Ditën e mërkure, datë 22 prill 2015, në orën 11.00, në sallën “Walter Hoflechner“ u zhvillua takimi “Ora letrare e Arben Shehit“. Aktiviteti u organizua nga Biblioteka e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“, në kuadër të Ditës Botërore të Librit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin studentë të Universitetit të Shkodrës, pedagogë nga Departamenti i Letërsisë, kryetari i Shoqatës së
Shkrimtarëve Shkodër z. Skender Temali, miq të autorit si prof. Maksim Cikuli, z. Fatlum Nurja, etj. Fjalën e hapjes e mbajti  punonjësja e bibliotekës dhe njëkohësisht organizatore e këtij takimi, znjsh. Arjeta Ferlushkaj, e cila falenderoi pjesëmarrësit për praninë dhe bëri një përshkrim të shkurtër mbi jetën dhe veprimtarinë e shkrimtarit të ftuar. Më pas, shkrimtari dhe pedagogu z. Ridvan Dibra përshëndeti auditorin dhe vlerësoi profilin krijues të z. Shehi, në veçanti si një prozator të guximshëm dhe të
vëmëndshëm në gjetjet estetiko-letrare. Ai e quajti romanin “Viti i qenve“ një prurje të suksesshme në letërsinë e viteve të fundit.
Në vijim, fjalën e radhës e mori vetë autori, i cili, bëri falenderimet e rastit. Ai krijoi një komunikim të gjallë interaktiv me të ftuarit, duke u treguar i gatshëm t’i përgjigjej pyetjeve që iu bënë nga salla, kryesisht nga studentët. Të pranishmit patën mundësinë të ndjekin këndvështrimin e shkrimtarit Shehi për fëmijërinë e tij, për formimin letrar, për rrugën e zgjedhur–atë të shkrimtarit, për lexuesin, për
zhvillimet e sotme letrare, për ndikimin e autorëvë të tjerë në profilin e tij krijues,për “laboratorin“ vetiak të krijimit në përgjithësi, etj. Përqëndrimi i bashkëbisedimit u fokusua mbi librin “Viti i qenve“, botim i vitit 2013 nga shtëpia botuese “Toena”. Autori u pyet mbi ngjizjen e kësaj vepre, por edhe për titullin e romanit. Z.Shehi e cilësoi këtë vepër si një sfidë me veten, mbi kujtësen vetiake
dhe kolektive që lidhet me momentin historik të çmendurisë komuniste ndaj besimeve fetare të vitit 1967, e jo vetëm.
Autori iu përgjigj edhe interesimit të mediave në lidhje sa u tha më sipër. Aktiviteti u mbyll me shprehjen e konsideratave mbi krijimtarinë e z. Shehi nga ana e disa të ftuarve si z. Hasan Lekaj, z. Fatlum Nurja dhe z. Skender Temali etj.
si dhe me premtimin që edhe romanin e ardhshëm (në proces ) do ta promovojë pranë Bibliotekës Universitare. Autori dha për studentët dhe të ftuarit autografe në romanet “Viti i qenve“, “Gryka e pusit“ si dhe në vëllimin poetik “Kohë për askund“.

Autori
Arben Shehi u lind në Shkodër në shtator të vitit 1954. Formimin e mesëm e kreu në Shkodër në gjimnazin “Jordan Misja”. Në vitet 1972-1977 studion për arkitekturë në Tiranë dhe që nga viti 1979-1992 i kushtohet projektimit arkitektonik dhe angazhimit
akademik si lektor në Fakultetin e Arkitekturës (1984-1993). Në vitet 1993-2000 drejton Dhomën e Tregtisë e Industrisë së Shqipërisë e Tiranës, e më pas disa organizma për sistemet të pronësisë intelektuale e cilësisë. Është autor i një seri shkrimesh e qëndrimesh estetike për arkitekturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm në përgjithësi, si brenda dhe jashtë vendit. Nga viti 2009-2012 ka qenë këshilltar i Presidentit të Republikës për zhvillimin urban e mjedisin. Prirjet e hershme letrare dhe pjesëmarrja aktive në rrethet letrare të qytetit i përvijojnë një profil artistik. Në vitin 1972 largohet nga Shkodra për t’u vendosur në Tiranë. Në vitin 1981 boton përmbledhjen e parë poetike “Pika e djersës”. Me ndryshimet demokratike në Shqipëri, arrin të rikthehet në çka kish lënë pa realizuar dhe nis botimet e përmbledhjeve të tjera: “Rikthim drejt gjërave që i kam dashur” (1996), “Gjysma e heshtjes”(2001),“Kohë për askund“ (2009, ribotim në 2014), si dhe “Jeta, kjo mrekulli pa vlerë”( 2014). Vëllimi “Kohë për askund” është botuar edhe në Francë
(2011) si dhe në Itali (2012). Poezi të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme si anglisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, rumanisht, greqisht, etj. Në gjininë e prozës ka botuar dy romane: “Gryka e pusit” (2011) dhe “Viti i qenve”(2013). Këto romane bëjnë
pjesë në triptikun e parë të prozës së ciklit me titull “Vitet e kolerës”, romane që kanë si tematikë fatin e njeriut dhe shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së rëndë të diktaturës komuniste. Romani “Gryka e pusit” është botuar në Itali këtë vit me titullin “La gola
del pozzo”. Në vitin 2012, ky roman u rendit nga juria shqiptare e çmimit Balcanika në 5 romanet më të mirë të vitit, ndërsa në vitin 2014 u vlerësua në Itali me çmimin “PREMIO CULTURA 2014”, çmim që u akordohet personaliteve të njohura italiane
dhe ndërkombëtare të fushës së kulturës.

Arben Shehi