Në një atmosferë festive dhe plot emocione, u zhvillua sot ceremonia e promovimit të Bibliografisë së Revistës “Cirka”, e përkohshme kulturale popullore, 1936-1939, me autore znj. Olimpia Kakarriqi.
Aktiviteti u mbajt në ambientet e Bibliotekës Shkencore të Universitetit “ Luigj Gurakuqi”, ku morën pjesë studiues, pedagogë, shkrimtarë, lexues dhe familjarë, të botuesve kësaj reviste.
Në fjalën e hapjes Drejtoresha e Bibliotekës Alketa Bekteshi u ndal në misionin që sot mbartin bibliotekat universitare, si qendra dinamike informacioni, si burime të besueshme për studentët, studiuesit dhe mësimdhënësit, mbështetje për kërkimin shkencor, duke ofruar qasje në databaza shkencore, bibliografi të specializuara, revista, dorëshkrime dhe arkiva, etj. I tillë është edhe botimi i Bibliografisë së revistës ” Cirka”, të përkohëshmes kulturale popullore, botuar në Shkodër në vitet 1936-1939, punuar nga Përgjegjësja e Fondit Albano-Ballkanologjik, znj. Olimpia Kakarriqi. Pas një përvoje disavjeçare të punës kërkimore, studimore në këtë fond, studiuesja Kakarriqi, ( ndjekëse e mirë e traditës së punës në biblioteka, si pasuese e studiuesit, bibliografit Willy Kamsi), – theksoi znj. Bekteshi – na sjell bibliografinë retrospektivë të revistës ” Cirka”, e cila do të shërbejë si një instrument kërkimor me vlerë të mëdha.
Për të bërë një përshkrim të kontributit të bibliografëve shkodranë në historinë e bibliografisë në Shqipëri, kumtoi Drejtori i Bibliotekës “Zoja e Shkodrës”, studiuesi Gjovalin Çuni, njëkohësisht edhe redaktor i kësaj bibliografie.
Znj. Kararriqi bëri prezantimin e revistës, duke bërë një përmbledhje të kontributit intelektual të drejtuesve të saj, Gjon Ujka dhe Cuk Simoni, si dhe duke analizuar rubrikat letrare, gjuhësore, kulturore, etnografike, turistike e sportive. të rubrikave të revistës, Kjo e përkohëshme me përfshirjen e gjerë të tematikave dhe të autorëve kontribuoi në krijimin e një shoqërie përparimtare dhe të emancipuar, në vitet 1936-1939 dhe dha modele të atdhetarizmit dhe intelektualizmit.
Aktiviteti u përshëndet nga Zv. Rektorja e Universitetit të Shkodrës Prof. Asocc. Dr. Eliana Laçej, e cila vlerësoi rëndësinë e hartimit të bibliografive retrospektive.