al
Në vazhdën e aktiviteteve për Ditën Botërore të Librit, më 24 prill 2013, ora 11.00, në Bibliotekën Universitare të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“, u zhvillua takimi “Më nxit një libër! / Leximi-sfidat që duhen kapërcyer”, organizuar nga punonjësja e bibliotekës Arjeta Ferlushkaj.
E përshëndetën këtë takim drejtoresha e bibliotekës znj. Alida Luka si dhe punonjësja e këtij institucioni Oriona Kraja.
Kjo nismë ishte e ideuar si një bashkëbisedim i lirë mes studentëve të universitetit “Luigj Gurakuqi”. Nën drejtimin e Ferlushkajt, u debatua rreth temave të tilla si: sa i rëndësishëm është të lexuarit, çfarë duhet të bëjmë që ta nxisim sa më shumë leximin, ide dhe sugjerime rreth shërbimeve bibliotekare, roli që luajnë aktivitete të tilla etj. Në këtë diskutim morën pjesë edhe dy drejtuesit e bibliotekave, znj. Alida Luka dhe z. Gjovalin Çuni, përkatësisht të bibliotekës universitare dhe bibliotekës së qytetit “Marin Barleti”.
Në pjesën e dytë të këtij takimi, në funksion të temës së aktivitetit por edhe si konkretizim i tij, disa studente paraqitën librin e tyre të preferuar, të cilin e propozonin para auditorit për t’u lexuar edhe nga të tjerët. Ideimi i kësaj nisme ishte që, studenti i cili i parashtronte më mirë dhe më bindshëm argumentet e veta, shpallej fitues. Nga gjashtë konkurentet: Bedrije Doçi, Majlinda Gjoka, Sajmira Halili, Kristina Dermani, Arlinda Jusha, Klodiana Brati, komisioni vlerësues i përbërë nga Dr.Sabina Osmanoviq, Ma.Olimpia Kakarriqi, Ma. Oriona Kraja, Ma. Arjeta Ferlushkaj dhe Ma. Erjola Djepaxhia, vlerësuan fituese studenten Sajmira Halili.
Në fjalën e saj të mbylljes, drejtoresha e bibliotekës universitare, znj. Luka, falënderoi studentët dhe të pranishmit për bashkëpunimin dhe i ftoi ata të jenë sa më afër këtij institucioni të rëndësishëm, siç është biblioteka, jo vetëm si lexues por edhe si bashkëpunues aktivë në organizime e takime të ndryshme.
Qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi i studentëve që ta duan sa më shumë librin, të formësohen gjithnjë e më shumë me kulturën e debatit dhe shkrimit argumentues, të jenë sa më afër bibliotekave dhe studimit, të mësohet sa më shumë rreth metodave më të mira se si ta bëjmë më të dashur librin për veten dhe të tjerët.