Këto ditë studentët e degës së Masterit Profesional “Mësuesi në Gjuhë – Letërsi ” zhvilluan një orë studimore në ambientet e bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” të udhëhequr nga pedagogia prof. Mimoza Priku, e cila së bashku me specialisten e Fondit Albano-Ballkanologjik zj. Olimpia Kakarriqi bënë jo vetëm një ekspoze të disa prej librave të rrallë që janë pjesë e thesarit të vyer të këtij fondi, por me shpjegime e interpretime filologjike i njohën studentët edhe me botimet e mëvonshme kritike të disa prej këtyre teksteve, të realizuara me metoda bashkëkohore. Si gjithmonë, specialistja e palodhur dhe e përkushtuar e këtij fondi zj. Olimpia, i njohu studentët me historikun e krijimit të këtij fondi, rëndësinë që ai ka për studiuesit e albanologjisë dhe duke bërë shpjegime të hollësishme për librat, si :”Osservazioni grammaticali della lingua albanese” (1716), e Francesco Maria Da Lecce, që vlerësohet nga studiuesit si gramatika e parë e gjuhës shqipe; “Albanische studien” (1853) e Johan Georg von Hahn; “Gramatika shqipe” e botuar në frëngjisht nga Pashko Vasa (1887); “Gramatika shqipe”e shkruar në gjuhën gjermane nga Gjergj Pekmezi (1908); “Shkronjëtore e gjuhëse shqip” (1886) e Sami Frashërit; “Alfabetare e gjuhes shqipe” (1879), që njihet edhe me emrin si Abetarja e Stambollit; gramatikat e Bussetit e Angello Leottit (1914, 1916) etj.
Një vëmendje mori edhe libri “Cuneus Prophetarum” (1940) e Bogdanit, si dhe shumë tekste dhe gramatika të traditës. Studentët u njohëm dhe me dy kopjet unike të këtij fondi me vlera të mëdha albanologjike: “Breve compendio della dottrina christiana” (1743), përkthim i Gjon Nikoll Kazazit si dhe “Dell’Historia Vinitiana” (1558) i Marco Antonio Sabellico-s.
Për studentët, ishte një eksperiencë e veçantë njohja me këtë pjesë të rëndësishme të fondit të Arkivit, të bibliotekës universitare.