IMG 2681

Në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Instituti i Studimeve Albanologjike dhe Departamenti i Gjuhësisë organizuan me 21 prill 2012, ora 10.30, në Bibliotekën Universitare Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi“, promovimin e monografisë së akademikut Kolec Topalli: “Gramatikë historike e gjuhës shqipe“.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës Nora Malaj, kryetari i Akademisë së Shkencave Elita Kombëtare Gudar Beqiraj, autoritete të pushtetit vendor si Kryetari i Këshillit të Qarkut Maxhid Cungu, kryetari i Këshillit të Bashkisë Bardhyl Lohja, rektori i Universitetit Artan Haxhi, drejtoresha e Zyrës së Kulturës në Bashkinë Shkodër Lejla Zorba, anëtarë të stafit akademik të Universitetit të Shkodrës nga departamentet e gjuhësisë, letërsisë, historisë etj. si dhe studentë të këtij universiteti. 
Fjalën e hapjes e mbajti drejtuesi i Institutit të Studimeve Albanologjike pranë Universitetit të Shkodrës prof.dr. Tomor Osmani, i cili përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi autorin për kontributin e tij shkencor. 
Gjithashtu e përshëndetën auditorin dhe veprën shkencore të akademikut Kolec Topalli zv./ministrja e arsimit Nora Malaj, kryetari i Akademisë së Shkencave Elita Kombëtare Gudar Beqiraj, Kryetari i Këshillit të Qarkut Maxhid Cungu. 
Përgjegjësja e Departamentit të Gjuhësisë dr. Rrezarta Draçini, moderatore e këtij aktiviteti promovues, e përcolli fjalën tek ligjëruesit:  Seit Mansakui, i cili është edhe recensenti i monografisë. Ai përgëzoi autorin për përkushtimin e tij disavjeçar ndaj kësaj fushe të gjuhësisë dhe e vlerësoi këtë monografi si mjaft të rëndësishme për historinë e gjuhës shqipe. Kumtues të tjerë mbi këtë botim voluminoz ishin: prof.dr. Artan Haxhi, në bashkëpunim me prof.as.dr. Tefë Topalli, prof.as.dr. Anila Omari, prof.dr. David Luka, prof.dr. Tomor Osmani, prof.as.dr. Mimoza Priku, si dhe dr. Erzen Koperaj.
Në mbyllje të këtij promovimi e mori fjalën vetë autori Kolec Topalli, i cili mes shumë emocionesh, falëndëroi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe organizuesit e këtij aktiviteti. 
Ky promovim u mbyll me prezantimin para të pranishmëve të filmit dokumentar me titull “Dy jetë” punuar nga TVSH, kushtuar këtij studiuesi.
 
Tituj nga ky autor:
1995. “Theksi në gjuhën shqipe”.
1996. “Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe”.
1998. “Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes”.
2000. “Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe”.
2001. “Sonantet e gjuhës shqipe”.
2002. “Mbylltoret e gjuhës shqipe”.
2003. “Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe”.
2004. “Dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe”.
2005. “Bazat e fonetikës historike të gjuhës shqipe”.
2007. “Fonetika historike e gjuhës shqipe”.
2007. “Ricerche sulla storia dell’accento in albanese”.
2008. “Evolucioni historik i përemrave të shqipes”.
2009. “Sistemi rasor i emrave të shqipes”.
2010. “Sistemi foljor i gjuhës shqipe”.
2011. “Bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe”.
2011. “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”.