Java e librit në BUSH u mbyll me 28 prill me prezantimin e librit “Danub” të autorit italian Claudio Magris , i sjellur në shqip nga Alma Hafizi dhe botuar nga Albas.
Aktiviteti u zhvillua në sallën e konferencave. Takimi u moderua nga drejtuesja e bibliotekës, zj. Luka e cila, pasi bëri një përshkrim të gjithë aktiviteteve në javën e librit, u ndal tek eventi i ditës. Ajo bëri një prezantim të panelit pjesë e të cilit ishin përkthyesja e mirënjohur zj.Mimoza Hysa(përkthyese e disa autorëve të letërsisë italiane), zj.Eliana Laçej (drejtore e Departamentit të Romanistikës) dhe nga përkthyesja e veprës zj.Alma Hafizi (dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja).
Fillimisht zj. Hysa njohu të pranishmit me veprën e Magris i cili me “Danub” në shqip bën takimin e tretë me lexuesin shqiptar, foli për cilësitë e veprës së tij që më shumëështë e natyrës eseistike, për misionin e kësaj vepre, atë të një Europe pa kufij etj.
Mjaft interesant ishte bashkëbisedimi mes zj. Laçej dhe Zj. Hafizi lidhur me rrugëtimin e përkthimit, me aktorët mbështetës, me vështirësitë e ndryshme, me cilësitë dhe aftësitë që duhet të posedosh për arritjen e një përkthimi sa më cilësor si dhe me shkallën e njohjes të autorit apo raportin që duhet të kesh me të.
Në fund të takimit nga të pranishmit pati mjaft komente vlerësuese për punën e përkthyeses duke e cilësuar atë si mjaft serioze e të suksesshme.
Zj. Hafizi i dhuroi bibliotekës një kopje të librit me dedikim të veçantë.