Përurohet adsh.unishk.edu.al – Arkivat Digjitale Shkodër
Ditën e mërkure, më 19.06.2013, në orën 18.00 u zhvillua në sallën “Walter Höflechner“ të Bibliotekës Universitare, aktiviteti promovues i faqes elektronike adsh.unishk.edu.al – Arkivat Digjitale Shkodër. Ky aktivitet u organizua nga dy bibliotekat: ajo publike “Marin Barleti“ si dhe nga Biblioteka Universitare.
Pjesëmarrës të këtij takimi promovues ishin Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, Rektori i Universitetit të Shkodrës z. Artan Haxhi, përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues nga D.A.R. Shkodër, profesorë të Universitetit “Luigj Gurakuqi“, punonjës të bibliotekave të Shkodrës etj.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha e Bibliotekës Universitare, znj. Alida Luka, e cila prezantoi ligjëratën e saj “Nisma dixhitale në Bibliotekën Universitare“. Znj. Luka, pasi bëri një historik të shkurtër rreth punës së kryer, vuri theksin në mbështetjen e marrë nga autoritetet drejtuese të Universitetit “Luigj Gurakuqi“, të cilët mundësuan realizimin e kësaj nisme bashkëkohore. “Kemi një aksesim tek këto materiale me vlerë të trashëgimisë tonë kulturore, tashmë jo vetëm për studiuesit por edhe për lexuesit e thjeshtë që duan të njohin rrugën e përshkuar nga kombi ynë në shekuj. Ky është vetëm fillimi, pasi Shkodra ka shumë për të treguar dhe ekspozuar“ – u shpreh znj. Luka.
Drejtori i Bibliotekës Publike “Marin Barleti“, z. Gjovalin Çuni, në ligjëratën e tij “Arkivi dixhital, qasje e re e trashëgimisë kulturore“ theksoi rëndësinë që ka nisja dhe perfeksionimi i mëtejshëm i këtij hapi që u hodh në arkivimin digjital, pasi kjo rezulton të jetë një ndër mënyrat më të duhura për t’iu qasur sot ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Në këtë takim u prezantuan edhe ligjërata të tjera: “Dublin Core dhe skeda dixhitale“ nga Olimpia Kakarriqi, përgjegjëse e fondit Albano-Ballkanologjik, “Menaxhimi i arkivit“ nga Sidita Halluni, IT (Biblioteka “Marin Barleti”), “Teknologjitë e përdorura në Arkivat Dixhitale“ nga Gjergj Sheldija, IT (Biblioteka Universitare).
Në vijim të takimit, kryeparlamentarja Topalli e përshëndeti aktivitetin dhe iniciativën e dy bibliotekave në krijimin dhe mirëmbajt
jen e këtij website. Z. Topalli, përmes vlerësimit që i bëri punës së kryer deri tani, i siguroi aktorët veprues të kësaj nisme se do të kenë mbështetjen e nevojshme për një perfeksionim të vazhdueshëm të saj dhe bashkëpunim me Bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë.
Në mbyllje të takimit, znj. Luka ftoi institucionet kulturore që t’i bashkohen kësaj nisme duke ruajtur të drejtën e editorit. I gjithë materiali i digjituar dhe i hedhur në këtë website do të ketë si administrator Bibliotekën Universitare. Gjithashtu, ajo falendëroi bashkëpunëtorët dhe në mënyrë të veçantë kryeparlamentaren znj. Topalli për pasurimin e fondit të albanologjisë me kolanën: Bisedime Parlamentare 1920-1939, si dhe me librin Aktet themeluese të shtetit shqiptar 1912-1922.
adsh.unishk.edu.al
Në website-in e arkivit digjital janë të hedhura gjithsej 17642 faqe te digjituara (290 materiale ). Pema e koleksioneve në këtë faqe përbëhet nga: gazeta “Posta e Shqypniës” si dhe revistat “Cirka“, “Agimi“, “Përpjekja”, të gjitha këto nën etiketën e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”. Ndërsa, revista “Leka” si dhe 47 librat e hedhur në këtë faqe, janë në pronësi të Bibliotekës Universitare. Përmendim disa tituj: “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princ i epiriotëve“ i Marin Barletit, librin “Përmbledhje e shkurtër e “Doktrinës së Krishterë“ i Gjon Nikollë Kazazit (kopja e vetme në Shqipëri), “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit, “Doktrina e Krishterë” e përkthyer në shqip nga Pjetër Budi, Kronikat turke etj.
Shfletimi i materialeve mund të bëhet përmes disa mënyrave: sipas llojit të materialit (gazetë, revistë, libër), sipas subjektit (gjuhësi, gjeografi, histori etj.), sipas datës (vitit të botimit të materialit përkatës), sipas pronarit të materialit etj. Tani për tani, në këtë arkiv digjital janë të hedhur libra e koleksione periodikësh që janë në pronësi të Bibliotekës Universitare dhe Bibliotekës Publike “Marin Barleti“. Perspektivat janë për zgjerim të bashkëpunimit mes disa bibliotekave.
Synimet e faqes elektronike adsh.unishk.edu.al janë ruajtja e trashëgimisë kulturore përmes koleksioneve virtuale; krijimi i një sistemi bibliotekash digjitale në qytetin e Shkodrës përmes një bashkëpunimi edhe më të gjerë, duke respektuar gjithnjë standardet ndërkombëtare; lidhjet e bibliotekave me rrjetet e shpejta të kërkimit etj.