Fondi i Fakulteteve në bibliotekën universitare u pasurua së fundmi me 10 njësi bibliotekare të librit “ Metodat e kërkimit social”, edicioni i gjashtë, me autorë Eduard Bell, Alan Bryman, Steven Kleinknecht.
“ Metodat e kërkimit social”, ofron një analizë të thelluar mbi qasjet sasiore dhe cilësore në fushën e shkencave sociale. Autorët: Eduard Bell, Alan Bryman, Steven Kleinknecht janë tejet të njohur në fushën e kërkimit në shkencat sociale dhe vijnë për herë të parë në gjuhën shqipe.
Përkthyer nga: Dr. Visar Dizdari, Prof. Asoc Elona Dhëmbo, Prof. Asoc Elizabeta Osmanaj, Dr. Skerdi Zahaj libri përfshin një gamë të gjerë të metodave, nga të cilat lexuesit mund të mësojnë si të zhvillojnë dhe të interpretojnë kërkime që i tejkalojnë kufinjtë kombëtarë.
Ky botim risjell tema të rëndësishme, si etika në kërkim, dhe trajton çështjet e kampionimit dhe analizës së të dhënave në mënyrë që t’i përgatisë studentët për sfidat e ndryshme, që do të hasin në fushën e tyre akademike dhe profesionale. I mbushur me shembuj konkretë dhe udhëzime praktike, ky tekst synon të jetë një burim i paçmuar për ata që dëshirojnë ta zgjerojnë kuptimin e tyre mbi metodat e kërkimit dhe t’i aplikojnë ato në situata të ndryshme sociale.
Ky botim është përgatitur nga Fakulteti i Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, Universitetit “ Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe Universitetit “ Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në kuadër të projektit “ Përforcimi i kapaciteteve profesionale të studentëve të shkencave sociale dhe punonjësve të shërbimeve sociale”, të mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), si pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “ Askush të mos mbetet pas” (LNB), që zbatohet me Qeverinë Shqiptare dhe financohet nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ( SDC).
Botimi është realizuar nga Shtëpia Botuese Mediaprint.