Biblioteka Shkencore e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, u vizitua me dt. 20.12.2023, nga Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, z. Christian Steiner, i shoqëruar nga Konsulli i Nderit të Austrisë, z. Gjergj Liqejza.
Në takimin me Rektoren e Universitetit Prof. Dr. Rajmonda Këçira u theksua se Biblioteka Austriake, si pjesë integrale e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi,” luan një rol të fuqishëm mbështetës në procesin mësimor e studimor dhe në punën kërkimore shkencore si të stafit akademik, ashtu edhe të studentëve, duke e shtrirë ndikimin e saj edhe përmes universitetit.
Biblioteka Austriake Shkodër është pjesë e rrjetit të bibliotekave të Austrisë, jashtë vendit, prej gjithsej 61 bibliotekash në vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Jugore, ku Austria, kultura, ekonomia, dhe politika e saj janë shfaqur apo kanë lënë gjurmë gjatë kohrave.
Biblioteka Austriake shërben gjithashtu si qendër për austriakët jashtë vendit dhe përgjithësisht për një dialog kulturor dhe politik me vendin tonë. Përfaqëson një rrjet shkencor përmes partneritetit me universitetet lokale, si dhe institucionet kërkimore.
Për vitin 2023 janë akorduar 1300 € libra të rinj, ku përfshihen 59 copë libra dhe 15 revista. Totali i librave në fond është afërsisht 8500 njësi bibliotekare, ku përfshihen libra, revista të regjistruara në formën elektronike.
Shkrimtarë të njohur, përkthyes, këngëtarë dhe grupe muzikore nga Ausrtria janë bërë shpesh pjesë e këtyre takimeve. Në ditën botërore të librit organizohet “Dita e dyerve të hapura”, ku student, pedagorë, miq të librit, njohës të gjuhës gjermane ftohen të vizitojnë ambientet e kësaj biblioteke dhe të shohin nga afër fondin libror dhe të njihen me shërbimet që ofrohen. Një ndër aktivitetet më të rëndësishme është “Austria lexon ”.
Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, z. Christian Steiner vizitoi fondet e bibliotekës shkencore të Universitetit “ Luigj Gurakuqi “ dhe konfirmoi që edhe në të ardhmen do të vazhdojë mbështetja e ambasadës austriake për t’u pasuruar me fonde librore dhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme.