në Bukuresht, në vitin 1844; “Abetare skip”, e Kostandin Kristoforidhit, botuar në
Kostandinopojë në vitin 1872; “Alfabetare e gjuhes shqip”, botuar në Kostandinopojë, në vitin
1879, me alfabetin e Stambollit; Abetaret e Sami Frashërit, 1879 – 1909; “Abetari i vogël
shcyp”, botuar në Bukuresht nga Luigj Gurakuqi në vitin 1906; “Kndimet e para…”, të botuara
nga “Zoja e Papërlyeme”, Shkodër me autor anonim (Ndre Mjeda); Abetaret e P. Qiriazit, 1909-
1915; Abetaret e Dhimitër Paparistos, 1911; të Gaspër Benussit, 1890; Ndue Palucës, 1921 –
1838; Jani Mingës,1921 – 1925; Mati Logorecit,[1920]; Aleksandër Xhuvanit e Pertef Pogonit,
1921-1938. Këto abetare shërbyen jo vetëm për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe, por
kontribuan edhe në krijimin e një përvoje në fushën e teksteve origjinale shkollore.
Këto abetare u paraqitën edhe në slajde (PP), të përgatitura nga IT Rovena Mesi.
Pjesëmarrësit i përshëndeti drejtoresha e bibliotekës znj. Alida Luka, e cila bëri të njohur të
gjitha aktivitetet që do të zhvilloheshin në javën dedikuar librit.
Të pranishëm në këte aktivitet ishin prof. Njazi Kazazi, bashkëautor i librit “Abetaret e gjuhës
shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, i cili mbajti një kumtesë të shkurtër në
lidhje me botimin e librit, prof. Alfred Çapaliku që përshëndeti dhe përgëzoi nismën e marrë për
publikimin e abetareve të vjetra të gjuhës shqipe, drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti”, z.
Gjovalin Çuni, që përgëzoi nismën e publikimit të teksteve shkollore, si dhe profesorë e studentë
të Fakultetit të Shkencave Shoqërore.
Ekspozitën e frekuentuan studentë të universitetit si dhe nxënës të shkollave:“Jordan Misja“,
“Pjetër Mëshkalla”, “28 Nëntori”, “Dituria”, “Branko Kadia” etj., si dhe përfaqësues të
shoqatave kulturore të qytetit tonë.
Me datën 27.04.2016, një grup studentësh të Fakultetit të Gjuhës shqipe së bashku me prof.
Tomor Osmanin, vizituan ekspozitën “Abetaret e gjuhës shqipe…” duke u fokusuar tek alfabetet
e përdorura, dhe ndryshimet e këtyre alfabeteve në abetaret e ekspozuara. Aktiviteti u ndoq nga
mediat lokale dhe nga “Zëri i Amerikës“.
Postime Së Fundi
- Pasurimi i Fondit të Fakulteteve me librin“ Metodat e kërkimit social”,edicioni i gjashtë
- Vizita në bibliotekë nga stafi i Universitetit Vechta, Gjermani
- Bisedë me botuesin dhe studiuesin Z.Frano Kulli
- Vizita e Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri, z. Christian Steiner,në bibliotekë
Kundrim i abetareve shqipe 1844-1944