Në një ditë të shënuar si Dita Botërore e Librit (23 prill 2025), Biblioteka Shkencore e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës organizoi një ceremoni solemne, ku Fondi i Librit të Rrallë mori emrin e studiuesit të shquar Willy Kamsi.
Ky veprim simbolik është një shprehje mirënjohjeje të thellë për njeriun që i kushtoi jetën dijes, studimeve dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë kombëtare. Willy Kamsi, albanolog, studiues i pasionuar dhe mbrojtës i identitetit shqiptar, la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme që sot jeton përmes fondit të pasur dokumentar që ai krijoi me përkushtim.
Fondi “Willy Kamsi”, pjesë e Fondit Albano-Ballkanologjik, përfaqëson një thesar të çmuar për studiues, studentë dhe vizitorë vendas e të huaj. Iniciativa për emërtimin e fondit u mor nga stafi i bibliotekës dhe gjeti mbështetjen e menjëhershme dhe të plotë nga Rektori Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili, në fjalën e tij përshëndetëse, e cilësoi këtë akt një vlerësim institucional dhe kombëtar për një figurë të rëndësishme të dijes shqiptare.
Rektori Gjuraj në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se Willy Kamsi i dha shumë këtij vendi, jo vetëm me dijen e tij, por me përkushtimin për të ruajtur fjalën, dokumentin, historinë. Me këtë emërtim, ne nderojmë jo vetëm njeriun, por edhe misionin e tij, të cilin e vazhdojmë çdo ditë.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të botës akademike, familjarë dhe miq të studiuesit Kamsi. Për figurën dhe veprën e tij foli studiuesi Gjovalin Çuni, bashkëpunëtor i afërt i Kamsit ndër vite.
Olimpia Kakarriqi, përgjegjëse e Fondit Albano-Ballkanologjik, prezantoi disa nga koleksionet më të çmuara të këtij fondi. Ceremonia u përmbyll me inaugurimin e pllakatit përkujtimor dhe hapjen e ekspozitës me veprën e studiuesit Willy Kamsi.
Ky moment është një kujtesë e fuqishme se trashëgimia shpirtërore e këtij kombi duhet ruajtur, çmuar dhe ndarë me brezat që vijnë.