Është bërë tashmë traditë që Biblioteka Universitare në javën e librit të hapë fondin e saj arkiv për vizitorë.
Këtë vit, java e librit startoi me 21 prill, me hapjen e ekspozitës “Këndimet” – enciklopedi të vogla të botës shqiptare, e cila qëndroi e hapur deri me 26 Prill.
Qëllimi i ekspozimit të librave të këndimit, ishte njohja me ecurinë e hartimit të këtyre teksteve nga viti 1886 deri në vitin 1944.Këto “këndime” të hartuara mbi kritere pedagogjike dhe didaktike përfaqësojnë traditën e arsimit shqiptar.Historia e librave të këndimit fillon me “E këndimit çunavet – Këndonjëtoreja”, hartuar nga Naim Frashëri e botuar në Bukuresht, në vitin 1886. Do ta pasojnë “Këndimet për shkolla të para të Shqypniës”, me autorë Ndre Mjeda dhe Anton Xanoni, botuar në Vienë, në vitin 1904, 1905. Këto këndime u ribotuan edhe në vitet në vazhdim.Shumë pjesë janë krijime origjinale të Mjedës dhe Xanonit.
Autorë të tjerë si: Ndoc Nikaj, Gaspër Beltoja, Kostë Çekrezi, Dhimitër Paparisto etj. hartuan “këndime” që u përdorën gjatë brezave. Ato shërbyen si modele të teksteve që u botuan në vazhdimësi.
Pjesët e këndimit janë përzgjedhur nga autorët për të realizuar një edukim të përgjithshëm të fëmijëve, për t’i dhënë atyre konceptet kryesore, shprehi edukative e morale me vlera qytetare e kulturore.
Pjesët përgjithësisht janë letrare, por ka edhe pjesë me karakter shkencor që flasin për stinët, trupin e njeriut, dukuritë natyrore etj.
Ilustrimet janë të pranishme po thuajse në të gjitha pjesët e leximeve.Ato ndikojnë në përceptimin më të mirë të mesazheve.
Aktiviteti kalonte përmes disa etepave: Në fillim të pranishmit degjonin një historik të shkurtër dhe disa karakteristika të kësaj ekspozite, më pas lexoheshin disa poezi të zgjedhura nga këndimet dhe në fund vizitonin ekspozitën duke drejtuar edhe pyetje të ndryshme.
Pedagogë, studentë, studiues dhe qytetarë për katër ditë me radhë vizituan këtë ekspozitë duke shfaqur interes të veçantë.
Me mjaft emocion kjo ekspozitë u vizitua edhe nga studiuesja e njohur veneciane, zj.Lucia Nadin e cila 20 vite të punës së saj hulumtuese ia ka kushtuar historisë së Shqipërisë dhe Shkodrës në shek. XV – shek. XVIII.
Aktiviteti u ideua dhe u realizua nga përgjegjësja e Fondit Albano – Ballkanologjik zj.Olimpia Kakarriqi. me ndihmën dhe mbështetjen e pjesëtarëve të stafit të bibliotekës Rovena Mesi, Mimoza Hoxha dhe Ermir Kadija.
Falenderojmë të gjithë ata që vizituan këtë ekspozitë e që u bënë pjesë e aktivitetit tonë.