319570 295917320432601_126310214059980_1063743_257514719_n
Me daten 7 nëntor 2011, ora 11.00, në Bibliotekën Universitare Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua aktiviteti promovues i librit “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” i shkrimtarit Zija Çela. Ky aktivitet, i ideuar dhe i mbeshtetur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka dhe rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” z. Artan Haxhi, u organizua në kuadër të 65-vjetorit të lindjes së autorit.
Në aktivitet ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, deputetja e Shkodrës, znj. Arenca Troshani, kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Maxhid Cungu, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, z. Artan Haxhi, si dhe autoritete të tjera të larta akademike dhe vendore.
Fjalën e hapjes e mbajti përgjegjësja e Departamentit të Letërsisë pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof.as.dr. Ledri Kurti, e cila falënderoi ideatorët e këtij promovimi z. Lorenc Luka dhe z. Artan Haxhi. Në rolin e moderators së aktivitetit, prof. as. dr. Ledri Kurti gjithashtu bëri bëri një prezantim të shkurtër të krijimtarisë shumëvjeçare të autorit Zija Çela.
Më pas e morën fjalën e radhës referuesit e këtij promovimi: doktoranti Arben Prendi, Prof. dr. Fatbardha Hoxha, Prof. dr. Alfred Çapaliku dhe MA. Ermira Alia.
I ngarkuar me emocione, autori Zija Çela përcolli tek të pranishmit falënderimet e tij të përzemërta, në veçanti ndaj kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli. Në fjalën e tij shkrimtari solli caste kujtimesh nga jeta e tij, në Shkodër e më pas në Tiranë. Ai gjithashtu foli për rrugën që e çoi drejt letërsisë dhe se si u bë shkrimtar. Autori i dhuroi Bibliotekes Universitare disa kopje nga titujt e krijimtarise se tij letrare.
Në fund të pranishmit shijuan disa çaste të këndshme në kokteilin e shtruar, me nënshkrime autografesh dhe shkrepje fotosh në shoqërinë e shkrimtarit Çela.