“Krestomaci e albanologjisë” (vëllimi I), hartuar nga Prof.dr.Tefë Topalli, (Profesor Emeritus), pasuron fondet e bibliotekës universitare.
Libri është botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përmban 1669 faqe dhe është shtypur në shtypshkronjën “KristalinaKH”, Tiranë 2024.
Libri është një lloj enciklopedie e veçantë që ndahet në dy pjesë. Në vëllimin e parë janë albanologët shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare – deri në ditët e sotme. Në vëllimin e dytë janë albanologët e huaj, gjithashtu, deri në ditët e sotme (albanolog është ai që merret me studime për historinë e shqiptarëve, për gjuhën shqipe, për letërsinë shqiptare e për kulturën shqiptare).
Librit i prin një Parathënie e autorit, mjaft paraqitëse e shkencore, e përkthyer edhe në gjuhën angleze mjaft mirë nga Dr. David Hosaflook dhe Prof.as.dr. Nuri Gokaj (SHBA).
Në vëllimin I janë 126 gjuhëtarë shqiptarë, që nga i madhi Konstandin Kristoforidhi e deri në ditët e sotme. Ata janë historianë të gjuhës shqipe, etimologë, morfologë, sintaksologë, leksikologë e leksikografë, fonetikanë etj. Renditja është kronologjike (sipas vitit të lindjes). Tek Tregues i emrave ka renditje alfabetike. Për secilin gjuhëtar jepen veprat kryesore. E veçanta e librit është se jepen edhe fragmente të veprave të tyre themelore e mjaft shpesh, edhe analiza gjuhësore e edhe vlerësime të të tjerëve për to – gjithnjë, të botuara në revista shkencore ose si kumtime në veprimtari shkencore. Në këtë mënyrë, libri është edhe kritikë gjuhësore – morfologjike, sintaksore, dialektologjike, leksikografike etj. Kësisoj, i gjithë ky syth mund të emërtohet, siç thotë vetë autori, gjuhëtarët për gjuhëtarët.
Lexuesi do të njihet këtu me një numër të gjerë gjuhëtarësh të nivelit europian e me prurje të nivelit europian: Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, Selman Riza, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Jup Kastrati, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Remzi Përnaska, Besim Bokshi, David Luka, Emil Lafe, Kolec Topalli, Eshref Ymeri, Ethem Lika, Rexhep Doçi e shumë të tjerë. Në Parathënien e tij, autori përveçon 6 personalitete të mendimit gjuhësor shqiptar, sipas shkollave gjuhësore ku u formuan. Ata janë: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Mahir Domi, Selman Riza, Shaban Demiraj.
Pjesa II përfshin veprimtarinë shkencore gjuhësore e veprat gjuhësore të albanologëve të huaj. Ata janë gjermanë, austriakë, rusë, amerikanë etj. Edhe për albanologët e huaj jepen jetëshkrimi i tyre shkencor, veprat e tyre shkencore – edhe me fragmente e analiza shkencore për to e vlerësime të veçanta. Libri II do t’i zgjerojë shumë dijet tona edhe për albanologët e huaj. Presim me shumë dëshirë botimin e tij.
Libri është, sigurisht për një lexues të kualifikuar. Dhe ky lexues i kualifikuar është gjuhëtari, punonjësi shkencor, pedagogu i shqipes, doktoranti, mësuesi i gjuhës shqipe, studenti i gjuhës etj. Por ai është edhe për dashamirësit e shqipes.
Ju ftojmë në Bibliotekën Shkencore të USH!
Prof.dr.Tefë Topallin, (Profesor Emeritus), e falenderojmë për librin dhuratë!