Me 22 dhjetor, ora 16.00, në sallën “Walter Höflechner” të Bibiliotekës Universitare Shkencore Shkodër, u zhvillua takimi: “Biblioteka dixhitale- qasje e re në shoqërinë e informacionit”, i organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti” në bashkëpunim me B.U.SH. Në këtë takim ishin të pranishëm drejtues dhe punonjës të bibliotekave të Shkodrës, Lezhës, Elbasanit dhe Fierit etj.
E përshëndeti aktivitetin, drejtoresha e këtij institucioni, znj. Alida Luka, e cila i uroi mireseardhjen kolegëve dhe u shpreh entuziaste për frutin e takimeve të tilla. Ndër të tjera, znj. Luka u shpreh se janë mjaft pozitive këto shkëmbime njohjesh dhe përvojash mes institucioneve tona për punën e bërë nga secila bibliotekë.
Më pas e mori fjalën drejtori i Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, z. Gjovalin Çuni. Z. Çuni foli rreth drejtimeve në të cilat mbështeten bibliotekat dixhitale, bëri një paraqitje të portalit të institucionit të tij (shërbimet e faqes), portal i cili është ndërtuar në vitin 2010. Më pas, ai paraqiti para auditorit edhe punën e bërë me dixhitalizimin e revistës letrare “Hylli i Dritës” dhe “Fryma”, të vënë në dispozicion të lexuesve online, pa pagesë.
Gjergj Sheldija, specialist IT në B.U.SH., sqaroi për auditorin metodat e ndjekura të punës për dixhitalizimin e disa titujve, pjesë të arkivit të B.U.SH.-it. Gjithashtu përmendi problematikat e hasura gjatë punës dhe kriteret që ende duhen plotësuar gjatë të ardhmes. Auditori pati mundësinë të shihte të dixhitalizuara disa vepra nga arkivi si dhe shërbimet e portalit të Bibliotekës Universitare të Shkodrës si shërbimin OPAC etj.
Fjalën e radhës e mori drejtoresha e Bibliotekës së Fierit Alma Gjini, e cila prezantoi para të ftuarve informacione dhe pamje nga institucioni i drejtuar prej saj. Ndërsa Reisa Duraj prezantoi projekt-programin e IFLA-s, duke e quajtur një wikipedia kulturore.
Në fund, mori fjalën edhe drejtori i Muzeumit “Oso Kuka” Shkodër, z. Fatmir Juka, i cili përshëndeti organizatorët dhe tregoi interesin e institucionit që ai drejton për bashkëpunime me bibliotekat e qyteteve, për shkëmbimin e përvojave.