Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, më 23 prill 2012, ora 11.00, në Bibliotekën Universitare të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“, u organizua aktiviteti “Fjalë për poezinë”. Ky takim letrar, nën kujdesin dhe moderimin e punonjëses së bibliotekës Olimpia Kakarriqi, kishte protagonist shkrimtarin, studiuesin dhe pedagogun Alfred Çapaliku.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin, dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore prof.as.dr. Mimoza Priku, përgjegjëset e Departamenteve të Letërsisë e Gjuhësisë, përkatësisht dr. Elinda Dibra dhe dr. Rrezarta Draçini, pedagogë të këtyre katedrave si dhe nga katedra e gazetarisë, përfaqësues nga Drejtoria Arsimore Shkodër, studentë të degëvë të gjuhë-letërsisë e gazetarisë dhe media lokale.
Ky takim u hap nga drejtoresha e këtij institucioni, znj. Alida Luka, e cila përshëndeti të ftuarit dhe iniciativën e këtij aktiviteti me rastin e një ditë të veçantë siç është Dita Botërore e Librit.
Organizatorja dhe moderatorja e këtij aktiviteti, znj. Olimpia Kakarriqi prezantoi për auditorin një profil të përgjithshëm të figurës së Alfred Çapalikut, si krijues, si kritik e studiues letrar dhe si koleg i një stafi akademik universitar. Gjithashtu, u renditën disa vlerësime që i janë bërë Çapalikut nga emra të njohur të letrave shqipe si Fatos Arapi, Visar Zhiti, Gazmend Krasniqi etj.
Më pas aktiviteti vijoi me recitimin e disa poezive të shkëputura nga vëllimet “Muzikë në lëvizje” dhe “Vjeshta ngarkuar me mollë”, recituar nga punonjëset e bibliotekës Arjeta Ferlushkaj e Oriona Kraja si dhe studentë të universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Një pjesë e dytë e takimit ishte komunikimi interaktiv i të ftuarit me të pranishmit, me pyetje-përgjigje në lidhje me poezinë, proçesin krijues, por edhe mbi studimin letrar, për vetë faktin se Alfred Çapaliku është autor i disa botimeve monografike si: “At Vinçens Prennushi” (1996), “Bernardin Palaj” (1999), “Gaspër Pali”(2002) etj.
Takimi zgjoi mjaft interes, në veçanti tek studentët dhe zgjati më shumë se një orë.
Alfred Çapaliku është autor i 15 librave, ndër to: poezi, prozë, krijime për fëmijë, monografi e studime letrare.