Promovimi i librit të autores Monika Stafa

Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, me 16.12.2013, në orën 11.30, në sallën “Walter Höfleschener”, u zhvillua promovimi i librit “Një ditë si Sofia”, me autore gazetaren Monika Stafa.
Të ftuar në këtë aktivitet ishin përgjegjësja e Departamentit të Letërsisë Dr. Elinda Ramadani Dibra, pedagogë të këtij departamenti si Prof.dr. Fatbardha Hoxha, Prof. as. dr. Ledri Kurti, pedagogë të gjuhësisë, historisë, mësues të shkollave të mesme, gazetarë të mediave lokale, studentë e nxënës të shkollave të mesme.
Fjalën e hapjes e mbajti Dr. Ermira Ymeraj, e cila ishte organizatore dhe moderatore e aktivitetit. Mbas përshëndetjeve të rastit, zonja Ymeraj i dha fjalën panelit, ku ishin të ftuar Bajram Peçi, drejtori i shtëpisë botuese “Saras“ si dhe redaktorja e librit Alda Bardhyli.
monika stafa
Z. Peçi prezantoi me pak fjalë punën e shtëpisë botuese “Saras“, aktivitetin publicistik të autores Monika Stafa, duke u nisur nga përvoja e saj në media.
Ndërsa znj. Bardhyli u ndal tek profili i Monika Stafës si letrare, duke u shprehur se kjo sprovë e parë me novelën “Një ditë si Sofia”, është kaluar me sukses dhe e quajti atë një rrëfim të bukur që duhet lexuar.
Fjalën e radhës e mori autorja, Monika Stafa, e cila falëndëroi të pranishmit për ardhjen e tyre, mbështetësit për realizimin e këtij takimi dhe vlerësoi pritjen që iu bë në Shkodër. Autorja foli shkurtimisht mbi rrugën se si erdhi e u formësua ky libër, duke i mëshuar më fort novelës që i ka dhënë edhe titullin librit.
Aktiviteti vijoi me pyetje dhe diskutime mbi përmbajtjen e librit, çështjet tematike që ai trajton, pozicionin e autores në të dhe rolin e figurës femërore në shoqëri, si një ndër mesazhet thelbësore të librit.
Aktiviteti u mbyll nën atmosferën e dhënies së autografeve nga autorja dhe fotove të rastit.
Libri
“Një ditë si Sofia“ është një libër i konceptuar në dy pjesë: në pjesën e parë jemi në zhanrin e letërsisë, që e përfaqëson novela, artefakt, siç e quan vetë autorja. Pjesa e dytë i është rezervuar publicistikës dhe kjo vetë, është e organizuar në tri nëndarje. Brenda këtij lloji mund të lexojmë shkrime si: “Shqiptarët dhe Nobeli“, “S’kam qejf të flas për Shqipërinë“, “Kujdes! Big Brother nën vëzhgim!“, “Të jetosh në ishull“, “S’ka më SOS!“, “Çdo njeri, një gazetë”, “Të trishtohesh me Zonjën Shnajder“, “In memoriam Vaclav Havel-shenja që u shua“ etj. Që nga titujt e këtyre artikujve, mund të kuptojmë larmishmërinë e temave që janë zgjedhur për t’u trajtuar nga gazetarja Monika Stafa.