“28 Nëntori në organet e shtypit shqiptar 1913-1944” ishte tematika e ekspozitës së hapur në bibliotekën e universitetit “Luigj Gurakuqi”, me dt. 23-25 Nëntor. Qëllimi i kësaj ekspozite ishte:
– Njohja nga afër e studentëve me shkrimet dhe artikujt e botuar në ditën e 28 Nëntorit, në koleksionet e revistave dhe gazetave.
– Promovimi i pasurive bibliotekare nga Fondi i Librit të Rrallë.
– Nxjerrja në pah e historisë dhe ideve që përçojnë shkrimet e këtyre periodikëve.
– Nxitja e të rinjve në përkujtimin e përpjekjeve të patriotëve dhe firmëtarëve të dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë.
Aktiviteti u hap nga drejtoresha e bibliotekës Alketa Bekteshi e cila prezantoi qëllimin e kësaj veprimtarie. Më pas nga specialistja e fondit Albano-Ballkanologjik, Olimpia Kakarriqi, u prezantuan disa detaje bibliografike nga koleksioni i ekspozuar. Pedagogia Bendis Kraja, nga Departamenti i Historisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, mori fjalën me një leksion të shkurtër historik të Shpalljes së Pavarësisë.
Ekspozitën e vizituan studentë nga Dega e Historisë, Gjeografisë, Gazetarisë dhe Gjuhës Shqipe nga Universiteti, si dhe nxënës të shkollave të mesme të qytetit: “Jordan Misja”, “28 Nëntori”, “Shejnaze Juka”, “Dituria”, “At Pjetër Mëshkalla”. Pjesëmarrësit u bënë pjesë aktive e veprimtarisë duke lexuar materiale, të disa prej artikujve të shkruar në këto periodikë.