Ditën e enjte, datë 18.06.2015, në orën 11.30, në sallën “Walter Höflechner“ të Bibliotekës Universitare u promovua monografia “Letërsi shqipe bashkëkohore. “Ndërthurja e poetikave dhe çkodimi i realiteteve metafizike në romanin bashkëkohor” e studiuesit Arben Prendi.
Ky aktivitet u organizua nga Departamenti i Letërsisë dhe Biblioteka Universitare.
Në këtë promovim ishin të pranishëm pedagogë të Universitetit të Shkodrës, si: prof.dr. Fatbardha Hoxha, prof.dr. Mahir Hoti, prof.dr. Tomor Osmani, prof.dr. Njazi Kazazi, prof.dr. Tefë Topalli, doc. Ridvan Dibra, dr. Ermira Alija, doktorante Ardita Reci, drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti“ z. Gjovalin Çuni, botuesi i sh.b. “Fiorentia“ Meritan Spahija, studentë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“, gazetarë si dhe miq e të afërm të autorit.
Fjalën e hapjes e mbajti punonjësja e Bibliotekës Universitare, njëkohësisht moderatorja e këtij aktiviteti, doktorante Arjeta Ferlushkaj. Pasi përshëndeti të pranishmit, znjsh.Ferlushkaj bëri një profil të shkurtër të jetës dhe aktivitetit letrar e shkencor të studiuesit e pedagogut dr. Arben Prendi ndërsa sa i përket monografisë, u shpreh se “ Në këtë studim prej 450 faqesh, lexuesi dhe kritiku i letërsisë ka mundësinë që të gjeje aty teza dhe interpretime mjaft interesante sa i përket letërsisë realiste, letërsisë së realizmit socialist, asaj moderne e postmoderne, ku spikasin profilet letrare të disa autorëve si: Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Zija Çela, Vath Koreshi, Mehmet Kraja, Kim Mehmeti, Agron Tufa, Ardian-Christian Kyçyku, Bashkim Shehu, Ben Blushi si dhe shkrimtarin shkodran Ridvan Dibra.“
Më pas ky takim promovues vijoi sipas programit, ku referuan: prof.dr. Alfred Çapaliku, dr. Vinçens Marku si dhe studentja Donatela Guri. E përshendetën aktivitetin prof.dr. Fatbardha Hoxha si dhe prof.dr. Mahir Hoti, të cilët vlerësuan seriozitetin dhe skrupolozitetin e studiuesit Prendi por edhe të krejt Departamentit të Letërsisë, për arritjet e kontributin e vazhdueshëm të pedagogëve në fushë të shkencës së letërsisë.
Në mbyllje të takimit, fjala iu dha autorit të librit dr. Arben Prendit. Studiuesi Prendi përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit si dhe bashkëpunuesit për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij promovimi.
AUTORI
Arben Prendi është diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në vitin 1993. Fillimisht debutoi në letërsi si shkrimtar, duke botuar vëllimet me poezi: “Të shtunën ndize një qiri”(1996), “Vashat nguten me u bâ gra” (1998) si dhe “Qirinj të ndezun për të gjallët” (2011). Më pas, debutimi i Arben Prendit tek lexuesi do të jetë në profilin e studiuesit të letërsisë e te kulturës shqiptare. Në vitin 2011 boton librin me studime më titull “Tekste në kontekste” dhe së fundi, “Letërsi shqipe bashkëkohore. Ndërthurja e poetikave dhe çkodimi i realiteteve metafizike në romanin bashkëkohor.” (2015). Të dy këto studime kanë pasur për recensues dy profesorë të nderuar, siç janë prof. dr. Shaban Sinani dhe prof.dr. Stefan Çapaliku. Gjithashtu, Arben Prendi ka botuar edhe skripte leksionesh në formë dispensash për lëndët: “Letërsia gojore shqiptare”, “Eposi gojor”,“Letërsi shqiptare”.
Në vitin 2007 mbron titullin shkencor Master i Nivelit të Dytë në Letërsi pranë Universitetit të Tiranës ndërsa në vitin 2012 mbron gradën shkencore “Doktor në Shkenca Letrare”, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë me temën: “Prirje dhe dukuri të romanit bashkëkohor shqiptar”.
Nga viti 1993 e në vazhdim, Arben Prendi është pedagog i brendshëm në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në Departamentin e Letërsisë. Nga viti 2008 e në vazhdim është Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Shkencave Shoqërore, në Universitetin e Shkodrës.
Postime Së Fundi
- Pasurimi i Fondit të Fakulteteve me librin“ Metodat e kërkimit social”,edicioni i gjashtë
- Vizita në bibliotekë nga stafi i Universitetit Vechta, Gjermani
- Bisedë me botuesin dhe studiuesin Z.Frano Kulli
- Vizita e Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri, z. Christian Steiner,në bibliotekë
Letërsi shqipe bashkëkohore nga Arben Prendi