I ftuar sot, në Bibliotekën Universitare, ishte studiuesi dhe botuesi z. Frano Kulli.
Përmes bisedës, ai na prezantoi veprimtarinë e tij krijuese, atë publicistike dhe angazhimin në themelimin e drejtimin e Shtëpisë Botuese “Gjergj Fishta”, në qytetin e Lezhës, me kontribut të vyer në fushën e botimeve të veprave të autorëve të traditës.
Përveç botimeve të artikujve, të shkrimeve kulturore, të eseve në gazetat dhe revistat brenda dhe jashtë vendit, studiuesi Frano Kulli, ka botuar edhe librat: “Fjalori i veprës së Fishtës” (Fitues i çmimit kombëtar “At Gjergj Fishta”; “Fishta, rilexim në kohën e lirisë”; “Kohë e përlyeme” (Fitues i çmimit “At Zef Pllumi”; dhe “Djerrinave të Kohës”.
Veprimtarinë e hapi drejtoresha e Biliotekës Universitare, znj. Alketa Bekteshi, e cila mbajti fjalën përshëndetëse për të ftuarit dhe pjesëmarrësit. Më pas përmes pyetjeve, moderoi takimin, znj. Olimpia Kakarriqi, përgjegjëse e Fondit Albano-Ballkanologjik.
Morën pjesë në diskutime Prof. Arben Prendi, drejtor i Departamentit të Letërsisë, Prof. as. Ermira Alija, Zëvëndës Dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati, Prof. Dom Nikë Ukgjini, z. Ëngjëll Çeka etj. Në këtë veprimtari ishin pjesëmarrës studentë të degëve: Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, dhe Gazetarisë, si dhe nxënës të shkollave “Dituria”, “Jordan Misja” dhe “Branko Kadia”.
Takimi u mbyll me falenderime e respekte të ndërsjellta.